Iku dhe Butrinti/ Mafia e trashëgimisë nis procedurat e PPP

Është përfolur shumë herë, ka pasur shumë specialistë që e kanë paralajmëruar këtë që po ndodh sot, por pikërisht prej absurditetit që përfaqëson, pothuaj askush nuk e ka besuar. Njerëzit që jetojnë në këtë vend, intelektualët e vërtetë, studiuesit e vërtetë të historisë dhe trashëgimisë, kanë refuzuar ta besojnë sepse ky do të ishte vërtet kulmi i një qeverie që e ka ndarë mendjen të shkatërrojë gjithçka.

Por ja ku jemi përballë asaj që, deri dje, refuzonim ta besonim: Ministria e Kulturës ka njoftuar tre ditë më parë se ka nisur bisedimet për planin e menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit.

A e dini çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë se Parku Kombëtar i Butrintit, i mbrojtur nga UNESCO, një nga më të mëdhenjtë në vendin tonë, në gjendje të shkëlqyer, një destinacion i jashtëzakonshëm turistik, që i fut arkës së shtetit 1 milionë euro të ardhura në vit vetëm nga vizitorët, do të jepet me konçension. Një tjetër PPP do të firmoset së shpejti. Në fakt thjeshtë do të zyrtarizohet sepse praktikisht letrat janë bërë gati më kohë, plani i vjedhjes së Butrintit është i vjetër e djallëzor po aq sa edhe njerëzit që do ta marrin në administrim de facto e që nuk është fare e vështirë të merren me mend se cilët janë.

Historia ka nisur që kur u krijua një Fondacion që gjoja kishte për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Quhet Forumi për Mbrojten e Trashëgimisë Kulturore dhe ka tre protagonistë: Artan Shkrelin, Artan Lamen dhe Auron Taren. Ky i fundit drejtor për shumë vite i Butrintit, një nga njerëzit që ka kontribuar më shumë për këtë pasuri kombëtare, por edhe që e ka dëshiruar më shumë. Forumi ka edhe shumë emra të tjerë në përbërje të tij, kryesisht profesionistë të fushave të ndryshme, por që mbahen nën hyqëm duke u ftuar për dreka e darka herë pas herë nga pronarët e vërtetë, duke u gënjyer nga deklaratat e Shkreli & CO që bëjnë sikur u pret barku për trashëgiminë etj., etj.

Se si ka qenë performanca publike e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore jemi dëshmitarë që të gjithë. Sa kohë që Rama ishte në opozitë, Shkreli, Lame e Tare dilnin e shkulnin flokët nga histerizmi për çdo dërrasë të kalbur që hiqej nga oborri i një monumenti të trashëgimisë. Ama pasi Rama erdhi në pushtetit, Shkreli i shkoi afër për të marrë administrimin e çdo qindarke të hedhur për Rilindjen Urbane, Artan Lame u bë drejtor i ALUIZNIT, pra i çdo centimetri tokë në Shqipëri, ndërsa Auroni i drejtoi sytë nga bregdeti si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, por që kurrë nuk arriti ta kenaqte oreksin e tij me të.

Ndërkohë që ndodhnin këto, ndërkohë që Artan Shkreli e Artan Lame mbushnin llogaritë bankare off shore, përgatisnin atë që e kanë dëshiruar me vite: planin e Butrintit.

Dosja është kopsitur dhe përpunuar mirë. Është përgatitur terreni me pushtetin vendor; drejtuesit lokalë janë bërë me kohë aleatë në këmbim të vendeve të punës; janë bërë raporte që e nxijnë realitetin dhe theksojnë se sa e domosdoshme është kjo ndërhyrje; u bënë ndryshimet e nevojshme ligjore që garantojnë monopolin në treg, tani ka filluar procesi i dëgjesave në fund të të cilave natyrisht do të theksohet nevoja e marrjes së Butrintit nga një konçensionar dhe…u kry!

E gëzofsh Butrintit, Artan Shkreli & Co!

E ke merituar! Ke kaq shumë vite që po punon në këtë drejtim, sa realisht e ke merituar!

E përmbledhur shumë shkurt, kjo është e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një PPP që pritet të firmoset së shpejti. Kjo është ajo çfarë kjo qeveri po u bën shqiptarëve. Po u vjedh gjithçka dhe po i përzë nga trojet e tyre.

A thua do të vijë dita që këta monstra të përgjigjen për krimet që po bëjnë?

A është misioni i kësaj qeverie zhdukja nga harta e botës e Shqipërisë dhe shqiptarëve? Gjërat që po ngjasin bëjnë edhe më skeptikun ta besojë këtë…/Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne