Gjenocidi në Ruanda

Prof. Dr. Kudret Bulbul

Sipas Konventës së OKB-së për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (1948) çdo lloj akti që kryhet me qëllim për të eliminuar pjesërisht apo plotësisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar përbën krimin e gjenocidit. Këto akte përfshijnë: vrasjen e anëtarëve të grupit; shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore apo mendore të anëtarëve të grupit; vënien e qëllimshme të grupit në kushte të tilla të jetës të cilat çojnë në shfarosjen e plotë apo të pjesshme fizike; marrjen e masave të cilat kanë për qëllim që të pengojnë lindjet brenda grupit; transferimin me detyrim të fëmijëve të grupit në fjalë në një grup tjetër.

Faktikisht deri në vitin 1944, kur një çifut nga Polonia me emrin Raphael Lemkin bëri një studim për të përkufizuar planin e zhdukjes sistematike të çifutëve nga ana e Gjermanisë naziste, në literaturë nuk ekzistonte një nocion i tillë si gjenocidi. Duke bashkuar fjalën “gjeno”, që në greqisht do të thotë racë dhe fjalën “cide”, që në latinisht do të thotë të vrasësh, për herë të parë Lemkin përdori nocionin “gjenocid”. Pavarësisht se në thelb u prodhua për zbatimet çnjerëzore që bënin disa shtete perëndimore, ky nocion nga ana e këtyre shteteve përdoret më shumë për shtetet (e tjera) jo-perëndimore.

Këtë javë do të flasim për “Gjenocidin në Ruanda”, duke u nisur nga nisma për të krijuar në Francë një komision në lidhje me këtë çështje. Gjenocidi i Ruandës, i cili ka ndodhur përpara atij të Bosnje-Hercegovinës, ndoshta është gjenocidi i fundit me të cilin është përballur historia e njerëzimit.

Sfondi (konteksti) historik: E njëjta politikë klasike edhe nga Belgjika: “Përça, copëto dhe sundo”

Historia e Ruandës në të vërtetë nuk është ndryshe nga historia e shumë vendeve të tjera të kolonizuara. Në fillim ajo u kolonizua nga Gjermania. Pas humbjes së këtij vendi në Luftën I Botërore, Ruanda u pushtua nga Belgjika.

Edhe metoda e kolonizimit të Ruandës nuk ishte ndryshe nga të tjerat. Ajo që bëri Belgjika në Ruanda ishte një version tjetër i politikës së Anglisë: “Përça, copëto dhe sundo”. Edhe Belgjika, ashtu siç vihet re në shembullin e shumë vendeve imperialiste, ndjek politikën e mbështetjes së pakicave për sistemet imperialiste. Me këtë qëllim Belgjika vazhdon strategjinë e filluar nga Gjermania për të imponuar popullin tutsi (grupi etnik që njihet ndryshe edhe si Abatutsi) kundër popullit në shumicë hutu (grupi më i madh etnik në Ruanda) dhe tezën se tutsi-të sipas kafkës së tyre janë më superiorë (ndaj grupit tjetër etnik). Kështu që krijohet tension me fiseve tutsi dhe hutu, që më parë jetonin në paqe pranë njëri-tjetrit prej shekujsh.

Si rezultat i politikës “përça, copëto, sundo” të Belgjikës, deri në shpalljen e pavarësisë, vendi udhëhiqet me dhunë dhe shtypje nga tutsi-të, të cilët janë në pakicë. Kurse kur Ruanda fitoi pavarësinë në vitin 1961, udhëheqja i kaloi hutuve. Pas viteve 1950 Belgjika kishte filluar të mbështesë hututë. Këtë radhë, ky grup që vepronte me shtypjen dhe ndrydhjen e pësuar prej shumë vitesh, zbatoi ndaj tutsive të njëjtat gjëra që ishin bërë ndaj tyre.

1994: Masakra 1-milionëshe…

Tensioni dhe konfliktet ndërmjet tutsive në pakicë dhe hutuve në shumicë vazhdoi deri në vitin 1994. Në këtë vit, Kryetari i Shtetit Habyarimana, që ishte hutu u ul në tryezën e paqes me tutsitë. Arrihet në marrëveshje. Sipas marrëveshjes edhe tutsitë do të merrnin pjesë në qeveri dhe do të kishin të drejtën e fjalës. Por Habyarimana vritet me zjarrin e hapur ndaj avionit, me të cilin ai udhëtonte. Për vrasjen e Kryetarit të Shtetit Hututë akuzuan tutsitë dhe ndërmorën një masakër të tmerrshme. Në afërsisht 100 ditë ata masakrojë rreth 1 milionë tutsi dhe hutu të moderuar. Kjo do të thotë që çdo ditë janë vrarë mesatarisht 10 mijë njerëz. Në masakrën e mbështetur nga autoritetet shtetërore dhe media e tyre, ngaqë nuk kishin armë zjarri, hututët radikalë masakruan me pallë dhe dogjën qindra-mijëra njerëz dhe përdhunuan gratë. Belgjika, e cila me qëllim për të krijuar përçarje i kishte shpërndarë letërnjoftimet (kartat e identitetit) si tutsi dhe hutu, u bë mjet për përcaktimin më lehtë të tutsive dhe për vrasjen e tyre. Gjenocidi merr fund me hyrjen pas 100 ditësh në kryeqytet të Frontit Patriotik të Ruandës (RPF), i përbërë nga tutsitë.

Në vend që të mbronte të pafajshmit, Organizata e Kombeve të Bashkuara tërhoqi trupat ushtarake

Kur filloi gjenocidi, në vend kishte 2.500 forca paqeruajtëse të OKB-së. Këto forca mund të ishin strehimi i vetëm i tutsive përballë gjenocidit. Por reagimi i tyre nuk ishte ndryshe nga reagimi në Srebrenicën e Bosnjës në vitin 1995. Me vendimin e marrë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, numri i ushtarëve, nga 2.500 u ul në 250. Kjo është e ngjashme me atë që ndodhi në Srebrenicë. Komandanti holandez i forcave paqeruajtëse të OKB-së, Thom Karremans që kishte detyrën e mbrojtjes së qytetit, u dorëzoi serbëve qytetin dhe 25 mijë njerëz që ishin strehuar tek ai.

Roli i Francës…

Kryetari i Shtetit të Ruandës, Kagame akuzon Francën dhe Belgjikën si përgatitorët politikë të drejtpërdrejtë të gjenocidit. Të ndikuarit e gjenocidit kanë ngritur padi në Francë dhe Belgjikë ndaj autoriteteve të këtyre vendeve.

Kisha katolike e Ruandës aktualisht ka kërkuar falje nga populli i Ruandës për shkak të rolit të kishës në gjenocid.

Komisioni Kombëtar i Luftës kundër Gjenocidit në Ruanda, në vitin 2016 deklaroi emrat e 22 oficerëve me gradë të lartë, ndër të cilët edhe Shefi i Shtatmadhorisë, Jacques Lanxade, me arsyetimin se ata janë “autorë dhe bashkëpunëtorë në krimin e gjenocidit”. Oficerët francezë akuzohen për trajnim dhe furnizim me armë të atyre që bënë gjenocidin.

Franca më 23 qershor 1994 në jugperëndim të vendit kishte filluar një operacion për të krijuar një zonë të sigurt për refugjatët. Por në vend që të pengonte gjenocidin, duke siguruar mbështetje me armë dhe municione për gjenocidbërësit, Franca pengoi përparimin e Frontit Patriotik të Ruandës.

Gazetari francez, Saint-Exupery pretendon se direktiva për armatimin e hututëve u dha me urdhrin e shkruar të Hubert Vedrine, Sekretarit të Përgjithshëm të Presidentit të atëhershëm të Francës, François Mitterrand.

Kurse ky i fundit, në një reportazh për gazetën “Le Figaro” në vitin 1998 përdori një shprehje të frikshme: “Ndodhja e ndonjë gjenocidi në ato vende, kjo nuk është ndonjë gjë edhe aq e rëndësishme”.

Për shkak të reagimeve të shumta ndërkombëtare dhe kritikave në lidhje me të drejtat e njeriut, më në fund pas 25 vjetësh Presidenti aktual Emmanuel Macron në prill të vitit 2019 mori vendimin për krijimin e një komisioni për gjenocidin. Ndërkaq bëhen kritika se në vend të monitoruesve asnjanës dhe specialistëve të autorizuar, në komisionin e krijuar marrin pjesë emra të cilët cilësohen si të “pranueshëm” nga ana e Francës.

Gjenocidi në Ruanda, për të cilin akuzohen Belgjika dhe Franca, ndodhi 25 vjet më parë. Kurse masakrimi i 50 myslimanëve gjatë namazit të xhumasë nga ana e Brenton Tarrant ndodhi vetëm një muaj më parë. Shpesh herë mendojmë se imperializmi ka mbetur në histori dhe Tarantizmin, të cilin e quajmë si racizmin e bardhë, një lloj i nazizmit ky, mendojmë se tashmë nuk ekziston. Të menduarit në mënyrë të tillë mbase është një nevojë njerëzore. Sepse shpresojmë dhe dëshirojmë që masakra të tilla të mbeten në histori. Por sado që të harrojmë, qëllimet imperialiste, synimet e ideologjisë vrasëse janë të freskëta. Në çdo situatë na e rikujtojnë neve që ata zotërojnë një pajisje teknike që sot mund të derdhë më shumë gjak se sa është derdhur dje. Dhe ne, si një familje njerëzore, kur mizoria buron nga Perëndimi, kemi tendencën të mbajmë më pak qëndrim të përbashkët se në të djeshmen, të shohim dhe të reagojmë më pak./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne