Forcat izraelite arrestojnë 20 palestinezë, përfshirë edhe 4 fëmijë

Ushtarët izraelitë kanë arrestuar 20 palestinezë nga të cilët 4 fëmijë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, forcat izraelite kanë zhvilluar bastisje gjatë orëve të natës në kampin e refugjatëve Al-Arub në qytetin El-Halil në jug të Bregut Perëndimor.

Gjatë bastisjeve janë arrestuar 14 palestinezë, nga të cilët 4 fëmijë nën 18-vjeç nga forcat izraelite.

Ndërkohë forcat izraelite kanë arrestuar edhe gjashtë palestinezë të tjerë në rajonet tjera të Bregut Perëndimor.

Forcat izraelite rregullisht kryejnë bastisje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.

Pas arrestimeve, të cilat janë bërë të përditshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen me ditë të tëra nëpër qendra burgimi.

Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen mbi 5.000 palestinezë, përfshirë 220 fëmijë dhe 500 të mbajtur nën masën e ashtuquajtur “burgim administrativ”.

Përmes “burgimit administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në 5 vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne