Idlib – 312 mijë njerëz janë shpërngulur në kampet afër kufirit turk

Që nga 1 dhjetor 2019 e deri më sot nga qyteti i Idlibit në Siri drejt kufirit me Turqinë janë shpërngulur 312 mijë njerëz.

Ministri i Punëve të Brendshme Suleyman Soylu bëri një deklaratë në lidhje me çështjen.

Në fjalën e tij të mbajtur gjatë Promovimit të Fushatës së Ndihmave për Idlibin të organizuar nga Drejtoria e Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore dhe Emergjencave Civile në Turqi (AFAD) në Ankara, ministri Soylu tha se me iniciativat e Presidentit Recep Tayyip Erdogan u vendos armëpushimi në Libi dhe Idlib dhe në sajë të kësaj njerëzit atje marrin frymë më lirshëm.

“Para fillimit të luftës civile në Idlib (në vitin 2011) jetonin 1,5 milionë banorë”, deklaroi ministri Soylu ndërsa shtoi se gjatë luftës qyteti mori migracion intensiv të brendshëm dhe numri i banorëve arriti në 3,7 milionë.

“Si pasojë e zhvillimeve dhe luftimeve që po jetohen kohëve të fundit prej 1 dhjetori e deri më sot 312 mijë njerëz u shpërngulën në zonën në afërsi të kufirit tonë. 76 për qind të të zhvendosurve janë gra e fëmijë. Ata vijnë në 9 kampe të ngritura 20 km larg kufirit tonë”, bëri të ditur Soylu.

Suleyman Soylu falënderoi të gjitha organizatat bamirëse për mbështetjen e tyre dhe bëri këtë vlerësim:

“Kryesia e AFAD-it, Gjysmëhëna e Kuqe, Enti i Çështjeve Fetare dhe të gjitha organizatat tjera bamirëse janë përpjekur të bëjnë më të mirën e tyre nga shpërndarja e tendave e deri te ushqimet, nga ndihma shëndetësore deri te të gjitha materialet që nevojiten në mjedisin dimëror. Deri më tani këto ndihma iu dorëzuan 217 mijë e 320 personave në nevojë. Por këto nuk janë të mjaftueshme”, përfundoi ministri Soylu./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne