Opinion

IDENDITETI ISLAM I SHQIPTARËVE – MIT APO REALITET?!

Ermal BEGA*

Identiteti islam dhe/ose identiteti europian i shqiptarëve, kohët e fundit është bërë një problem bukur i madh ndërmjet personaliteteve të shquara, akademikëve dhe studiuesve të ndryshëm të trojeve shqiptare.

 

Problemet mbi këtë çështje mund të themi se nuk janë risi për ne shqiptarët e vuajtur gjatë historisë, por më shumë po i hasim në kohën e fundit, kur për një kohë të gjatë nëpër gazetat dhe mediat e ndryshme të shkruara dhe elektronike në Shqipëri dhe Kosovë u hap debati për atë se shqiptarët a kanë identitet musliman (që i përkasin fesë Islame) apo kanë identitet europian (që do të thotë që duhet të jenë të krishterë-katoliko-latin apo greko-sllavo-orthodoks)?

Nuk e kuptoj xhanën, pikë së pari, se përse duhet bërë ky lloj debati kot më kot, duke marrë parasysh se e gjithë Europa dhe bota në përgjithësi e dinë shumë mirë dhe shumë qartë që shumica e popullit shqiptar i përket fesë Islame, me vepra ose pa to (praktikues ose jo), me dije apo me injorancë (si shumica e disa të paditurve shqiptarë të cilët kanë emër musliman, por nuk e kanë fare haberin nga feja e tyre).

Së dyti, unë nuk arrij të kuptoj se përse po bëhet kjo politikë kaq e poshtër anti-islame në Shqipëri. Islami është një besim i cili kurrë nuk ka krijuar probleme tek ata të cilët e praktikojnë, dhe askush nuk ka parë ndonjë gjë të keqe nga ai besim dhe nga këta besimtarë.

Nëse të mohuarit e identitetit islam të shqiptarëve, dhe frika se nëse paraqitemi si muslimanë nuk mund të hyjmë në Europë është arsyeja e vetme e këtyre personaliteteve, atëherë ne i përgjigjemi se “frika është bashkudhëtare e përhershme e së padrejtës” (U. Shekspir), dhe “guximi pa arsyen është vetëm një nga llojet e frikës” (Seneka).

Por për t’u kthyer përsëri në temën për të cilën po flasim, doja të citoja këtu një pyetje-thënie të hoxhës, atdhetarit, mësuesit, ish-këshilltarit të Ministrisë së Arsimit dhe politikanit të madh shqiptar Hafiz Ali Korçës kur në vitin 1944, në botimin e dytë të librit të tij “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë” (libër i cili u ribotua në vitin 2006, në Tiranë), thotë: “Kur Europa vendosi që të krijonte këtë copë Shqipëri, a nuk na vuri përpara kushtin se në rast se do të largoheshim nga feja Islame do ta ndërtonin këtë copë Shqipëri, përndryshe do ta copëtonin krejtësisht. Por kjo nuk është aspak e drejtë, sepse ne e dimë shumë mirë se po të mos ishte shumica e popullsisë muslimane edhe kjo copë do të ishte pjesëtuar dhe do të ishte ndarë”.

Në lidhje me bisedimet dhe debatet e shumta të cilat po shtrohen në media dhe propagandën e madhe se gjoja shqiptarët janë dhe kanë një shtet laik (kjo sigurisht që është bërë për të mënjanuar shumicën muslimane shqiptare), doja të shtoja një thënie të Napoleon Bonopartit, në kohën kur ai pa se liberalizmi i pakufishëm pati kapërcyer kulmin dhe feja ishte marrë nëpër këmbë, ku thotë: “Feja (besimi) duhet, sepse edhe nëse nuk do të ekzistonte asnjë fe (besim), ne duhet të krijojmë një të tillë, sepse moralin dhe disiplinën e një kombi vetëm feja mund ta sigurojë, dhe pasi e tha këtë përgatiti një kler të pajisur ashtu siç e deshti nevoja”.

Gjermanët thonë: “Një profesor, sado i ditur të jetë, po ishte afetar (laik) nuk duhet që të hyjë as në shkollat fillore e as në universitete”.

Shprehja e fundit është e përshtatshme për ata të cilët kërkojnë që t’i kthejnë të gjithë shqiptarët në fenë e krishterë, të cilët deri dje e sulmonin Islamin dhe muslimanët shqiptarë në mënyrë të fshehtë, ndërsa tani na dalin si trima nëpër media elektronike dhe të shkruara duke e pohuar përsëri me një këmbëngulje si derri se shqiptarët nuk i përkasin identitetit oriental musliman, por i përkasin atij europian të krishterë.

Më e keqja është se këta personalitete nga ana e emrit i përkasin edhe vetë besimit Islam, pavarësisht se nga xhahiliteti (injoranca) e tyre mbi Islamin i ngatërrojnë termat si: myslimanizmi me Islamin, muhamedanë me muslimanë etj. Islami nuk ka marrë emrin e profetit i cili ka zbritur për t’iu shpallur këtë besim dhe program jetese njerëzve, ashtu si e ka marrë krishtërizmi nga Krishti (Isa sipas Islamit), Budizmi nga Buda etj.

Por nëse këta personalitete nuk kanë dëshirë që ta shpallin besimin islam të tyre, ata kanë të drejtë edhe të pranojnë një besim tjetër (pavarësisht se sipas kushtetutës islame, ai i cili në fillim ka qenë musliman e më pas e ndërron atë më një besim tjetër, duhet vrarë), dhe në këtë rast mund të ndryshojnë edhe emrat e tyre, si p.sh. nga Hajrullah (që ka kuptimin “mirësia e Zotit”) në Thanas ose Vangjel, nga Abdullah në Pal ose Gjin, nga Ismail (emër profeti i madhëruar – Ishmail për të krishterët) në Gjon, nga Fahri (i cili e ka kuptimin “gëzues”) në Françesk etj., por nuk kanë aspak të drejtë që të ndërhyjnë në punët personale të individëve të tjerë ose të një shumice të një besimi të caktuar, sepse në këtë mënyrë vetvetiu krijohen përçarjet ndërmjet komuniteteve dhe përgjegjësia më vonë u mbetet atyre për situatën që mund të krijohet, si në rastin kur ndodhi ajo përçarja mes komunitetit me shumicë muslimane dhe atij katolik në Shkodër për çështjen e vendosjes së kryqit në kodër, dhe pikërisht në një vend ku shumica e banorëve të asaj zone i përkasin besimit Islam).

Është e vërtetë se tani shqiptarët po jetojnë në liri dhe në demokraci, por liria dhe demokracia kanë një slogan, i cili thotë: “Liri dhe demokraci do thotë që je i lirë të bësh dhe të thuash gjithçka që dëshiron, me përjashtim që të mos i bësh dëm vetes dhe të tjerëve”.

Në këtë kontekst, këtu hyn edhe ideja se çdokush është i lirë që të zgjedhë atë që dëshiron, por nuk mundet dhe nuk ka të drejtë që t’ia imponojë të tjerëve mendimin e vet.

Ne (e kam fjalën për pseudo-muslimanët shqiptarë) nuk mund të bëhemi “më katolikë se Papa”.

Atëherë përse të debatojmë kot së koti për një çështje e cila është zgjidhur nga vetë ne shqiptarët që me pranimin e Islamit para rreth 600 e ca vjetësh (para ardhjes së turqve), ku dihet mirë se populli shqiptar e ka pranuar me vetëdije dhe me dëshirë Islamin, për arsye objektive dhe subjektive të cilat dihen, dhe kurrë me dhunë, dhe për ato periudha për të cilat ka pasur “dhunë”, ato kurrë nuk kanë ndodhur për të pranuar Islamin me dhunë, por për çështje politike dhe personale.

Kjo tregon shumë qartë se edhe shqiptarët kurrë nuk kanë luftuar ndërmjet tyre për çështje fetare, por vetëm për çështje personale dhe fisnore.

Ndërkohë, në kohët e sotme në Shqipëri dihet fare mirë se personat që drejtojnë shumicën e politikës, artit, kulturës, biznesit, kinematografisë, mediave, publikimit të librave etj. janë persona të besimit të krishterë (katolikë e veçanërisht orthodoks, ku shumica e tyre janë me origjinë jo-shqiptare, por të vendosur prej disa kohësh në Shqipëri), dhe për të cilët asnjëherë nuk u tha ndonjë gjë kundër tyre.

Një ditë, prej një shoku dëgjova se publicisti dhe deputeti Nikollë Lesi, në gazetën që ai drejton, para disa kohësh (bëhet fjalë për këtë vit) kishte botuar një artikull ku kishte treguar për origjinën e disa prej politikanëve të një partie, ku shumica e tyre ishin të besimit orthodoks por nuk ishin me origjinë shqiptare, dhe nuk dëgjuam se u bë ndonjë problem ose deklaratë nga muslimanët shqiptarë pse ata ishin të krishterë, sepse Islami e pranon edhe sundimin e jomuslimanëve në gjendjen kur nuk mund të gjendet një person i përshtatshëm për të qeverisur ose kur një vend musliman pushtohet, vetëm e vetëm në rastet kur ata janë të drejtë dhe qeverisin me drejtësi.

Fatkeqësisht, besimet e tjera nuk e kanë këtë tolerancë, por ata kërkojnë që medoemos ai popull të kthehet në fenë e atyre që sundojnë.

Europa (Perëndimi) e krishterë nuk e shikon Islamin vetëm si një mur ose si një bllokadë përballë dëshirave ose pretendimeve të tyre, por ata (Europa dhe Perëndimi) besojnë dhe janë të bindur se Islami është rreziku i vetëm kundër tyre dhe shteteve të tyre.

Orientalisti i krishterë europian Gardner thotë: “Është forca e fshehtë e Islamit ajo që e frikëson Europën”.

Identiteti kristiano-europian i shqiptarëve është një parrullë e shpallur që nga fillimet e shekullit XX (kjo i përgjigjet asaj thënies që përmendëm më lart, të thënë nga Hafiz Ali Korça), dhe e cila mori përmasa më të mëdha pas viteve ’90 të shekullit XX.

Me të madhe po sulmohet edhe prania e Shqipërisë në Konferencën Islamike me qendër në Arabinë Saudite, ku Shqipëria ka edhe përfaqësinë e saj atje. Për këtë antarësim në atë organizatë u fol shumë edhe në debatin i cili u mbajt para disa ditësh në Tiranë, mbi çështjen e identitetit europian të shqiptarëve, ku morën pjesë disa prej personaliteteve të cilët e përkrahin identitetin europian të krishterë të shqiptarëve. Por, fatkeqësisht, aty nuk kishin ftuar (si duket me ndonjë qëllim të caktuar) dhe nuk ishte prezent asnjë i ftuar nga Komuniteti Musliman Shqiptar (KMSH) ose ndonjë personalitet musliman i njohur ose pak i njohur (për të mos thënë aspak) nga mediat, por aty ishin ftuar vetëm personalitete të komuniteteve të krishtera, katolike dhe orthodokse (si dhe priftërinj të këtyre besimeve), studiues të ndryshëm të cilët përkrahin identitetin europian të krishterë të shqiptarëve, drejtori i librotekës (e jo biblio-tekës) kombëtare, i cili është vlleh orthodoks e të tjerë personalitete të krishterë ose pseudo-krishterë.

Nëse ne debatojmë se pse Shqipëria, me një përqindje prej 80 % të fesë Islame, është anëtare e Konferencës Islamike, atëherë çfarë duhet të themi për Ukrainën (në mos gabohem) që edhe ajo është pjesëtare e po të njëjtës konferencë, ku përqindja e muslimanëve atje është tepër e ulët.

Sa për identitetin “gjysmak” të shqiptarëve, që ose duhet t’i përkasim Orientit ose Europës, kjo është një çështje delikate për të cilën nuk mund të sqarohet vetëm me një të shkruar të lapsit ose vetëm me një të hapur të gojës. Islami në kohën mbas sistemit komunisto-ateist në Shqipëri është treguar ashtu siç është në të vërtetë, d.m.th. ai Islam i cili ka ekzistuar gjithmonë, dhe kjo korrespondon me thënien e orientalistit Gardner të cilën e përmendëm më lart, që Europën e frikëson forca e fshehtë e Islamit. Zaten, edhe këta persona që kërkojnë medoemos të identifikohen me identitet të krishterë europian, janë pjellë e atij sistemi.

Nuk është e vërtetë se muslimanët shqiptarë nuk e duan Europën, sepse me dashje ose padashje, është Zoti që na ka vendosur në këtë pjesë të botës e të Europës, dhe ne jemi shumë më të lidhur me të (me Europën) sesa me Orientin, por problemi qëndron në atë se, duke iu kthyer përsëri fjalëve të përmendura më lart dhe thënies së Gardnerit, duhet që Europa të mos ia ketë frikën Islamit te shqiptarët, por duhet të na pranojë kështu siç jemi, e të mos na zhvarrisë mu ashtu siç po e zvarrit edhe Turqinë prej disa vitesh.

Identiteti fetar islam te shumica e shqiptarëve si pjesëtarë të kontinentit kurvë-plakë do të ekzistojë derisa Europa ose do të mundohet të na kthejë neve me forcë në krishtërizëm nëpërmjet misionarëve dhe delegatëve të saj, të brendshëm dhe të jashtëm, siç po i kthen disa nga personalitetet e njohura shqiptare (me dëshirë ose kundrejt ndonjë pagese të majme, ndonjë çmimi apo ndonjë posti), ose do të na përçajë dhe të durojë derisa vetë ne të pranojmë kushtet që ajo kërkon nga populli ynë shqiptar.

 

* Autori është drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (Acfos Albania), Tiranë.

OPINIONE