Ibrahim Kalin: Turqia e fuqishme në terren dhe tavolinë në vitin 2019

Ibrahim Kalin vlerësoi rendin e ditës dhe vitin 2019 në aspektin e politikës së jashtme të Turqisë gjatë një emisioni televiziv.

“Viti 2019 u karakterizua nga 3 ngjarje shumë të rëndësishme. E para është mesazhi «në Siri s’mund të bëni plane pa praninë e Turqisë në terren», i cili u dha me Operacionin «Burimi i Paqes» pas atij «Mburoja e Eufratit». E dyta është një manovër shumë e rëndësishme, e cila ka të bëjë me këto aktivitetet sizmike të kërkimit dhe sondazhit në Mesdheun Lindor. Aktualisht janë dy anije tonat sizmike dhe të sondazhit që po i vazhdojnë këto aktivitete në Mesdheun Lindor”, tha ai.

Duke sqaruar se ngjarja e tretë ka të bëjë me Libinë, Kalin vijoi me këto fjalë: “Dy marrëveshjet që ne arritëm së fundmi, propozimet tona për krizën libiane, perspektiva që ne sollëm dhe qëndrimi ynë politik, tregojnë se për ne 2019-a ishte një vit ku Turqia u paraqit e fuqishme në terren dhe në tavolinë.”

Ai theksoi se efektet e kësaj janë parë në marrëveshjet e arritura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë pas Operacionit “Burimi i Paqes”.

Pasi vuri në pah se të gjithë kanë llogaritë e tyre në Siri, Kalin tha se Turqia e hodhi në erë shumicën e këtyre llogarive përmes Operacionit “Burimi i Paqes”, filluar më 9 tetor për të eliminuar terroristët në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të sigurojë kufijtë e saj, të ndihmojë në kthimin e sigurt dhe vullnetar të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Në përgjigje të pyetjeve për Libinë, ai shpjegoi se kriza libiane vazhdon ende dhe se gjatë vizitës së realizuar më 27 nëntor nga Kryetari i Këshillit Presidencial të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), Fayez al-Sarraj, i cili gëzon njohje ndërkombëtare dhe ka ardhur disa herë në Turqi, ndërmjet dy vende u nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi, njëri për zonat e juridiksionit detar në Mesdhe dhe tjetri për bashkëpunim në fushën e sigurisë.

Kalin tërhoqi vëmendjen se fillimi i një lufte civile të re në Libi është i pashmangshëm nëse komuniteti ndërkombëtar nuk i thotë “ndal” Haftarit.

“Atje mund të shpërthejë një luftë civile shumë më e përgjakshme. Tani procesi po i ngjan çdo ditë e më tepër tablosë së 3 viteve më parë në Siri. Të gjithë ata që shohin një vakum politik strategjik, po shkojnë atje. Së fundmi edhe Rusia kërkon të përfshihet në procesin e atjeshëm”, vlerësoi ai.

Zëdhënësi presidencial turk sqaroi se libianët i kanë paraqitur Ankarasë zyrtare një kërkesë në kornizën e të gjithë këtij sfondi.

“Mocioni (për dërgimin e ushtarëve turq në Libi) do të vijë në Kuvend, do të miratohet dhe pastaj do të shikohen rrethanat. Ata kanë një kërkesë të tillë. Pasi të vlerësohen të gjitha këto rrethana, presidenti ynë do të marrë vendimin përfundimtar. Kurse ne, ndërkohë, do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar në aspektin politik dhe teknik”, tha Ibrahim Kalin.

Ai potencoi se ekziston gjithashtu një proces libian i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.

“Atje (në OKB) ka një proces që do të mbledhë palët, do t’i hapë rrugën procesit politik dhe do të sigurojë armëpushimin. Gjermania kërkon të jetë mikpritëse për këtë. Është duke u planifikuar mbajtja e një samiti andej nga gjysma e dytë e muajit janar. Sot pasdite presidenti ynë do të ketë një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ata do ta diskutojnë këtë çështje përsëri gjatë bisedës telefonike”, u shpreh zëdhënësi Kalin mes të tjerash./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne