Greva e grekëve mbyll nesër Kakavijën, mund të kalojnë vetëm këto kategori

Duke filluar nga dita e nesërme, datë 24 nëntor, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 25 nëntor dogana e Kakavijës, e vetmja pika kalimi me Greqinë aktualisht, do të jetë e mbyllur për shkak të grevës së fqinjëve. Por drejtoria e Doganave sqaron se cilat kategori mund të kalojnë nesër në Kakavijë. Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton të gjithë qytetarët dhe bizneset që kryejnë aktivitet import-eksport nëpërmjet pikës doganore Kakavijë, se do të jetë e mbyllur për 24 orë. Autoritetet e Policisë greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kakavijë, sqarojnë se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës, duke filluar nga dita e nesërme, datë 24 nëntor, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 25 nëntor.

Sqarojmë se gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra. Sipas njoftimit të palës greke, përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh. Dogana Shqiptare do të jetë në komunikim të vazhdueshëm për të informuar publikun dhe biznesin” mbyllet njoftimi./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne