Shqiperia

Falenderimet e Bashës një ditë pas protestës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një deklaratë për shtyp jashtë selisë blu falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në protestë ditën e djeshme.

Sipas Bashës, qeveria Rama është një e keqe që nuk duhet pranuar por iu duhet ngritur kundër me çdo kusht.

Kryedemokrati u shpreh se opozita do të vazhdojë luftën e saj për krijimin e një qeveria antimafia, që sipas tij, do të shkëpusë lidhjet e politikës me krimin.

“Falenderoj qindra mijëra vetë që morën pjesë në protestë. Mos ta pranojnë këtë të keqe, por të ngrihen kundër saj. Të krijojmë një qeveri antimafia që shkëput lidhjen e politikës me krimin, dhe të bëjmë reformën zgjedhore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.

Dita e djeshme ishte betejë madhështore e fituar nga shqiptarët e ngritur për të refuzuar qeverinë e bandave dhe krimit. Fitorja e kësaj beteje është ogur i mirë për luftën e përditshme të opozitës.

Ne do ta vazhdojmë këtë luftë me të gjitha format në çdo hapësirë, në rrugë e sheshe bashkë me qytetarët, pa të cilët nuk mund të ketë Shqipëri europiane.

Shqiptarët dhanë një mesazh revolte, refuzimi, mospranimi me qeverinë e krimit, por dhe një mesazh shprese se Shqipëria mund,duhet dhe do të bëhet një vend europian me drejtësi të barabartë për të gjithë, që i shërben njerëzve dhe jo oligarkëve të krimit.

Opozita do të vazhdojë angazhimin deri në realizimin e këtij qëllimi afatshkurtër që është qeveria antimafia dhe reformën zgjedhore.

Ju falënderoj të gjithëve që me bashkimin tuaj dje hapët një horizont shprese,” – tha Basha.