Inspektoriati i Punës: në 6 muaj 25 të vdekur nga mbi 100 aksidente

Në 6 muajt e fundit 25 persona kanë humbur jetën si pasojë 109 aksidenteve të raportuara në punë.

Lajmi u bë me dije nga Irena Gjoka, përgjegjëse në Inspektoriatin e Punës (IP), e cila ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up” në Top-Channel.

Sipas Gjokës kompanitë vazhdojnë t’i fshehin rastet e aksidenteve, ato nuk raportohen fare ose raportohen me vonesë:

“Në 10 për qind të rasteve që ne kemi shqyrtuar, lajmi është raportuar nga mediat, i lënduari, apo familjarët”.

Të dhënat e raportuara nga IP bëjnë fjalë për aksidente që kryesisht ndodhin në sektorin e prodhimit – si fasoneria – dhe atë minerar, ndërsa për sa i përket ndërtimit, aksidentet në këtë sektor zënë 23 për qind të totalit.

Por në sektorin e ndërtimit aksidentet konsiderohen me vdekshmëri shumë herë më të lartë.

Gjoka tregoi se IP ka vetëm 98 inspektorë, të cilët mund të mbulojnë deri në 6 për qind të kompanive.

Megjithatë ajo u shpreh se “sado të jetë, numri i inspektorëve do të jetë i pamjaftueshëm nëse nuk rritet kultura parandaluese e aksidenteve në punë”.

Pas rasteve të muajve të fundit ku humbën jetën tre punëtorë, IP nisi një fushatë inspektimi dhe sipas Gjokës, deri më tani ka “pezulluar 16 kompani ndërtimi”./ EXIT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne