Fshehu dënimin me burg, Selami Jenisheri rrezikon mandatin e deputetit

Kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenisheri rrezikon mandatin e deputetit, vetëm pak ditë pasi u betua në Kuvend.

Ai vjen nga lista e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës dhe kur i erdhi thirrja nga KQZ, ai dorëzoi formularin e dekriminalizimit dhe këtë të enjte mori mandatin. Por News 24 ka zbuluar se Selami Jenisheri rrezikon ta humbë sërish mandatin pasi ka gënjyer në deklarimet e bëra në formularin e dekriminalizimit. Ai është dënuar me 8 muaj burg nga gjykata e Shkodrës në vitin 2001 për akuzën e mashtrim, vendim të cilin e ka apeluar në gjykatën e lartë dhe kjo e fundit ka lënë në fuqi dënimin.

Megjithëse ka një vendim të formës së prerë, në formularin e dekriminalizimit, Jenisheri thotë se nuk ka qenë në asnjë rast i dënuar si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tashmë topi i kalon seksionit të dekriminalizimit në prokurorinë e përgjithshme dhe më pas komisionit qendror të zgjedhjeve. Kreu i partisë së pensionistëve shqiptarë, Selami Jenisheri me shumë mundësi do të jetë deputeti që qëndroi më pak në sallën e parlamentit./LAPSI

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne