Emigrimet e Ballkanit

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Javën e shkuar, nën kujdesin dhe kryesimin e Kryetarit të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Shentop (Şentop), me mirëpritjen e Universitetit Ndërkombëtar të Ballkanit, në Shkup u organizua Simpoziumi i 5-të i Shkencave Sociale.

Në simpoziumin, ku morën pjesë 617 akademikë nga 13 vende edhe unë si i ftuar mbajta një fjalim për rininë. Në simpozium pata rastin të njihem edhe me hulumtues turq nga universitetet më të mira të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Harvard dhe të bëj konsultime frytdhënëse dhe të gjata me ta në lidhje me Këshillin e Arsimit të Lartë të Turqisë “YOK” dhe sistemin tonë universitar.

Në programin e kësaj jave dëshiroj të qëndroj mbi emigrimin e Ballkanit, pasi sa herë që shkoj në ndonjë vend të Ballkanit gjithmonë vjen në rend të ditës në mënyrë të dhimbshme kjo temë. Kjo histori e hidhur, që zgjat nga periudha e fundit osmane, del përpara çdo vizitori që shkon në Ballkan.

Historia e shkurtër e emigrimeve të Ballkanit ose emri i vërtetë i gjenocidit…

Burimet tregojnë se duke filluar që nga shekulli i 18-të, miliona myslimanë dhe turq janë përballë me gjenocid, janë vrarë ose janë syrgjynosur. Ndërkohë që Shteti Osman tërhiqej dhe më pas shpërbëhej, myslimanët dhe turqit në hapësirën gjeografike të Ballkanit u përballën me një fat edhe më të dhimbshëm.

Shprehja gjenocid është përdorur për herë të parë përpara Luftës II Botërore për mizorinë, masakrat masive dhe torturat e Gjermanisë ndaj hebrenjve. Edhe mizoritë e bëra ndaj njerëzve tanë në Ballkan, edhe dhimbja e tyre është aq e madhe saqë nuk mund të krahasohet me mizoritë në Gjermani. Jo vetëm në botë, por edhe në Turqi, shumë pak njerëz e dinë dimensionin e këtyre mizorive dhe gjenocidit.

Ato që kanë ndodhur në Ballkan që prej shekullit të 17-të, dhimbja, vuajtjet dhe emigrimet në shekujt e 19-të dhe 20-të, nuk janë kthyer në asnjë film me oskar, që mund tu shpjegohen brezave të ardhshëm dhe botës. Domethënë që mënyra e kombit tonë është që të mos ngrejë në këmbë botën me britma dhe të mos përfitojë vazhdimisht nga vuajtjet e jetuara. Pra e vazhdon rrugën duke mbyllur në shpirt dhimbjen, sado e madhe që është ajo. Po kombi ynë, edhe pse nuk e ka kthyer në film ose dokumentar, këtë mungesë, ashtu siç shpeshherë e mbyll me memorien e thellë dhe shpirtgjerësinë.

Me vajet, elegjitë anonime dhe marshet, në mënyrë më efikase sesa filmat me oscar, i përcjell brezave të ardhshëm dhimbjen pa prodhuar urrejtje. Cili film mund të jetë aq ndikues që të na preki në shpirt si elegjia për Çanakkalenë, Jemenin, ose marshi i Plevnes (Pleven)? Emigrimi i detyrueshëm me qëllime politike për fakt të keq nuk është një faktor i mbetur në të shkuarën. Edhe sot e kësaj dite jetojmë gjendje të ngjashme në shumë hapësira gjeografike, që i interesojnë turqve dhe myslimanëve. Problemet me të cilat dje u përballën turqit e Bullgarisë dhe sot përballet Krimea, Karabaku Malor, turqit ujgurë, problemet me të cilat përballen myslimanët në Mianmar, Siri e sigurisht në Palestinë, nuk kanë shumë ndryshim nga problemet me të cilat përballen turqit e Ballkanit.

Ballkani i zbrazur…

Në çdo vizitë timen në Ballkan, një pjesë e rëndësishme e bisedimeve ka të bëjë me emigrimin drejt Turqisë. Kjo ka vazhduar edhe gjatë periudhës së Republikës. Madje edhe sot vazhdon, por në një formë tjetër. Ekzistenca turke në Ballkan zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Turqia është si shpresa, ëndrra dhe e ardhmja edhe e turqve të Ballkanit, edhe myslimanëve. Pasi të jesh pakicë në një vend sjell me vete shumë vështirësi. Të vazhdosh jetesën në pakicë sjell nevojën për mbështetje të fuqishme nga jashtë dhe kjo mbështetje në shumicën e rasteve nuk është e nevojshme të jetë materiale. Në një reportazh në programin “Çeshmi Xhihan” në Radion Zëri i Turqisë të Radio Televizionit Turk, Anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, e përmbledh shumë mirë këtë situatë me fjalët: “Ne nuk duam asgjë prej Turqisë. Për sa kohë që Turqia të përparojë në rrugën e saj në mënyrë të fuqishme, neve na mjafton hija e saj”. Veçanërisht turqit e Ballkanit kërkojnë të kenë në një lloj mënyre lidhje me Turqinë. Një pjesë e tyre kërkojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në Turqi. Por për fat të keq, turqit e Ballkanit që e shohin çështjen me strategji, janë shumë të shqetësuar nga zbrazja e Ballkanit. Pasi emigrimi drejt Turqisë ose ndonjë vendi tjetër i shtyn ata ndaj një vetmie dhe paqartësie më të madhe për të ardhmen. Ashtu siç është parë shpesh në të shkuarën, emigrimi i 500 mijë personave nga një vend i Ballkanit në Turqi, nga aspekti i popullsisë së kësaj të fundit nuk ka ndonjë kuptim të madh. Por për vendin nga ku kanë emigruar këta persona, përbën 25% të popullsisë dhe lënë vetëm njerëzit tanë në atë vend. Duke qenë se kjo vihet re shumë qartë, nëse në të kaluarën, edhe pse e vështirë, turqit e Ballkanit do të kishin mundur të qëndrojnë në vendin e tyre, sot Ballkani do të kishte një pamje shumë ndryshe dhe kjo nënvizohet shpesh.

Politika e drejtë: Fuqizimi në vend…

Të shkuarën nuk mund ta kthejmë, por nuk mund të jetojmë në të kaluarën. Duke u nisur nga e shkuara mund të nxjerrim mësime për të sotmen.Është urgjente nevoja që emigrantët, muhaxhirët e Ballkanit të mbajnë gjallë kujtimet, veprat, ato që kanë lënë pas në tokat nga kanë ardhur. Detyra për të mbajtur gjallë trashëgiminë tonë në Ballkan nuk i duhet lënë vetëm institucioneve publike si Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ose Departamenti për Turqit Jashtë Shtetit dhe Komunitetet e Afrishme (YTB) apo instituteve dhe fondacioneve si Junus Emre e Maarif.

Turqit dhe myslimanët që jetojnë në Ballkan, si trashëgimtarë të të parëve të tyre, presin nga emigrantët që të kthehen, ti përshëndesin ata më shumë dhe të dëgjojnë më shumë problemet e tyre. Emigrantët e Ballkanit, në të njëjtën kohë mund të zhvillojnë më shumë marrëdhëniet e tyre të gjithanshme me fqinjët e tyre të vjetër jomyslimanë, duke lënë mënjanë dhimbjen e të shkuarës.

Në një atmosferë kur Rusia dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë një interes të madh, marrëdhëniet që do të krijojnë emigrantët e Ballkanit, që jetojnë në Turqi, do të jetë një alternativë e re për fqinjët e vjetër. Personat me origjinë ballkanase në Turqi, mund të jenë jo vetëm nga një urë lidhjeje e Turqisë me vendet e Ballkanit por edhe një urë ndërmjet Ballkanit dhe botës.

Sigurisht që kur flasim për emigrimin, ka shumë kapituj. Disa prej këtyre kapitujve janë; ata që kanë emigruar në Perëndim, me në krye Evropën, për qëllime ekonomike; pakicat me origjinë turke duke filluar nga Krimea, Kaukazi, turqit nga Ahiska dhe ujgurët, të cilët përpiqen të emigrojnë në Turqi për shkak të vështirësive me të cilat përballen… Këto janë çështje të ndara dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Në lidhje me temën se çfarë strategjie duhet të ndjekim për emigrimin e komuniteteve turke jashtë shtetit, do të flasim në programin e ardhshëm./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne