Shqiperia

Historia e plotë/ Përse Edi Rama dhe PS po e sulmojnë Dritan Zaganin

Ashtu si më 4 shtator 2015, Dritan Zagani vazhdon të turbullojë edhe pas 2 vjetësh ujërat e politikës shqiptare.

Dhe ashtu si më 16 shtator të atij viti kur akuzohej nga Edi Rama si “kriminel, si bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë”, Dritan Zagani mbetet edhe sot në qendër të sulmeve të qeverisë (shih videon më poshtë në faqen e lapsi.al).

Hetimet e Antimafias së Katanias provuan thuajse të gjitha akuzat e tij: Habilajt, një prej familjeve më të mëdha mafioze në Shqipëri, ishin të lidhur me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u garantonte paprekshmërinë; ata përdornin makinën private të Ministrit për të kontrolluar trafikun në Shqipëri, Itali e Greqi; ishin të pashqetësuar nga policia e Vlorës nga ku nisnin tonelata me kanabis, pasi kishin lidhje me drejtues të saj e zyrtarë të tjerë të lartë që kishin dijeni se ata ishin kushërinj të Ministrit të tyre dhe lëviznin me makinën e tij luksoze Audi A8 me targë AA 003 GB.

Të gjitha këto akuza të rënda, të bëra në 2015-ën, policia e Saimir Tahirit nuk i hetoi asnjëherë. Për dy vjet të tjera Habilajt vazhduan të qetë trafikun e drogës për një xhiro miliona eurosh, siç thuhet në dosjen e prokurorisë së Katanias, nga të cilat dyshohet se ka përfituar edhe Tahiri apo vetë Partia Socialiste. Habilajt pretendojnë se Tahiri ka përdorur të paktën 20 milionë euro në fushatë elektorale për të siguruar fitoren e socialistëve. Ishin të ardhura nga trafiqet.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bashkuar disa dosje të vetat me atë të prokurorisë së Katanias për lidhjet Tahiri – Habilaj. Dritan Zagani ka dijeni në detaje për mosveprimin e policisë ndaj Habilajve. Dëshmia e tij mund të jetë pjesë e dosjes së organit të akuzës në cështjen Tahiri. Ai është dëshmitar i gjallë i skandalit që ka përfshirë qeverinë.

Kjo duket të jetë edhe arsyeja kryesore e shpërthimit të dytë të kryeministrit të Shqipërisë kundër tij, që me akuzat politike me gjasë synon ta zhvlerësojë si dëshmitar të besueshëm. Edi Rama po përpiqet ta zbresë në llogoret e politikës për ta shndërruar në një kundërshtar politik, e për pasojë ta bëjë të pabesueshëm për prokurorinë dhe opinionin publik.

Në këtë suazë, mbrëmjen e të premtes në studion e Zonës së Lirë të Arian Çanit, kryeministri Rama u deklaroi shqiptarëve se ish –shefi i antidrogës ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Në të vërtetë kjo gjykatë kishte ngritur ndaj tij dy akuza në pranverën e vitit 2014: “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”.

Lulzim Basha e quajti të nesërmen gënjeshtar Ramën. “Dritan Zagani nuk ka qenë kurrë i dënuar nga krimet e rënda”, deklaroi kreu i PD.

Dy dokumente u publikuan dje nga Partia Socialiste për të mbrojtur tezën e kryeministrit se, Dritan Zagani ishte një njeri i dënuar dhe si i tillë ai s’duhej marrë seriozisht në akuzat që bën për Saimir Tahirin.

Janë dy vendime gjykatash, që në fakt, e nxorrën bllof jo vetëm Sekretarin e Përgjithshëm të PS që mori përsipër t’i shpërndante, por edhe vetë kreun e qeverisë.

Por, ç’përmbajnë këto vendime?

Dokumenti i parë i shpërndarë nga Taulant Balla (shih më poshtë në faqen e lapsi.al) është një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda të datës 02.05.2014. Ai përmban caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Ky dokument, ndryshe nga sa pretendon qeveria, nuk është vendim për dhënie dënimi.

Kur PD denoncoi bllofin e Ballës, kryetari i grupit parlamentar të PS shpërndau një vendim të Gjykatës së Vlorës, të datës 23.12.2016 që e dënonte Zaganin me 3 vjet burg.

Por akuzat nuk janë më ato me të cilat Krimet e Rënda kërkuan që ai të mbahej në burg deri në përfundim të hetimit.

Zagani rezulton i dënuar për “largim nga vendi i qëndrimit të detyruar” (shih dokumentin më poshtë në lapsi.al).

Vendimi provon se Dritan Zagani u dënua për shkak se u arratis nga “arresti shtëpiak” ku e kishtë lënë gjykata e Fierit, e cila e mori në shqyrtim çështjen e tij pasi ia delegoi Gjykata për Krimet e Rënda që vlerësoi se çështja s’ishte kompetencë e saj. Ai iku nga Shqipëria dhe kërkoi azil politik në Zvicër.

Zagani deklaroi në atë kohë se vendosi të largohej pasi ishte në rrezik – kishte frikë për familjen e tij pasi po përndiqej, sa nga trafikantët që kishte denoncuar, aq edhe nga segmente të policisë të drejtuar nga Saimir Tahiri.

Edhe pse i dënuar në Shqipëri, Zvicra i garantoi atij azilin politik. Dritan Zagani jeton tani atje bashkë me familjen.

Dhënia e azilit nga një shtet në zemër të Europës e kompromenton qëndrimin e qeverisë ndaj ish –zyrtarit të lartë të policisë.

Mbrojtja që i garantoi Zvicra, Dritan Zaganit, i zhvlerëson akuzat e ngritura nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, një strukturë që ka qenë në vartësi direkte të Saimir Tahirit për 4 vjet me radhë.

Asnjë gjykatë në Shqipëri nuk e ka dënuar për këto akuza.

Gjithkush mund të pyesë se si mundet që një shtet si Zvicra t’i japë azil një të dënuari? Dhe kjo është pyetja që po e mundon më së shumti qeverinë Rama, në këto kohë kur shqiptarët po shohin se Zagani ka pasur të drejtë në akuzat për Habilajt.

Liria e Zaganit për të denoncuar qeverinë në media dhe fakti që nuk po i kontrollon dot më daljet e tij, siç ndodhi me intervistën e ndërprerë në News 24 dy vjet më parë, e ka shqëtësuar jo pak qeverinë që ende nuk e ka të qartë sa thellë mund të jetë përfshirë ish –ministri i Brendshëm në hetimet e italianëve.

Mes paqartësisë mbi nivelin e implikimit të Tahirit, publikisht Edi Rama vendosi t’i lajë duart me ministrin e tij që, dy vjet pasi u denoncua nga Zagani, i duhet të përballet me të njëjtat akuza, kësaj here të ngritura zyrtarisht nga Prokuroria për Krime të Rënda.

Por në prapaskenë ai vazhdon ta mbrojë të besuarin e tij.

Rikthimi te akuzat ndaj Zaganit dhe përdorimi i Partisë Socialiste kundër tij janë provë e kësaj.

Ato ngjajnë me ato pritat që ngrihen nxitimthi për të ruajtur çfarë të mundesh nga një shtrëngatë që të zë në befasi. Brenda këtyre pritave Saimir Tahiri mund të jetë ende i nevojshëm. Ai do të shërbejë si i pari rrufepritës, nëse kohët përkeqësohen. /Lapsi.al

OPINIONE