“Administrata Trump është në negociata me qeverinë shqiptare për të pranuar në Shqipëri 100 mijë refugjatë nga Rripi i Gazës.” Ky ishte pretendimi që ngriti gazetari izraelit, Amit Segal, por që kryeministri Edi Rama e mohon plotësisht.
“Administrata Trump është në negociata me qeverinë shqiptare për të pranuar në Shqipëri 100 mijë refugjatë nga Rripi i Gazës.” Ky ishte pretendimi që ngriti gazetari dhe analisti politik izraelit i medias “Channel 12”, Amit Segal.
“Stacioni i radhës – Shqipëria? Administrata Trump është në bisedime me qeverinë në Tiranë për migrimin e deri në 100,000 banorëve të Gazës drejt vendit.
Burimet izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë të strehojnë refugjatë dhe pretendojnë se opsione si Shqipëria dhe Indonezia janë më të realizueshme”,- shkruan gazetari izraelit në rrjetin social “X”.
Ky pretendim është hedhur poshtë kategorikisht nga kryeministri Edi Rama, po ashtu përmes një postimi në rrjetin social “X”. Ai nënvizon se Tiranës zyrtare nuk i është kërkuar kjo gjë nga askush dhe se vendi nuk mund të marrë përsipër një përgjegjësi të tillë.
“Nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme për një kohë të gjatë—dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Kjo është plotësisht e pavërtetë.
Respekt dhe solidaritet të plotë për popullin e Gazës, i cili është dehumanizuar nga regjimi barbar i Hamasit dhe ka kaluar një luftë ferri pas horrorit mesjetar të 7 tetorit. Por le të jem i qartë: Shqipëria nuk është pyetur nga askush, dhe as mund të mendojmë për të marrë një përgjegjësi të tillë.
Ne jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur që shumë kohë më parë.
Por Shqipëria nuk ndodhet në Lindjen e Mesme, dhe nga zemra e Europës, nuk mund të bëjmë më shumë se çdo shtet tjetër europian për këtë çështje. Megjithatë, dëshirojmë dhe lutemi që populli palestinez të ketë mundësinë të jetojë në shtetin e tij, si njerëz të lirë nën sundimin demokratik, dhe që Hamas-i të mos mund të dëmtojë më Izraelin—apo, mbi të gjitha, palestinezët vetë”,- shkruan Rama.