Grupi anti-Basha, gati propozimet për ndryshime statutore në PD

Grupi anti-Basha ka gati platformën statutore për demokratizimin e PD. Kështu u shpreh anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri i ftuar në studion e Report Tv. Ai tha se propozimet synojnë decentralizimin e pushtetit në parti në mënyrë që drejtimi ekzekutiv i PD të mos jetë në dorë të një personi të vetëm.

Kulluri tha se organizimi i PD duhet të jetë njësoj si pushteti legjislativ në qeverisje, e njëjta formulë organizimi si partitë simotra të PD, Kristian Demokratët gjermanë dhe Konservatorët anglezë, arsye për të cilat Basha duhet të pranojë propozimet. “Propozimet konsistojnë në decentralizimin e pushtetit në parti dhe krjimin e një rrjeti institucionesh dhe funksionesh që do balancojnë atë që sot është një drejtim arbitrar i PD nga një person i vetëm.

Të kalojmë nga një part one man show në një parti politike serioze, ku të ketë një bllok ekzekutiv, të ngjashëm me atë legjislativ në qeverisje, të ketë një gjykatë ku njerëzit të ankohen dhe të ketë fuqinë të gjykojë sjelljen e organeve që drejtojnë partinë.

Të krijohet një balancë ku kryetari i partisë të jetë drejtuesi ekzekutiv dhe kandidati për kryeministër, por që s’mund të drejtojë edhe grupin parlamentar edhe këshillin kombëtar edhe seksionet. Vendi sot është shumë më demokratik se partitë që e ndërtojnë sistemin”, tha Kulluri.

Sa i takon paralajmërimeve të nënkryetarit të PD, Edi Paloka për nisjen e protestave, Kulluri tha se PD s’ka kapacitete për të ngritur njerëzit. “Aty ku ka pasur një akt të fortë që duhet të ishte një aksion, në 18 shkurt, përfunduan në çadër. Unë mendoj se e gjithë kjo situatë kërkon një kundërpeshë nga opozita, e cila nuk jam i sigurt se ka kapacitetin për të ngritur njerëzit në protestë dhe për të rrëzuar këtë qeveri që është e zhytur në korrupsion dhe krim“.

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne