Gaza goditet sërish – Abbas bllokon pagesat e karburantit në Egjipt duke e lënë vendin pa energji

Furnizimet me energji elektrike kanë marrë një goditje të re në Rripin e Gazës, pasi Autoriteti Palestinez bllokoi kalimin nëpër banka të pagesave të karburantit ndaj Egjiptit, duke e lënë territorin e varfër të më shumë se dy milionë njerëzve me vetëm dy orë energji elektrike në ditë.

Autoriteti i energjisë elektrike tha se dy nga tre gjeneratorët në centralin e vetëm të Gazës ishin në linjë, sepse “Autoriteti Palestinez në Ramallah ndaloi të gjitha transaksionet financiare nëpërmjet bankave palestineze në Egjipt për të blerë lëndë djegëse”.

“Kjo çoi në ndalimin e karburantit (dërgesat) dy ditë më parë nga Egjipti”.

Një zëdhënës i qeverisë së Autoritetit Palestinez në Ramallah, Tarek Rishmaëi, tha për AFP se “arsyeja kryesore për përkeqësimin e gjendjes në Gaza është Hamasi, sepse ata refuzuan iniciativën e (presidentit palestinez) Mahmud Abbas për t’i dhënë fund ndarjes” midis fraksioneve palestineze.

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike konfirmoi se vetëm një gjenerator po funksiononte, duke prodhuar 23 megavat energji – i cili bashkë me burimet e tjera furnizon Gazën me një total prej 93 megavatësh në ditë.

Më shumë se 500 megavatë kërkohen për t’i shërbyer popullsisë së enklavës palestineze.

Abbas, i cili drejton Autoritetin Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor, kohët e fundit ka kërkuar të presionojë rivalët e tij të hershëm të Hamasit që kontrollojnë Gazën.

Qeveria e tij kohët e fundit ndërpreu pagesën për energji në Gaza, duke e bërë Izraelin të fillonte reduktimin e saj.

Si një masë e përkohshme, Egjipti filloi të furnizonte me karburant uzinën e vetme të Gazës, por tani edhe kjo është kërcënuar.

Dërgesat egjiptiane erdhën si pjesë e përmirësimit të marrëdhënieve midis Kajros dhe Hamasit.

Autoriteti i Energjisë në Gaza po paguan Egjiptin për karburant, por duhet të bëjë transferime nëpërmjet bankave palestineze, të cilat janë të bazuara në Bregun Perëndimor dhe nën ligjet e Autoritetit Palestinez. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne