Fëmijët palestinezë në Rripin e bllokuar të Gazës i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’u sigurojë atyre të drejta të njëjtat për jetën si fëmijëve të tjerë në botë.
Fëmijët palestinezë morën pjesë në një tubim përpara selisë së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Gaza me ftesë të Rrjetit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Fëmijët kërkuan të drejtat e tyre elementare që po shkelen gjatë rrethimit 17-vjeçar të Izraelit.
Ndërkohë, fëmijët e mbledhur mbanin pankarta me mbishkrimet “Ne kemi të drejtë të jetojmë si fëmijët e tjerë në botë” dhe “Fëmijëve të uritur në Gaza u mohohen të drejtat më elementare të njeriut”.
Fëmijët palestinezë i përcollën edhe një mesazh administratës së UNICEF-it për nevojën për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve në Gaza.
Vajza e vogël Yara ez-Zeharine bëri thirrje që të mbrohen të drejtat e fëmijëve dhe banorëve të tjerë të Gazës.
Ajo kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin për të liruar fëmijët që po mbahen në burgjet izraelite.
“Ne fëmijët ndihemi sikur jemi në një burg të madh në Gaza. Na mohohet e drejta për një jetë të sigurt, liri të lëvizjes dhe udhëtimit”, tha kjo vogëlushe.
Një tjetër protestuese, Mera Musteh u bëri thirrje të gjitha vendeve për ndihmë.
“Na shpëtoni nga luftërat dhe konfliktet në të cilat jetojmë vazhdimisht. Duam të jetojmë një jetë larg luftës dhe konflikteve, si fëmijët e tjerë në botë”, tha ajo.
Sipas Shoqatës së të Burgosurve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), aktualisht ndodhen rreth 5.200 të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, duke përfshirë 38 gra dhe 170 fëmijë./AA