Erdoğan dhe Putin diskutojnë për zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë

Presidenti Erdoğan ka thënë se është e rëndësishme të zhvillohet hetim gjithëpërfshirës për shpërthimin në digën Kakhovka në mënyrë që të mos lihet vend për dyshim

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Kryesia e komunikimeve të Presidencës thuhet se në bisedë u diskutuan zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë.

Gjatë bisedës presidenti Erdoğan ka thënë se është e rëndësishme të zhvillohet hetim gjithëpërfshirës për shpërthimin në digën Kakhovka në mënyrë që të mos lihet vend për dyshim.

“Në këtë drejtim me pjesëmarrjen e ekspertëve rusë dhe ukrainas, të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Türkiye-n, mund të formohet një komision”, deklaroi Erdoğan duke shtuar se Türkiye është e gatshme të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.

Erdoğan ka nënvizuar rëndësinë që e gjithë bota i kushton vazhdimit të Marrëveshjes së Drithit dhe se marrëveshja që kanë arritur me përpjekje të përbashkëta luan rol jetik për të parandaluar krizën globale të ushqimit.

Ai ka vënë në dukje se sheh dobi në vazhdimin e konsultimeve të zhvilluara me OKB-në për heqjen e pengesave për eksportin e drithit dhe plehut rus.

“Türkiye është e vendosur të vazhdojë të tregojë përpjekjen e nevojshme për ndërtimin e një paqeje të drejtë”, potencoi Erdoğan duke thënë se janë të gatshëm të ofrojnë me sinqeritet çdo mbështetje të nevojshme për përfundimin e konflikteve. (A.A)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne