EMRI/ Anëtari i KLP nis “betejën” e dytë me vetingun, ja për çfarë dyshohet

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Dollapaj, nisi “betejën” e dytë me procesin e vetingut.

Kështu, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi shqyrtimin e ankimimit të Komisionerit Publik për konfirmimin në detyrë të prokurorit. Dollapaj kaloi vetingun në Shkallën e Parë, vendim i ankimuar disa muaj më vonë nga KP, që pretendon se duhet një hetim më i thelluar në lidhje me pasurinë e prokurorit, në mënyrë që të plotësojë kushtet për të qenë i besueshëm. Arben Dollapaj është anëtari i tretë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ i krijuar në funksion të Reformës në Drejtësi, që është ankimuar.

Dy kolegët e tij nuk ia dolën të kalonin në shkallën e dytë dhe janë shkarkuar.

Në seancën e djeshme, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeljen e hetimit dhe marrjen e provave të reja, lidhur me krijimin e dy pasurive të paluajtshme, që janë referuar edhe në denoncimet nga publiku, të depozituara në Institucionin e Komisionerëve Publikë. Më tej, KP kërkoi që personi i lidhur që duhet të hetohet të konsiderohen edhe të tjerë.

“Në detajim të kërkesës për hetim të plotë të shkaqeve të paraqitura në ankim, Komisioneri Publik kërkoi, ndër të tjera, edhe zgjerimin e rrethit të personave, të cilët duhet t’i nënshtrohen statusit ligjor, si persona të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit dhe për njërin prej tyre kërkoi të hetohet edhe për konflikt të mundshëm interesi”, njoftoi dje IKP.

Anëtari i KLP u paraqit me avokat dje para trupës gjykuese dhe parashtroi kundërshtimet e tij për ankimin e komisionerëve, duke kërkuar nga trupi gjykues edhe çeljen e hetimit me qëllim administrimin e provave të reja në funksion të procesit.

Pas përfundimit të parashtrimeve, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 16.12.2019, ora 10:00, me qëllim që provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit t’i njoftohen në rrugë procedurale Komisionerit Publik, për të pasur mundësinë për t’u shprehur për vlerën e tyre në funksion të hetimit të mëtejshëm të çështjes.

ANKIMI

Komisioneri Publik tha dje se kërkon hapjen e hetimit për pasurinë e paluajtshme të llojit “shtëpi banimi” në Tropojë dhe pasuri e paluajtshme e llojit “shtëpi banimi” me vendndodhje në Tiranë.

“Ky ankim bazohet, përveç të tjerave, edhe në denoncimet e publikut lidhur me këto dy pasuri të dërguara në datat 16.8.2018, 30.8.2018 dhe 5.11.2018, pas dhënies së vendimit të konfirmimit në detyrë nga ana e Komisionit dhe të administruara në institucionin e Komisionerëve Publikë.

Pas verifikimeve të informacioneve që përmbanin këto denoncime, nëpërmjet burimeve të hapura të informacionit dhe akteve në dosje, rezulton i nevojshëm një hetim i mëtejshëm”, tha Komisioneri.

KP ngre dyshime edhe për dhuratat dhe një pjesë të likuiditeteve të Dollapajt dhe kërkon hetim të mëtejshëm. “Komisioneri Publik vlerëson se shumat e deklaruara si dhurata nga subjekti në total janë në shumën 10.900 USD dhe 200 euro dhe ndryshe nga Komisioni, që këto vlera monetare i ka konsideruar të ardhura të ligjshme dhe i ka përfshirë në analizën financiare, në gjendjen që janë aktet, nuk mund të konsiderohen si të ardhura të ligjshme”, tha KP.

Ky i fundit më tej tha se nga verifikimi i pasqyrave të lëvizjeve bankare janë konstatuar se për periudhën 2007- 2016, Dollapaj dhe bashkëshortja kanë disa llogari bankare, të cilat nuk janë deklaruar në deklaratat vjetore.

Sipas tij, ata kanë pasur detyrimin ligjor të deklaronin llogaritë bankare./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne