Gjeneza e konfliktit ndërmusliman

“Sikur të gjitha mendjet të ishin njësoj, në treg nuk do të shitej asgjë” (Dr. Enes Kariq)

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Bota muslimane, për shumë kohë, është vatër e konflikteve ushtarake, luftërave civile, ndërhyrjeve të huaja në anën e këtij ose atij shteti, kinse për realizimin e të drejtave të njeriut, dhe shfrytëzimit të tmerrshëm të resurseve ekonomike, njerëzore e kulturore në ato vende. Sidomos konflikti në Siri, e së fundi edhe në Jemen, u shndërruan në konflikte të pastra ndërmuslimane ndërmjet sunizmit dhe shi’izmit, që kanë hapur plagë të vjetra.

Për të folur për shkaqet historike të konfliktit dhe për pasojat bashkëkohore politike, për prapavijën e këtyre konflikteve, të cilat janë reflektuar në botë, si edhe në trojet tona, kjo kërkon punë studimore shumështresore, por meqë synimi ynë është një artikull e jo një studim monografik, i vëllimshëm, do të tërheqim vërejtjen vetëm në disa pika kryesore, pa pretendim t’i themi të gjitha.

Në disa raste kemi shkruar për problemin e gjenezës së përçarjes dhe formimit të grupeve sektare, sidomos te libri ynë “Zhvillimi i sekteve“(N. Ibrahimi, Zhvillimi i sekteve), por në këtë rast theksin do ta vendosin më tepër në aspektin politik e shoqëror, duke e lënë anash problemin teologjik. Nëse i hedhim një shikim historik çështjes së theksuar, do të shohim se pas vdekjes së Muhamedit a.s. më 632 erdhi deri te përballja e mendimeve të ndryshme, fillimisht verbale, e më vonë edhe deri te konfliktet ushtarake. Në fillim këto konflikte ishin të natyrës politike dhe vetëm më vonë ato u shndërruan edhe në konflikt teologjike, kulturore e të ngjashme. Kjo ndodhi ashtu që konfliktet politike e ushtarake filluan të arsyetohen me tekste fetare e me interpretimin e tyre subjektiv teologjik në dobi të anës së tyre. Një ajet ose një hadith i caktuar interpretohej në pajtim me idetë e grupit ose sektit përkatës dhe argumentonte pretendimet e tyre. Këto grupime në kohën e hershme do të ndikojnë në formësimin e drejtimeve, medhhebeve ose sekteve, kurse të gjitha këto do të ndikojnë në ecuritë e historisë islame në përgjithësi dhe historisë politike në veçanti. Dy nga këto grupime, më të mëdhatë dhe më influencueset, sunizmi dhe shi’izmi, ekzistojnë edhe sot dhe drejtojnë masa të mëdha njerëzish dhe ide të shumta, herë të matura e herë në skajshmëri të ashpra. (J. Kardavi, Doktrina e shtetit; https://www.tacno.net/interview/enes-karic-istina-o-unutarmuslimanskom-sukobu/).

 Pakënaqësitë e para dhe lufta për primat

 Filli i konturave të para të qarta, të drejtimeve kryesore në historinë e mendimit islam, të sunizmit – që paraqet shumicën dërmuese, dhe të shi’izmit – që paraqet pakicën ose opozitën ndër muslimanët, u shfaqën jo krejt në fillim, sepse Muhamedi a.s. e pranoi shpalljen deri pak kohë para vdekjes, kurse problemet eventuale i zgjidhte aty për aty. Por, me ardhjen e halifëve të drejtë (Ebu Bekri, Omeri, Osmani dhe Aliut r.a.), në vitet 632-661, filluan pakënaqësitë e para, të cilat me kalimin e kohës do të intensifikohen. Këta halifë e zëvendësuan Muhamedin a.s. në punët e bashkësisë, në çështjet ekonomike, politike, në rendin shtetëror, në udhëheqjen e ritualeve fetare, në interpretimin e temave fetare, duke u bazuar në Kur’an dhe Hadith/Sunet, por nuk e zëvendësuan atë në punët pejgamberike, sepse kjo ishte një gjë e rezervuar vetëm për pejgamberë.

Gjatë qeverisjes së Ebu Bekrit r.a. (632-634) shpërtheu kryengritja e disa fiseve beduine në krahinën Nexhd, të cilët refuzuan dhënien e zeqatit. Ebu Bekri r.a. u detyrua ta përdorë forcën për t’i nënshtruar dhe penguar shtrirjen e rebelimeve edhe ndër fiset e tjera. Mirëpo, gjatë qeverisjes së Omerit r.a. (634-644) halifati u qetësua dhe u zgjerua e bashkë me të edhe feja islame dhe fryma e re e saj. Ai ndërmori masa për ruajtjen e unitetit të halifatit, si dhe forcimin ekonomik dhe kulturor të tij.

Osmani r.a. (644-656) pati një periudhë të vështirë, pasi në pjesën e dytë të qeverisjes së tij erdhi deri te përkeqësimi i gjendjes ndërmjet rrethit aristokrat të tij dhe rrethit të pijetistëve muslimanë, të cilët lidheshin me Aliun r.a. Bota e atëhershme muslimane, pas një shtrirjeje dhe zhvillimi të shpejtë, ngeci, u përça dhe ata luftuan mes veti deri në atë masë, sa edhe sot ndihen pasojat.

Aliu r.a. (656-661) edhe pse i njohur si i urtë, largpamës, mendjehollë, si qeveritar e jetoi një jetë tërësisht të acaruar. Rivaliteti i filluar vetëm sa thellohej, ndërsa ajo pasoi me vrasjen e tij. Vetë fakti se halifi i dytë, i tretë dhe i katërt u vranë nga kundërshtarët tregon gjendjen e brendshme të muslimanëve, të cilën Henry Corbini, duke parë se e kaluara po formon të tanishmen dhe të ardhmen, thotë: “Historia muslimane nuk ka kaluar, ajo ende gjendet nën këmbët e muslimanëve.” (https://www.tacno.net/interview/enes-karic-istina-o-unutarmuslimanskom-sukobu/)

 

Edhe sunizmi edhe shi’izmi, si të tilla, kanë një moshë, si grupime historike, si drejtime që drejtojnë numër të madh njerëzish. Që të dyja lindën pothuaj së bashku, duke formuluar doktrinën, synimet, metodën e burimet, në tentim për t’iu përgjigjur, si rivalëve, ashtu edhe përkrahësve të vet. Edhe pse në parim të dyja grupet janë muslimane, gjatë historinë herë janë afruar e herë janë larguar skajshmërisht në pikëpamje të mësimit e qëndrimeve të gjithëpranuara. Njerëzit e donin Aliun r.a., sepse ishte i afërm dhe dhëndër i Muhamedit a.s. por ishte edhe halifi i katërt i drejtë i zgjedhur i muslimanëve. Ata që do të quhen shi’itë tek ai nuk shihnin vetëm një halif, por edhe një imam, lider suprem fetar, shpirtëror dhe politik të Bashkësisë Muslimane. (Xh. Sujuti, Tahih’ul-hulefa’; A. El-Ka’bij, Asru ‘l-hulefai’r-rashidin). Pra, shi’izmi lindi si pasojë e konfliktit ndërmjet pasuesve të Osmanit r.a. dhe pasuesve të Aliut r.a. Shi’itët mendonin se çdo pushtet, politik, shoqëror e fetar, u takon pasardhësve të Aliut r.a. dhe hasreti Fatimes, Hasanit dhe Husejnit dhe linjës së tyre familjare me radhë.

Ndërkaq njerëzve që më parë ishin tubuar rreth Osmanit r.a., më vonë do t’u prijë Muaviu, pretendues i pozitës së halifit. Ai i bëri opozitë Aliut r.a. me kërkesa të qarta: ose ndëshkimi i vrasësve të Osmanit r.a. ose dorëheqje. Secila palë zhvilloi aktivitetet e veta, në të cilat Muaviu u tregua më i shkathët dhe më dinak përballë Aliut r.a. Ky acarim rezultoi me Betejën e Sifinit më 657 (N. Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik), e cila do të vlerësohet si tragjedi e muslimanëve atëherë e sot. Këtu kemi vijën ndarëse mes muslimanëve në suni dhe shi’i, e cila ndarje do të pasurohet edhe me argumente juridike e besimore, të interpretuara sipas kornizave që qenë vendosur nga grupi e që pasuroheshin çdo ditë.

Marrja e pushtetit nga Muaviu, si përfaqësues i dinastisë emevite, ishte një zmbrapsje karshi frymës universaliste, gjithëpërfshirëse, islame, sepse ata i dhanë prirje arabizimit dhe beduinizimit të halifatit. Ajo ishte një ikje e qartë nga sistemi i katër halifëve të parë drejt sistemit monarkik. Ata gjithashtu e dinamizuan aktivitetin antishi’it, fillimisht si rival politik, e më vonë edhe si rival ideor. Kjo më vonë, me ndryshime ideologjike, do të quhet sunizëm. (A. EbuSulejman, Kur’ānska vizija). Mirëpo, spektrit politik e fetar do t’i shtohet edhe grupi harixhi, pastaj murxhi, mu’tezili e tjera, që paraqet konfrontim ideor, por edhe politik e ushtarak ndërmusliman. (N. Ibrahimi, Zhvillimi i sekteve).

 Dallimet sunite-shi’ite dhe sistemi i qeverisjes

 Përçarjet, thyerjet dhe akuzat e kohës së hershme ndodhën përbrenda arabëve, por edhe brenda popujve të tjerë, në vitet në vijim, që iu bashkuan këtij ideali, kësaj feje. Dallimet e para ndërmjet këtyre rrymave, para së gjithash, ishin të natyrës politike, ushtarake, të dominimit, por me kalimin e kohës dallimet morën përmasa të reja, më të gjera, pra edhe fetare, duke i komentuar burimet islame në mënyrë specifike sipas drejtimit që ndiqnin. Në dekadat që pasuan, sidomos pas Betejës së Sifinit më 657, pak a shumë u profilizuan idetë kryesore, të cilat lëshuan shtat, vendosën synime të qarta dhe të gjitha grupet kryesore hartuan metoda veprimi për realizimin e objektivave të shtruara.

Ndër grupet e tilla u dalluan sunitët (ehli suneti dhe xhemati), si grupi më i madh musliman, i gjithëpranuar për besimdrejtësinë dhe me burimësinë e tyre, të cilët, ndoshta, pa dëshirën e tyre u pajtuan me sistemin e trashëgimit të halifit nga babai tek i biri, pra brenda dinastisë. Ky drejtim më tepër sugjeroi shmangien e konfrontimit me kreun politik dinastik sesa përfaqësimin e rendit demokratik në zgjedhje etj. Kjo gjendje vazhdoi edhe pas emevitëve, tek abasitët (750-1258) në Bagdad, tek emevitët në Spanjë (710-1492), tek selxhukët (1037-1194), tek osmanët (1299-1924) etj. (F. Hiti, Istorija arapa). Sunitët ishin përgjigje e kohës ndaj rrymave të ndryshme muslimane dhe jomuslimane.

Grupi vijues që u dallua atë kohë ishin shi’itët, përkrahësit e Aliut r.a. Përkrahësit e shi’izmit mendojnë se loza e Aliut r.a. dhe hasreti Fatimes kanë të drejtë apriori të udhëheqin me botën muslimane. Por, edhe ata kanë probleme: të ndjekin shtatë apo dymbëdhjetë imamë? Në Egjipt kishin një dinasti me emrin fatimi, por me sistemin e halifatit, që sundoi rreth 300 vite (shekujt X-XII). Më vonë, në shekullin XVI e më pas, kjo do të ndodhë edhe në Iran me safavidët, nën sundimin e të cilëve Irani u shi’izitua, siç është edhe sot shtet shi’it. Por, shi’itët jetojnë edhe ndër arabët, si në Arabi, Jemen, Oman, Liban, Siri, Bahrejn e vende të tjera dhe, mbase, rreth 10 % e botës muslimane janë shiitë. (N. Ibrahimi, Zhvillimi i sekteve).

Grupi i tretë musliman, me një ndikim të madh në fillim, janë harixhitët (havarixhët), të njohur si populistë, puritanistë, egalitaristë, ekstremistë etj. Fillimisht ishin pjesëtarë të Aliut r.a., por pas pranimit të arbitrazhit me Muaviun nga ana e Aliut r.a., ata u rebeluan, e braktisën dhe e shpallën Aliun r.a. jobesimtar. Por, ata asnjëherë nuk e morën përkrahjen e shumicës muslimane. Sot mendohet se jetojnë në disa vende, por janë të moderuar (ka mbijetuar vetëm sekti ibadi). Harixhitët e refuzonin halifatin trashëgues, ishin të dhunshëm ndaj grupeve rivale, andaj edhe janë sinonim i dhunës, ndërsa sot idetë dhe veprimet e dhunshme të cilitdo grup ose sekt kualifikohen si harixhite. (N. Ibrahimi, Zhvillimi i sekteve).

Mënyra e qeverisjes në historinë islame qysh në fillim ka qenë temë diskutimesh. Fillimisht sunitët për qeverisje përfaqësonin idenë e shurës (konsultimit), një sistem i përafërt me atë demokratik modern, dhe ishin rigorozë kundër rendit monarkik të trashëgimisë. Por, sot ndodh e kundërta: sunitët praktikojnë sistemin monarkik, të sundimit të trashëguar, që dikur e kritikonin. Më saktë, në botën arabe kemi disa lloje qeverisjesh: monarki (Maroku, Arabia, Jordania), emirate (Katari, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe etj.), hunta ushtarake (Egjipti, Algjeria etj.), por kemi edhe sistemin shumëpartiak demokratik turk, i cili është më i avancuari në këtë nënqiell. (https://www.tacno.net/interview/enes-karic-istina-o-unutarmuslimanskom-sukobu/).

Shi’itët e kanë sistemin qeverisës imamit, që është një pushtet fetar, jodinastik, por sipas parimit të frymës se sunduesi duhet të jetë nga Aliu r.a. dhe Fatimja dhe loza e tyre. Aty ka sistem zgjedhor monopartiak, me ç’rast ndërrohet kryetari i shtetit, i qeverisë e parlamentit dhe vetë ajetullahu, por brenda doktrinës shi’ite dymbëdhjetëshe.

Në aspektin e ngushtë fetar grupet e shumta dallojnë më tepër në gjerat periferike, por jo në ato kryesore. Ata dallojnë në shpjegime e interpretime të nxitura nga motivet politike, kulturore e qytetëruese, por jo në shtyllat islame. Andaj edhe duhet pasur kujdes në etiketimin e këtyre grupeve si “islame” dhe “joislame”. Nuk duhet harruar që në fazat e hershme, përkundër problemeve, përjashtimi nga feja islame ka ndodhur vetëm kur vërtet janë thyer parimet islame e jo për çdo zënkë, rivalitet rasti ose gjera triviale. Aq më tepër që zënkat sunite-shi’ite shpeshherë nuk janë çështje religjioze, intelektuale, por janë rivalitet i kulluar gjeografik, racor dhe janë të natyrës së primatit mbi botën muslimane. Thjesht, kemi një arabizëm – sunizëm dhe iranizëm – shi’izëm të politizuar. Por, gjatë historisë ka pasur edhe çaste të mira, të mirëkuptimit, të projekteve të përbashkëta. Në shekullin e kaluar, në vitet 1958-1963, kemi rastin erektorit të Ez’herit, Shejh Sheltutit dhe përfaqësuesit të shi’izmit, të cilët u përpoqën për hartimin e projektit të afrimit ndërmedhhebor, të afrimit sunito-shi’it, por me vdekjen e tyre mori fund edhe ky shans. (https://www.tacno.net/interview/enes-karic-istina-o-unutarmuslimanskom-sukobu/).

Edhe aktualisht në kuluare politike, në mbledhje e para kamerave, ceket nevoja e dialogut, e mirëkuptimit, e tolerancës, por gjendja praktike nuk e pasqyron gjendjen deklarative të faktorëve politikë e ushtarakë. Në mjediset e ndryshme, në shkollë, në vend pune, në shtëpi, dominon ideja e tekfirit (anatemimit) ose shpalljes për jobesimtar të tjetrit, i cili nuk është në rrugën e grupit përkatës. Fakti se aktualisht nga Maroku e deri në Indonezi kemi qindra grupe ushtarake jozyrtare, që mbrojnë platforma ekstremiste dhe luftojnë mes vete, nuk jep shpresa që së shpejti do të kemi një frymë tjetër. Në Siri e Jemen e kemi një gjendje alarmante. Si pasojë e kësaj gjendjeje edhe feja islame komentohet e propagandohet në frymën konfliktuoze. (https://www.tacno.net/interview/enes-karic-istina-o-unutarmuslimanskom-sukobu/).

Amerika dhe Evropa, Rusia dhe Kina, India dhe shtetet budiste përreth saj, Izraeli, Arabia, Egjipti, Turqia, secili nga këto e shtete të tjera, i kanë favoritët e tyre në këto territore të përfshira nga konfliktet. Favorizimi nënkupton interesa gjeopolitike, ekonomike, tregtare e kulturore, kështu që edhe kur heshtin muslimanët, të huajt i nxisin, sepse kjo nënkupton rritje të përfitimeve materiale për të huajt: duke u shitur armë të dyja palëve, por edhe duke i testuar armët kimike e bërthamore në vendet e tyre. Duke u shitur ilaçe dhe ushqim, zakonisht me afat të skaduar e gjera tjera, të huajt për shumë kohë krijojnë poligone për testet e tyre, thuajse muslimanët janë qeni i Pavllovit ose minjtë për eksperimentim të kancerit e jo njerëz që meritojnë të jetojnë dhe të zhvillohen si të tjerët.

Është koha e fundit që në Lindjen e Afërt e të Mesme të dalin forca kundër luftës, ku tjetri nuk do të paraqesë armikun, që t’i ulin armët e t’i thirrin mendjes, ndërgjegjes, kjo në emër të paqes, kuptimit të fesë sonë, Islamit. (A. Alibašić)

Epërsia doktrinare ndër ne: sunizmi apo shi’izmi?

 Përkrahësit e sunizmit ose të shi’izmit flasin për epërsinë e njërit karshi tjetrit. Historikisht, të dy krahët gjatë kohës kanë prodhuar gjëra të mëdha në fushën e filozofisë, teozofisë, sufizmit, gjuhës, jurisprudencës dhe, në të shumtën e kohës, këto drejtime kanë jetuar në qetësi, e madje edhe në bashkëpunim. Por, kohëve të fundit gjuha e grupeve është ashpërsuar, madje edhe situata ka eskaluar. Shi’izmi ka bërë lëvizje më të gjalla, edhe intelektuale edhe politike, edhe brenda botës muslimane edhe në diasporë. Sunizmi, i mbiquajtur “selefi”, është ende në gjumë intelektual dhe nën tutelën politike perëndimore, agresiv ndaj muslimanëve që nuk e kanë mendimin e njëjtë me të dhe anatemues fetar, por “qengja” karshi të huajve. Kjo gjendje u reflektua edhe në trojet tona shqiptare nga të dyja grupet. Vendorët harruan se vendi ynë ka nevojë për qetësi dhe për vlera e jo për sharlatanizma dhe futje përçarjesh, kështu që ua hapi zemrën dhe derën pa menduar më shumë. Por, ata harruan se vendi ynë e ka traditën shumëshekullore si myslimanë suni – ndonëse i hapur karshi vlerave të jashtme, ka qenë gjithnjë truall kundër atyre “vlerave” që çuan në luftëra ndërmuslimane. Vendi ynë duhet të jetë gati për integrime evropiane, por duke e ruajtur vetveten, me jetë dinjitoze e intelektuale. Ne duhet të jemi të gatshëm ta marrim përgjegjësinë në vendin ku jetojmë dhe të kontribuojmë për vendin që na ka lindur, pra larg klithmave boshe dhe larg folklorizmit fetartallava. Ne nuk kemi nevojë të bëhemi diç tjetër, por këtë që jemi duhet ta avancojmë, ta intelektualizojmë dhe shpirtërorizojmë e ta islamizojm, në të gjitha fushat e jetës: fetare, shpirtërore, nacionale. (N. Ibrahimi, Hap pas hapi).

Këtë e themi sidomos për shkak se viteve të fundit në trojet shqiptare ka vërshuar një valë organizatash, institucionesh, asociacionesh e shoqatash me ngjyrim shi’it, vehabit, madje edhe kadijanit, kur’anit etj. Muslimani vendor është gjetur para një propagande agresive dhe, njëkohësisht, joshëse të këtyre grupeve, që kanë për qëllim të përvetësojnë sa më shumë njerëz nga besimtarët muslimanë. Është e qartë se propaganda e këtillë ka karakter hetues – të krijojë konfuzitet dhe të joshë një pjesë të tyre.

Megjithatë, eshtë e qartë se besimtarët muslimanë nuk kanë nevojë për oferta të tilla, sepse fakti që ata jetuan me qindra vite në këtë nënqiell pa ndihmën e askujt, tregon se ata mund të jetojnë edhe më tej të pavarur, ndërsa institucionet që i kemi, përkundër mangësive, mund të vazhdojnë të jenë adresa më e mirë për hallet dhe ambiciet muslimane. Angazhimi i njerëzve, shpenzimi i kohës dhe i shumë parave për t’i konvertuar hanefinjtë në vehabinjë, shi’itë, ahmedinj e grupe të ndryshme, është atraktiv vetëm përkohësisht, ndërsa është shumë më mirë që këto mjete të derdhen te skamnorët, te të sëmurët ose të punohet në mesin e shtresave të devijuara në perversione të ndryshme, si prostitucioni, narkomania etj. Propaganda e tyre, për kinse një Islam të vërtetë, është vetëm një përçarje më shumë dhe hyrje në një derë të vogël të asaj që po ndodh në botën muslimane, me armiqësi, me vrasje e me grusht shtete. Sa është e arsyeshme që aktiviteti mos të zhvillohet në rrugë, por tërë synimi të përqendrohet në xhami e medrese, ku të rinjtë do të rekrutohen kundër baballarëve të vet, kundër traditës së tyre, kundër myderrizit, hoxhës dhe shkollës së vet. Në këtë mënyrë, po i humbin besimtarët e deritashëm, kurse të keqes së shtrirë në shoqëri po ia lehtësojmë rrugën drejt suksesit. (https://www.tacno.net/interview/enes-karic-istina-o-unutarmuslimanskom-sukobu/).

 “Pranvera arabe” mes të dëshiruarës dhe realitetit

 Kryengritjet, rebelimet ose lufta në Jemen, por edhe në Siri, Irak, pastaj në Liban, Bahrejn e tjera, e kanë etiketën e konfliktit shi’ito-sunit dhe sunito-shi’it. “Pranvera arabe”, përkundër shpresave në horizont, mbeti shterpe. Ajo nuk arriti t’i kapërcejë problemet e pubertetit e të shndërrohet në lëvizje demokratike, përtëritëse, aktiviste. Sloganet e para, joshëse në fillim, si liria nga totalitarizmi, nuk dhanë sukses. Ato dështuan në përvetësimin e intelektualëve kryesorë, në përvetësimin e ushtrisë e policisë, por dështuan edhe që t’i bindin të huajt se janë lëvizje dinjitoze. Ata u mashtruan vetë dhe i mashtruan të tjerët me ca slogane puritane, tejet naive, që i sollën në qorrsokak. Gjithë kjo rezultoi me dëshpërim, rrëmujë e konflikte të përgjakshme, ndërmjet sunive dhe shi’ive, ndërmjet vehabistëve dhe medhhebeve sunite. Në tërë këtë nuk duhet harruar ndërhyrjen flagrante të fuqive të mëdha për interesat e tyre gjeopolitike, ekonomike, kulturore. Është vështirë të ceket me saktësi sponzorizuesi i konfliktit në Lindjen e Afërme, sepse ka shumë të tillë, si fuqitë e mëdha (Amerika, Rusia, Izraeli, Arabia) dhe faktorët dytësorë, oligarkiktë sunite dhe shi’ite, që e shfrytëzojnë rastin të grabisin çka mundet. Mbase këta faktorë në Lindjen e Afërt dëshironin një konflikt të kontrolluar, edhe të plaçkitin edhe të shtiren si humanitarë e shpëtimtarë, por situata qysh moti u doli nga duart, duke vënë në lëvizje potencial ushtarak e politik shumë më të madh seç është planifikuar. Amerika dhe Izraeli, që shpesh sillen si viktima, duhej të vepronin ndryshe – ta dëshironin një rajon më të qetë e me sa më pak armë rreth kufijve izraelitë. Por, Izraeli nuk e ka menduar si duhet këtë. Qetësia në Lindjen e Afërt u mundëson të gjitha palëve hapësirë dhe kohë për bisedime të qeta dhe mundësi për gjetjen e rrugës së paqes për të gjithë. Kështu siç është gjendja, ajo nuk i përgjigjet askujt, pos përfituesve të luftës, që para vetes nuk kanë rregulla fairplay-i, që nuk kanë dhembshuri dhe mëshirë para gjithë asaj katrahure, miliona të vdekurve, helmeve etj. (https://www.tacno.net/interview/enes-karic-istina-o-unutarmuslimanskom-sukobu/).

 E ardhmja e muslimanëve

Edhe pse duhet të jemi optimistë, momentalisht kemi pak baza për një optimizëm të mirëfilltë. Njerëzit i shikojnë interesat e ngushta dhe nuk dalin përtej interesit vetjak. Jemi bërë viktimë edhe e vetvetes, por edhe e kurtheve të huaja: përçaj e sundo! është slogani për nxitjen e njërit kundër tjetrit. Uniteti i munguar ndër muslimanët, për shkaqe etnike e sektare, po përdoret, nga Perëndimi, politikisht, ekonomikisht e kulturalisht. Por, fajtorë jemi vetë, sepse qielli është i njëjtë për të gjithë. Varet vetëm kur e lexojmë, si e lexojmë dhe sa duam të mësojmë nga ai./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne