Guterres thirrje për fillimin e negociatave për çështjen Izrael-Palestinë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, bëri thirrje për fillimin e një procesi të negociatave për të arritur një zgjidhje me dy shtete për çështjen Izrael-Palestinë.

Guterres i cili po zhvillon vizitën e parë të tij si sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në rajon, zhvilloi një takim me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në zyrën e Kryeministrisë së Izraelit në Jerusalemin Perëndimor, ku edhe mbajtën një konferencë për media.

Duke theksuar zgjidhjen me dy shtete, Guterres thotë se “Unë gjithmonë kam një ëndërr, e ajo është që në këto toka të shenjta të shoh dy shtete të cilët jetojnë së bashku në tolerancë, paqe dhe siguri. Ajo çka është me rëndësi është që së bashku me përmirësimin e kushteve të jetës së palestinezëve të fillojë edhe procesi politik i cili çon në zgjidhjen me dy shtete.”

Duke vënë në dukje se përballë paqes Izrael-Palestinë ndodhen vështirësi të shumta, Guterres thotë se “Njëra prej tyre janë vendbanimet hebreje, dhe diskriminimet që po bëhen mes Gazas dhe Bregut Perëndimor. Po ashtu edhe aktet terroriste janë njëra prej këtyre vështirësive. Për tejkalimin e këtyre vështirësive ne duhet ta tregojmë në mënyrë të fuqishme dëshirën tonë për paqe.”

Gueterres thotë se ata nuk e pranojnë retorikën e “shkatërrimit” dhe shton se “Duhet të pranohet e drejta e Izraelit për të jetuar në paqe dhe siguri”.

Duke shprehur nevojën e sigurimit të mundësive për përmirësimin e kushteve të jetës për palestinezët, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se “Izraeli përmbushi zhvillimin ekonomik. Por do të ishte mirë të shohim se palestinezët jetojnë në kushte më të mira ekonomike”.

“OKB akuzon Izraelin për shkelje të të drejtave të njeriut”

Kurse kryeministri i Izraelit, Netanyahu, duke pretenduar se institucionet e OKB-së po e mbajnë anën e Palestinës, tha se “OKB mbron të drejtat e njerëzve, por po lejon shkeljet e të drejtave nga palestinezët. Sepse OKB po e akuzon Izraelin për shkelje të të drejtave të njeriut.”

Duke folur edhe për praninë e Hizbullahut të Libanit në Siri, Netanyahu tha se “Ajo që është emergjente është gjendja e Hizbullahut në Siri. OKB-ja duhet ta ndalojë rrjedhën e armëve për Hizbullahun, por dhjetëra mijëra armë përkundër vendimit të Këshillit të Sigurisë së OKB-së po rrjedhin te Hizbullahu.”

Netanyahu duke theksuar se Irani “për ta shkatërruar Izraelin” po forcohet në Siri dhe Liban tha se “Irani po e shndërron Sirinë në baza për milicët, në Siri dhe Liban po vendos baza të raketave të drejtuara. Izraeli nuk mund ta pranojë këtë assesi. As OKB-ja nuk duhet ta pranojë. Irani po përpiqet që ta realizojë qëllimin për shkatërrimin e Izraelit. Është e qartë se prania e tij në Siri dhe Liban është për ta realizuar këtë qëllim.”

Pritet që Guterres nesër të shkojë në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor i cili ndodhet nën pushtim dhe të takohet me kryeministrin e Palestinës, Rami El-Hamdallah. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne