Ibrahim Kalin: Pritja e Turqisë është zbatimi i plotë i marrëveshjes për Idlibnin

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, bëri me dije të hënën se samiti trepalësh me pjesëmarrjen e Rusisë dhe Iranit do të realizohet më 16 shtator në Ankara, nën drejtimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ky njoftim i zëdhënësit Kalin erdhi gjatë një aktiviteti në qytetin Konya.

Duke u ndalur mbi sulmet ndaj civilëve në zonën e çtensionimit të Idlibit, provincë strategjike në Siri, Kalin rikujtoi se Presidenti Erdogan e diskutoi këtë çështje me homologun rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij njëditore javën e kaluar në këtë vend.

“Zhvillimet në Idlib u shqyrtuan në detaje gjatë këtij takimi. Ndërsa më datë 16 të këtij muaji, në Ankara do të mbahet samiti trepalësh Turqi-Rusi-Iran nën drejtimin e presidentit tonë të nderuar. Pritja jonë dhe mesazhi që presidenti ynë i nderuar i komunikoi Kryetarit të Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, është zbatimi i plotë i marrëveshjes për Idlibin, mbi të cilën u ra dakord vitin e kaluar. Sepse Idlibi, si një prej zonave të çtensionimit, është një rajon me kufij të përcaktuar dhe siguri të garantuar nga Turqia dhe Rusia. Regjimi duhet të ndalë urgjentisht sulmet, të cilat po i kryen me pretekstin e «pranisë së elementëve terroristë», për të fituar territore”, u shpreh ai.

Përkundrazi – theksoi zëdhënësi i Presidencës turke – një dramë humanitare e re do të jetë e pashmangshme në Idlib dhe marrëveshja për Idlibin do të rrezikohet seriozisht.

Kalin shtoi se Ankaraja zyrtare gjithashtu pret që Moska dhe Teherani t’i bëjnë sugjerimet e nevojshme regjimit sirian për ndaljen e sulmeve në këtë zonë.

“Çështja në fjalë do të shqyrtohet me hollësi edhe në samitin e datës 16 të këtij muaji. Në çdo rast, zgjidhja përfundimtare është jetësimi i procesit politik në Siri pa vonesa të mëtejshme. Për këtë nevojitet themelimi i Komitetit Kushtetues, formimi i qeverisë së tranzicionit dhe mbajtja e zgjedhjeve. Përpjekjet tona do të vazhdojnë në mënyrë intensive edhe këtej e tutje, nën lidershipin e presidentit tonë, për të sendërtuar të gjitha çështjet në fjalë”, vlerësoi zëdhënësi Ibrahim Kalin./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne