Fragmentimi mendor dhe shpirtëror i botës myslimane

Ibrahim Kalin*

 

Bota myslimane vuan nga përçarja, varfëria dhe keqqeverisja. Fragmentimi politik është rrënjosur thellë në atë që dijetarët klasikë e quajnë “Dar al-Islam”, vendi i paqes. Luftërat civile, konfliktet sektare dhe fisnore, pushtimet, ndërhyrjet ushtarake, shtetet e dështuara dhe qeveritë e dobëta shpenzojnë pa hesap duke çuar dëm burimet natyrore dhe njerëzore të vendeve myslimane. Ajo që është më alarmuese sesa ndarja dhe përçarja politike, megjithatë, është fragmentimi mendor dhe shpirtëror që po gëlltit botën myslimane sot.

Perandoritë, shtetet dhe emiratet myslimane kanë luajtur pjesën e tyre të dallimeve politike dhe rivaliteteve për pushtet. Por imagjinata sociale, e cila bashkoi komunitetet myslimane nga Ballkani dhe Afrika deri në Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore, ka qëndruar gjithmonë e fortë. Ndarja e të njëjtit mendimi intelektual dhe shpirtëror ishte forca më e madhe e ymetit. Ajo çfarë bashkoi botën myslimane mendërisht dhe shpirtërisht i kishte kapërcyer dallimet politike, etnike dhe sektare. Bota myslimane duhet të rikthejë domosdoshmërish këtë frymë sot.

Këndvështrimi intelektual dhe imagjinata sociale e shoqërive tradicionale myslimane qenë rrënjosur në unitetin, drejtësinë dhe virtytin hyjnor. Qe bazuar gjithashtu në dashurinë hyjnore dhe dashurinë për njëri-tjetrin, sepse Zoti është pafundësisht i mëshirshëm dhe falës. Qeniet njerëzore duhet ta duan Perëndinë, botën natyrore dhe njerëzit e tjerë si pjesë e besimit të tyre. Bota u është dhënë qenieve njerëzore si “amanet” (në mirëbesim) dhe pritet që ato të kujdesen për të. Ky botëkuptim mbronte gjithashtu rastësinë dhe përkohësinë e botës. Kjo “botë”, në të cilën jetojmë, nuk ekziston vetiu; ajo nuk është një materie/krijesë e vetëmjaftueshme. Ajo ekziston për t’i shërbyer një qëllimi dhe për të lejuar qeniet e fundme njerëzore të vendosin besimin, drejtësinë dhe virtytin në këtë botë. Vetëm veprat tona të mira mund ta matin njerëzimin/humanizmin tonë.

Ky botëkuptim i veçantë dhe kuptimi i tij për qeniet njerëzore depërtuan në të gjitha veprimet njerëzore në botën myslimane. Nga një fshatar dhe këpucar i thjeshtë e deri tek arkitektë, dijetarë, tregtarë dhe burrështetas të mëdhenj, të gjithë thithën ajrin intelektual dhe shpirtëror të një realiteti mbi nivelin e përvojës normale ose të thjeshtë fizike të njeriut, e cila shkoi përtej sfidave dhe vështirësive të kësaj bote. Ushtritë, luftërat dhe perandoritë erdhën e shkuan, por struktura morale e shoqërive myslimane u ruajt.

Nuk është rastësi që bota myslimane prodhoi disa prej veprave të saj më të mëdha të shkencës, artit dhe erudicionit gjatë dhe pas dy mësymjeve kryesore në tokat e saj; domethënë kryqëzatat dhe pushtimet mongole. Kryqtarët e morën Jerusalemin në vitin 1099 dhe e gjakosën Tokën e Shenjtë si kurrë më parë. Mongolët shkatërruan gjithçka u doli përpara dhe më në fund, në vitin 1258, dërrmuan Kalifatin Abasid dikur të fuqishëm, me rrugët e Bagdadit që u ngjyrosën për ditë të tëra me të kuqe gjaku. Luftërat politike ndërmjet myslimanëve vazhduan gati pa ndërprerje në shekujt XII, XIII dhe më pas. Por asnjë nga këto nuk e pengoi shfaqjen dhe lulëzimin e një liste të gjatë fanarësh (ndriçues) myslimanë në çdo fushë të shkencave intelektuale dhe shpirtërore. Imam Ghazali, Fahr al-Din al-Razi, Al-Suyuti, Ibn Sina, Ibn Rushd, Ibn Hazm, Ibn Tufayl, Ibn Bajjah, Mawlana Jalal al-Din Rumi, Ibn al-Arabi, Suhrawardi, Al-Biruni, Nasir al-Din al-Tusi, Ibn Khaldun dhe shumë të tjerë ndërtuan një qytetërim universal pavarësisht turbulencave politike dhe ushtarake që i rrethuan ata.

Konfliktet politike dhe konfrontimet ushtarake me përmasa të mëdha kanë pasur një kosto jo vetëm në jetën e njerëzve të zakonshëm, por edhe në atë të komuniteteve akademike e artistike. Por kjo nuk ishte kurrë një justifikim për të shfajësuar përtacinë intelektuale dhe konformizmin moral. Përkundrazi, udhëheqësit intelektualë dhe shpirtërorë të ymetit i shndërruan krizat në mundësi për të qenë më krijues, më elastikë dhe më të përgjegjshëm. Ata nuk pritën që krizat politike dhe ushtarake të zgjidheshin për të prodhuar veprat e tyre. Përkundrazi, janë elasticiteti dhe vazhdimësia e veprave të tyre të qëndrueshme ato që ndihmuan në zbutjen e konflikteve politike në terma kohorë afatgjatë.

Është e vërtetë se filozofët, eruditët dhe artistët myslimanë kanë pasur pikëpamjet e tyre të veçanta dhe dallime e mosmarrëveshje të shëndetshme. Por ata ndanë një pikëpamje intelektuale dhe imagjinatë shoqërore, e cila mbështeti një traditë dijetare dhe artistike për shekuj me radhë. Ata vepruan në një mjedis konceptual, i cili ruante parimin “unitet në shumëllojshmëri” (al-wahdah fi’l-kathrah). Ata ishin të mendimit se uniteti nuk është njëtrajtshmëri (uniformitet) dhe shumëllojshmëria (diversiteti) nuk është kaos.

Uniteti dhe integriteti i këtij mendimi intelektual dhe shpirtëror është humbur në botën myslimane të sotme. Inteligjenca myslimane nuk është e rrënjosur thellë në traditën e vet dhe as ndihet rehat me botëkuptimin e ri të modernizmit laik. Ajo është e copëtuar midis një të kaluare të lavdishme, një të sotmeje plot konflikte dhe një të ardhmeje të paqartë. Në mënyrë paradoksale dhe gjithashtu tragjikisht, identitetet kombëtare, kulturore dhe sektare ngjyrojnë perspektivat dhe përgjigjet tona sot në botën e globalizimit dhe e ndërvarësisë në rritje. Rezultati është një fragmentim mendor dhe shpirtëror, i cili vjen me një çmim të lartë: Ai thellon dallimet dhe ndarjet ekzistuese, krijon tjetërsim të mëtejshëm dhe çon në konflikte të pafundme.

Bota myslimane duhet të shërohet nga gjendja e saj e varfërimit dhe të rindërtojë habitatin e saj intelektual e moral. Ajo duhet t’i afrohet botës me perspektivën e një horizonti të hapur duke u kapur fort pas traditave dhe rrënjëve të veta. Përçarja politike mund të mposhtet vetëm kur një tërësi parimesh të përbashkëta të rifitohet për të kuptuar botën, në të cilën jetojmë./ trt

*Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne