Fundi i “Botës së Bardhë” dhe raportet e shqiptarëve me Turqinë

Tërmetin që e shkaktoi Trump-i në Samitin e NATO-s me 11-12 korrik dhe pas takimit me Putinin më 16 korrik 2018, sikur e faktorizon Turqinë. Flitet se në takimin kokë më kokë Trump-Putin, është fol për shumëçka, duke filluar prej Sirisë, kthimin e refugjatëve dhe rindërtimin e këtij vendi, zgjerimin e NATO-s, bile edhe për këtë regjion. Nga ato pak informata, që dalin në këtë rireshtim të ri, pritet që Turqia të ketë një pozicion serioz

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Që të mund të bëjmë një shqyrtim të raporteve shqiptaro turke, në kontekstin aktual, dhe të mundohemi të japim një parashikim futuristik shkurtimisht duhet të bëjmë një lëvizje në kohë. Kur lindi termi “raporte”, si janë trajtuar ato, cilat rrethana kanë ndikuar në krijimin e këtyre raporteve, pastaj të mundohemi t’i vlerësojmë si janë dhe si mund të jenë në të ardhmen. Pikësëpari termi “raport” ka të bëjë me relacionet ndërmjet dy subjekteve, sa objektive, aq të sajuara. Pastaj raportet politike nuk janë diçka statike, të pandryshueshme, një herë e përgjithmonë të dhëna, por janë dinamike, të ndryshueshme: varësisht prej kontekstit historik dhe rrethanave objektive, ato transformohen nga të mira, më pak të mira në të këqija, dhe e kundërta. Raportet shqiptaro turke në të gjitha shkrimet e gjertanishme janë trajtuar në frymën e një bindjeje dominuese, që ka mbretëruar gjatë epokës se “Botës së Bardhë” ndaj “botës tjetër”. Kjo epokë filloi në shekullin XV me zbulimin e Amerikës në vitin 1492, që njihet edhe si fillimi i Globalizmit të Parë, më saktësisht viti 1453, me rënien e Konstatinopojës nën Perandorinë Osmane. Arsyeja është e thjeshtë: koloni njerëzish të ditur u zhvendosën nga Konstatinopoja për t’u shpërndarë nëpër Evropë dhe, bashkë me të, e shpërndanë edhe dijen dhe njohuritë e tyre shkencore e filozofike, që i kishin akumuluar në këtë qendër. Këtë ndarje në “Botën e Bardhë”, Perëndimi, Krishterimi, të ndriturit dhe të tjerët, të pailuminuarit dhe inferiorët që i përmblodhëm me termin “bota tjetër”, orientalistët ose eurocentrikët e zhvendosin ndërmjet viteve 1700 dhe 1850. Kjo botë “tjetër” është më e madhe, por për ne shqiptarët është ajo që e quajmë Lindje, që identifikohet me Perandorinë Osmane. Në kontekst më të gjerë këtë raporte në fillim janë si me vende ekzoterikë, që më vonë do të cilësohen si raporte me të prapambeturit, të pacivilizuarit, që në fund – me kolonializmin – të shihen si raporte me barbarë dhe të egër. Duke e marrë për fajtore për ngecjen në zhvillim Turqinë Osmane, historiografia shqiptarë këto raporte prej atij momenti do t’i paraqesë si negative, në mos armiqësore.

Epërsia tekniko teknologjike, që do të krijojë “Bota e Bardhë” përkundër “botës tjetër”, krijoi bindjen sikur kjo racë është e parapërcaktuar të dominojë me njerëzimin, se vetëm këta kanë kapacitete të bëjnë gjykime racionale, të filozofojnë dhe e kanë mision që botën tjetër ta nxjerrin nga terri në dritë. Bindja e krijuar sa kishte argumentime në fuqinë ushtarake dhe tekniko-teknologjike, të cilën e posedonte, aq ishte në funksion të propagandës për ta arsyetuar kolonializmin dhe ishte larg një gjykimi që e sheh dhe studion përparimin në të gjitha dimensionet e saja. Me këtë bindje ata sikur e rrënonin teorinë e Ibn Haldunit, i cili i trajton civilizimet si një organizëm që lind, zhvillohet, rritet, arrin kulmin, e pastaj fillon me rënien deri në zhbërje. Ai mësonte se qytetërimet paraqiten në formë ciklike, ku njëri e zëvendëson tjetrin, por e përbashkëta është se të gjithë fillojnë si barbarë, pastaj të udhëhequr nga një ideal ose iluzion, pushtojnë qytetet, për të kaluar në një shoqëri sendentare, që të përfundojë si një civilizim. “Bota e Bardhë”, si edhe disa të tjera para saj, e shpallin veten për të pavdekshme, ngase me të kemi mbaruar me historinë. Prej këtij momenti si vlerë “kulmore” e liberalizmit u shpik termin “raporte tolerante”, që nuk janë vetëm një shtyllë e civilizimit perëndimor, por aq më tepër dëshmi e superioritetit të saj karshi të tjerëve.

Gjërat, megjithatë, nuk shkojnë në atë drejtim. Ata që pak më me kujdes i studiojnë ciklet e zhvillimit njerëzorë, ndajnë mendimin se bota e njeriut të bardhë ose civilizimi perëndimor, pikun e ka arritur në kohën e revolucionit industrial diku në shekullin XIX dhe prej atëherë ka filluar rënia. Në shekullin e ri kjo rënie sikur ka marrë një nxitim të pandalshëm teposhtë. Të gjitha të dhënat dhe parashikimet e institucioneve relevante, si PwCe Londrës, tregojnë se gjysma e këtij shekulli dhe më pas do t’i takojë një bote tjetër, që fillon në Lindjen e Largët, por që efektet e saj do t’i ndjejmë nëpërmjet e Afrikës dhe Lindjes së Afërme: njëra, Lindja e Largët, me ndikimin ekonomik dhe tekniko-teknologjik, kurse tjetra me atë demografik.

Nëse është kështu, pyetja është se çka bëjmë me këtë bindje të krijuar? Si ta ndryshojmë atë dhe si ta kuptojmë realitetin. Me këtë tregim të superioritetit nuk ishin të mpirë vetëm perëndimorët, bartësit e këtij zhvillimi, por shumë më tepër entuziastët, ata që kishin mundësi ta shihnin këtë begati, por të mos mund ta shijonin. Të tillë janë shqiptarët, që çdo asocim për një lidhje të mundshme me “botën tjetër” e urrejnë, refuzojnë, dhe janë në ikje permanente prej saj. Në rastin e shqiptarëve, “bota tjetër” identifikohet me Turqinë si trashëgimtare e Perandorisë Osmane, nën të cilën ata kanë jetuar në kohën e zhvillimit maksimal të Perëndimit. Por, sot kemi një realitet të rinj, por jo edhe një bindje të re. Cili është realiteti? Ndërkaq realiteti është se “Bota e Bardhë”, sado e gjithëfuqishme dhe dominuese të duket, në shikim të parë, çdo ditë e më tepër i nxjerrë në pah dobësitë, pafuqinë dhe konfuzionin në rrethanat e reja. Një burokraci e organizatave ndërkombëtare, me të cilët Perëndimi dominon botën, janë rritur pa masë dhe e kanë humbur dinamikën dhe efikasitetin e veprimit. Të papërgatitur për të sunduar me një realitet të ri, bën çmos që ta ruajë status-quo-në dhe ushtron presion mbi forcat kreative politike që duan ta sfidojnë këtë situatë.

Sinonim i një destrojeri, prishësi, të status quo-së politike sot është Donald Trump. Ai duket se paratë e tjerëve e pa se një gjendje e tillë është e paqëndrueshme. Për ta ndryshuar këtë, në kampanjën parazgjedhore doli me program politik si vijon:“Amerika në vend të parë”, se nuk do të bëj koalicione mbi “ vlera të përbashkëta”, por mbi“interesa të përbashkëta”. Ai do t’i prishë të gjitha marrëveshjet multilaterale, duke filluar me Kinën, Iranin, Meksikën, bile së fundi i është vërsulur edhe Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Pastaj deklaroi se “do ta thajë moçalin” e burokracisë së Uashingtonit. Këtë paraqitje, opinioni publik, shkencëtarë, burrështetas e publicistë paraqitjen e tij e panë si të rrezikshme dhe incident politik, por ja që ai u bë realitet.

Tani, për këtë realitet, mendimtarët shtrojnë dilemat se a është një koncept racional i mirëmenduar ose forcat e padukshme kosmologjike jashtë fuqisë sonë të konceptimit e sollën për ta zgjuar botën e fjetur. Duket se intuita e Trump-it dhe njerëzve përreth se panë se Amerika dhe Perëndimi, sado që mund të jetojnë me ëndrrën se e dominojnë botën, e kontrollojnë ose edhe udhëheqin me të, ata gabojnë. Ai e dinte se në vitin 2000 ose, më saktë, në vitin 2001 bota ka hyrë në fazën e globalizimit të tretë, ku nuk janë faktorë dhe nxitës të ndryshimeve shtetet ose kompanitë ndërkombëtare, por individët e lidhur në mes vete për një ideal ose iluzion. Të sulmohet Pentagoni, Kullat Binjake, simboli i dominimit ushtarak e ekonomik nga disa beduinë, anonimë, pasi të jenë harxhuar trilionë dollarë për mbrojtje dhe siguri, ky është më tepër se mesazh për botën unipolare. Ta pranojë Presidenti paraprak Barack Obama se, pas konsultimit me 18 shërbime informative, zgjedhjet në Amerikë i ka ndikuar (fituar) Rusia e Putinit, që ishte nën sanksione, është më tepër se demonstrim i pafuqisë për ta mbrojtur sovranitetin shtetëror sesa atë botërorë. Të pranosh se, përderisa ju prezantoni strategjinë për zgjidhjen e krizës siriane në OKB, Rusia të ketë hyrë në Siri e ti të mos kesh dijeni për të, lë të kuptosh se diçka nuk funksionon me shërbimet informative të këtij vendi. Të merret Krimeja para hundëve të NATO-s dhe në kufij të Bashkimit Evropian, kjo pa asnjë rezistencë, është një tregues për kapacitetin e limituar të këtyre dy organizatave. Të dominojë Kina në tregun amerikan me mbi 350 miliardë suficit në kohën kur ke një marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar dhe, për më tepër, në oborr të evropianeve të vijë kryeministri kinez me një torbë me para dhe t’i joshë kryeministrat e shteteve të Evropës Qendrore, të Ballkanit Perëndimor dhe të mos kesh përgjigje, kjo kërkon një rishqyrtim serioz të organizatave që dominohen nga “Bota e Bardhë”.

Këto do të kenë qenë arsyet pse Trump-i deklaroi se Amerika do të jetë në vend të parë, që bën të kuptosh se ai më nuk ka vullnet për ta dominuar botën. Këtu bazohet angazhimi i tij për “t’i prishë” të gjitha këto organizata burokratësh, që kërkojnë ta ruajnë status quo-në, ngase nuk kanë as vizion e as që kuptojnë realitetin e ri. I vetëdijshëm për gjendjen faktike, Trump-i shkoi e ia zgjati dorën Kim-Jong-ut, Xi-Jinping-ut dhe, së fundi, Vladimir Putin-it, që lë të kuptosh se tani e tutje nuk mund të trajtohen si “bota tjetër”, por si partnerë. Për t’i zgjuar nga gjumi ëndërruesit, ai lëshoj deklarata bombastike të tipit “më i këndshëm ishte takimi me këta ‘diktatorë’ se me aleatët e mi historik ‘liberal demokrat’”. Ai i bëri një qortim publik zonjës Merkel dhe zonjës Tereza Mej dhe e detyroi Mbretëreshën Elizabeta të presë disa minuta, si duket sa për t´ia bërë me dije se ka kaluar koha për ceremoni të tilla, aq më tepër kur, paraprakisht, në Shtëpinë e Bardhë dhe tani në familjen mbretërore janë bërë anëtarë ata që dikur i takonin “botës tjetër”.

Sigurisht në këtë fotografi të madhe pyetja është se ku jemi ne, ku gjendet Turqia e sotme dhe ku pritet të jetë në të ardhmen? Turqia në gjithë këtë përrallë është në mes të “Botës së Bardhë” dhe “botës tjetër”. Ajo, realisht, kurrë nuk i ka takuar “Botës së Bardhë”, por i ka shërbyer dhe është përdorë nga ajo në 100 vitet e fundit për të vendosur një barrierë ndërmjet këtyre dy botëve. Ky shtet, për momentin, bën përpjekje të largohet nga ky pozicion dhe të gjejë vend më qendror në këtë realitet të ri. Por, nuk i shkon lehtë. Për të treguar lojalitet ndaj “Botës së Bardhë”, ajo e bëri atë që askush tjetër nuk pati guxim ta bëjë: pasi Rusia e mori Krimenë, kurse NATO, Amerika e BE-ja nuk reaguan ose nuk kërcënuan me ndonjë forcë, përveçse me ca deklarata verbale, në mos për ta ndalë ,së paku për t´ia rritur çmimin ekspansionit rus, ajo mori guximin që t´iaë rrëzoj aeroplanin gjatë operacioneve në Siri. Por, si anëtare e NATO-s, nuk mori ndonjë mbështetje konkrete. I parapriu dhe ishte bashkëveprimtare në Pranverën Arabe, veçanërisht në rrëzimin e regjimit të Asadit, por prapë mbeti e vetmuar. Obama, në vend që të vazhdojë me operacionin për rrëzimin e këtij regjimi, bëri marrëveshje për largimin e armëve kimike falë kalkulimeve të pafundta të burokracive të organizatave më prestigjioze, si NATO, BE dhe asaj amerikane. E gjendur në këtë situatë, ai shprehu revoltë dhe u detyrua të kthehet nga Rusia, bile me një përulje, por nuk ia ktheu shpinën “Botës së Bardhë”.

Pas marrëveshjes, iu vra ambasadori rus në Turqi në prezencë të kamerave televizive, që nga të dyja palët u kualifikua si përpjekje për minim të marrëveshjes ndërmjet Turqisë, Iranit dhe Rusisë. Më e keqja ishte se me 15 korrik të vitit 2016 pati një përpjekje për grushtet, për të cilin Turqia zyrtare e akuzoi organizatën FETO, por dërgoi mesazhe të qarta se pas kësaj qëndron ose, së paku, kanë qenë në dijeni disa shtete të “Botës së Bardhë”. Për të stabilizuar situatën, Turqia shpalli gjendje të jashtëzakonshme, pas së cilës pasuan burgosje të ushtarakëve, policëve, intelektualëve, burokratëve e gazetarë, për të cilën nga Perëndimi u kritikua ashpër. Pasuan pastaj shumë sulme terroriste, që ajo i vlerësonte se vijnë sa prej organizatës terroriste DAESH, aq prej PKK-së. Me gjithë këto probleme, ajo nënshkroi marrëveshje me Gjermaninë për ta ndalë fluksin e pakontrolluar të refugjatëve, që e rrezikonin stabilitetin e Evropës, ndërsa brenda territorit të saj strehoi diku 3.5 milionë refugjatë. Po ashtu ndërmori dhe vazhdon të ndërmarrë veprime ushtarake në Siri dhe Irak, me qëllim të parandalimit ose formimit të një tampon zone, për të cilën angazhohej që nga fillimi i luftës në Irak dhe Siri.

Me këtë dha prova të pakontestueshme se edhe në një regjion të tillë jostabil dhe me shumë sfida, Turqia jo që e ruajti stabilitetin, por ishte lojtar aktiv në bërjen e tij. Këto rezultate, sado që të mos u pëlqejnë, duhet të respektohen. Duket se shpërblimi erdhi. Pas fitores së pakontestueshme të Erdoganit më 24 qershor të 2018, si president i një shteti presidencial, gjërat marrin drejtim tjetër. Tërmetin që e shkaktoi Trump-i në Samitin e NATO-s me 11-12 dhe pas takimit me Putin-in me 16 korrik 2018, sikur e faktorizon Turqinë. Flitet se në takimin kokë më kokë Trump-Putin është fol për shumëçka, duke filluar prej Sirisë, për kthimin e refugjatëve dhe rindërtimin e këtij vendi, zgjerimin e NATO-s, bile edhe për këtë regjion. Nga ato pak informata që dalin në këtë rirreshtim të ri, pritet që Turqia të ketë një pozicion serioz. Fakti se Trump-i, para takimit me Putin-in, përskaj takimit që paraprakisht kishte në Samit me Erdoganin bëri edhe një dëgjim telefonik me të, flet se ky shtet bëhet pjesë e lojës së madhe. Marrëdhëniet e prishura të Turqisë me “Botën e Bardhë” kthehen në gjendje normale, që shihet nga sinjalet që dërgohen nga të dyja palët. Para disa ditëve ish sekretari i NATO-s, Havier Sollana, shkroi në Twiter se “duhet kërkuar falje Erdoganit, pasi NATO ka pas informata për grusht-shtetin dhe nuk e ka paralajmëruar” (u tha se ishte një lajmë i rremë, por dyshimet mbetën). Turqia e hoqi gjendjen e jashtëzakonshme, që u përshëndet nga shtetet perëndimore, dhe menjëherë pas këtij veprimi Turqia me Holandën, por edhe me Gjermaninë, i kthejnë raportet në gjendjen paraprake. Gazetat prestigjioze perëndimore e kanë ndërruar retorikën sa u përket organizatave FETO dhe PKK, duke tërhequr vërejtjen që të kihet kujdes me këto organizata.

Duket se kështu po futemi në periudhën pas “Botës së Bardhë”, ku Turqisë do t’i takojë pozicion i lidhjes së këtyre dy botëve në një, me çka duhet të mbaroj edhe ndarja. Për rastin tonë ky pozicion i Turqisë është i një rëndësie të veçantë, posaçërisht pas deklarimit të Trump-it se nuk do të kishte hyrë në luftë për Malin e Zi ose edhe komplimentet që ia dha kryeministrit Rama në samit, i cili thuhet se ka potencuar se pavendosmëria e BE-së lidhur me Ballkanin ka ndikuar që sot të rritet ndikimi rus në këtë regjion. Kjo e shtron pyetjen nëse, siç paralajmëruan disa media, vihet në tavolinë ridefinimi i nenit 5 të Traktatit të NATO-s ose reaktualizohet vija ndarëse e Teodosit për realitete të reja. Këto dyshime shtohen kur tanimë pothuajse haptas flitet për një koncept tjetër të zgjidhjes së paqes afatgjate në regjion. Në lojë janë ndërrime të territoreve për Kosovën, që do të vazhdojë më vonë edhe me Bosnjën, por ndoshta edhe rishqyrtim i Maqedonisë. Disa adhurues të teorive konspirative flasin për “Latininë”, që do të përbëhej nga shtetet myslimane, që përdorin shkrimin latin, ku do të kishin hyrë Turqia, Shqipëria, Kosova, Bosnja me Sanxhakun dhe, ndoshta, edhe Maqedonia. Në një kombinim eventual të tillë sigurisht se raportet e Turqisë me shqiptarët do të kishin qenë kyçe dhe vendimtare. Fundja, një miqësi serioze ekziston ndërmjet Erdoganit, Ramës, Thaçit dhe Vuçiqit, aktorëve kryesorë në këtë regjion, por edhe të një koncepti të ri për paqen në Ballkan. Për momentin duket se këto raporte janë më tepër personale, por nuk është çudi që në fund kjo të mbarojë me një propozim alternativ për regjionin. Në këso rrethana nevojë imanente është ta ndërrojmë perceptimin tek shqiptarët për “raportet” e dy botëve të ndara dhe të bëjmë përpjekje që ato t’i trajtojmë së paku në rrafsh të njëjtë. Për më tepër, Turqia dhe shqiptarët, sa për shkak të pozitës gjeostrategjike, aq edhe për specifikat multikonfesionale, duhet ta zënë pozitën në qendër, jo si ndarës, por si bashkues të këtyre “dy botëve”, për t’i shndërruar në një të vetme. Pas erës së “Botës së Bardhë”, raportet ndërmjet shqiptarëve dhe turqve, të krishterëve dhe myslimanëve, nuk duhet të jenë “tolerante”, si sinonim i një të arriture të madhe të liberalizmit, por ato duhet të shihen si marrëdhënie reciproke, të bashkëveprojnë, siç thotë prof. Simon Rabinovitch, për shkak se – siç sugjeron autori – duhet të mësohemi se ajo që e mishëron sot pjesën më të mirë të komuniteteve nuk është toleranca, por reciprociteti. Reciprociteti, sipas tij, është një filozofi, një etikë shoqërore, një psikologji ose një mënyrë për ta parë botën tjetërfare nga ajo e tolerancës. Reciprociteti duhet të kuptohet si lidhje e individëve dhe grupeve brenda një shoqërie, kurse shkëmbimi i ndërsjellë i kulturave duhet të shërbejë për ringjalljen e të gjitha shoqërive. Shqiptarët dhe shteti turk e kanë këtë shanse. A do ta shfrytëzojnë këtë, kjo pritet të shihet./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne