Gjermania nuk mbështetet nga shtetet e BE-së për politikën ndaj Turqisë

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, thotë se në masat ekonomike të marra për t’i ushtruar presion Turqisë kanë kërkuar mbështetje edhe nga shtetet e Bashkimit Evropian, por që disa shtete të BE-së po mendojnë më ndryshe se Gjermania lidhur me këtë çështje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të “Ditës së Portës së Hapur” të organizuar në Berlin, Gabriel u takua me qytetarët dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku foli edhe për Turqinë.

Duke u shprehur se qeveria gjermane kërkon mbështetje edhe nga shtetet anëtare të BE-së lidhur me vendimet e marra ndaj Turqisë, Gabriel thotë se “Disa shtete në Evropë nuk mendojnë si ne. Ata thonë se ‘Le ta vazhdojmë bashkëpunimin me Turqinë si në të kaluarën’. Ne mendojmë më ndryshe në këtë aspekt”.

Negociatat për anëtarësim në BE

Ndërkaq ministri i Jashtëm i Gjermanisë kundërshtoi thirrjet e partive opozitare për t’i dhënë fund negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE.

Duke vënë në dukje se negociatat aktualisht nuk janë duke përparuar dhe se përfundimi i këtij procesi do të ishte një mesazh i gabuar ndaj mbrojtësve të BE-së në Turqi, Gabriel thekson se një hap i tillë i BE-së do ta kishte forcuar edhe më tej presidentin Recep Tayyip Erdoğan.

Duke theksuar se miqësinë turko-gjermane e sheh si një thesar të madh, Gabriel thotë se “Ne nuk jemi kundër Turqisë dhe turqve. Në të kundërtën, shpresojmë që të vijë koha që të jetë përsëri efektive ky thesar i madh i cili përfshin anët tona të përbashkëta”.

Gabriel u shpreh se përkundër tensionimit politik në kohët e fundit, vendi i Turqisë në aleancën e NATO-s, nuk është i diskutueshëm, duke shtuar se “nuk dëshirojnë që Turqia të shkëputet nga Perëndimi e t’i afrohet më shumë Rusisë”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne