Erdogan dhe Putin diskutuan rreth Malësisë së Karabakut

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin, ku u diskutuan çështje rajonale, me theks të veçantë në Malësinë e Karabakut.

Në deklaratën nga Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë thuhet se presidentët Erdoğan dhe Putin, përpos rajonit të Azerbajxhanit, diskutuan edhe marrëdhëniet turko-ruse dhe zhvillimet tjera rajonale.

Erdoğan-i i tha Putinit se Armenia duhet të tërhiqet nga tokat azerbajxhanase që ka pushtuar, duke vënë në dukje se kundër-operacionet e vazhdueshme të Azerbajxhanit përballë sulmeve armene po kryhen brenda tokave të veta.

Gjatë telefonatës, presidenti turk theksoi më tej se Armenia duhet të bindet dhe të ketë mendje të shëndoshë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

Ai theksoi se përfundimi i konfliktit të vazhdueshëm me një zgjidhje të përhershme dhe stabilizimi i rajonit është i një rëndësie thelbësore.

Më herët gjatë ditës, gjatë një kongresi provincial të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoğan tha se ka marrë lajme pozitive nga presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev për përparimin e forcave azerbajxhanase në konflikt.

Erdoğan tha se po afrohet fitorja në Malësinë e Karabakut, ku azerbajxhanasit që shënojnë suksese të shumta në çlirimin e territoreve të okupuara nga Armenia.

Menjëherë pas bisedës telefonike të Erdoğan-it me Putinin, bisedë telefonike zhvilloi edhe ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu me homologun e tij rus Sergey Lavrov.

Burime diplomatike thanë se dy diplomatët diskutuan gjithashtu çështjen e Malësisë së Karabakut.

Turqia ka mbështetur prej kohësh pretendimet e ligjshme territoriale të Azerbajxhanit fqinj në Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabak, një rajon i Kaukazit i okupuar ilegalisht nga Armenia për gati tre dekada.

Që kur shpërthyen konfliktet e reja më 27 shtator, Armenia ka sulmuar vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur tre armëpushime humanitare.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut dhe zonat përreth, të cilat së bashku përbëjnë rreth 20 për qind të territorit të Azerbajxhanit.

Ndërsa fuqitë botërore kanë bërë thirrje për armëpushim të qëndrueshëm, Turqia ka mbështetur të drejtën e Bakut për vetëmbrojtje duke kërkuar tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.

Rezoluta të shumta të OKB-së kërkojnë gjithashtu tërheqjen e forcave okupuese./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne