Erdogan: Nuk kthehemi nga vendimi për të blerë raketat ruse S-400

Duke folur për diskutimet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) lidhur me sistemet e mbrojtjes ajrore që (Turqia) do të blejë nga Rusia, Presidenti Erdoan tha se çështja kryesore këtu është siguria e Turqisë. Ne nuk do të bëjmë lëshime nga çështja e sigurisë,- shtoi ai,- duke iu referuar pranisë së regjimit të Beshar Esadit dhe organizatës separatiste terroriste YPG/PKK në veri të Sirisë.

Na duhet të garantojmë sigurinë e Turqisë,- theksoi kreu i shtetit turk dhe e vijoi kështu vlerësimin e tij: “Në të kaluarën ne i kemi kërkuar ShBA-së të blejmë nga ata sistemet e mbrojtjes ajrore ‘Patriot’, por amerikanët nuk na i dhanë. Kështu që ne filluam përgatitjet e nevojshme në këtë drejtim. Rusia shfaqi ndaj nesh një qëndrim pozitiv. Edhe ne ndërmorëm hapat tona duke vepruar me vendosmëri në këtë drejtim”.

Erdoani deklaroi se Rusia ka shfaqur një qasje shumë pozitive për çështje të tilla si: norma e interesit, kredidhënia dhe bashkëprodhimi.

“Prandaj, ne kemi ndërmarrë hapa për të blerë nga Rusia sistemet S-400. Sistemin e parë rusët do ta dorëzojnë në muajin korrik, më shpejt sesa afati i vendosur. Për ne kjo çështje është mbyllur dhe nuk do të tërhiqemi. Kriteret tona të ndryshme që kanë të bëjnë me prodhimin e përbashkët, transferimin e teknologjisë dhe koston e projektit, ne i kemi bërë publike disa herë”, përfundoi Erdoan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne