“Greqia mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ka zhvilluar një takim në New York me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, në këtë takim është biseduar për tema të ndryshme që ndërlidhen me forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve dhe shteteve.

“Tani është koha që bashkëpunimin e mirë të deritanishëm ta zgjerojmë, ta rrisim një bashkëpunim të mirëfilltët ndërmjet dy shteteve tona”, ka thënë presidenti i Kosovës.

President Thaçi, sipas njoftimit, ka falënderuar kryeministrin grek për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës në proceset e integrimeve euroatlantike.

Në takim është biseduar edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, si dhe në arsim dhe kulturë.

Nga ana tjetër, Mitsotakis ka theksuar se Greqia mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi gjatë ditës do të zhvillojë takime me liderë nga shtete të ndryshme të botës. Thaçi gjithashtu dje ka marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini. Në delegacionin e Kosovës është edhe zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne