Intelektualët II

Nga Antonio Gramsci

[…] Duhet theksuar se formimi i shtresave intelektuale në realitetin konkret nuk ndodh në një terren demokratik abstrakt, por sipas proceseve historike tradicionale tejet konkrete. Kështu kemi formimin e disa shtresave që tradicionalisht “prodhojnë” intelektualë dhe janë po ata që zakonisht janë të specializuar në “kursim”, domethënë borgjezia e vogël dhe e mesme e tokës dhe disa shtresa të borgjezisë së vogël e të mesme urbane. Shpërndarja e ndryshme në territorin “ekonomik” e llojeve të ndryshme të shkollave (klasike dhe profesionale) dhe aspiratat e larmishme të kategorive të ndryshme të këtyre shtresave përcaktojnë ose i japin formë prodhimit të degëve të ndryshme të specializimeve intelektuale. Kësisoj në Itali borgjezia rurale prodhon veçanërisht funksionarë shtetërorë dhe profesionistë të lirë, ndërsa borgjezia urbane prodhon teknikë për industrinë: për rrjedhojë Italia e veriut prodhon sidomos teknikë dhe Italia e jugut sidomos funksionarë dhe profesionistë.

Marrëdhënia ndërmjet intelektualit dhe botës së prodhimit nuk është e pandërmjetësuar, sikundër ndodh me grupet shoqërore themelore, por e “ndërmjetësuar”, në shkallë të ndryshme, nga e tërë struktura shoqërore dhe nga tërësia e superstrukturave, “funksionarë” të të cilave janë pikërisht intelektualët. Është e mundur të matet “organiciteti” i shtresave të ndryshme intelektuale, shkalla e lidhjes së tyre me një grup shoqëror themelor, duke përcaktuar një shkallëzim të funksioneve dhe të superstrukturave nga poshtë lart (nga baza strukturore e lart). Ajo që mund të bëhet, për momentin, është përcaktimi i dy “niveleve“ të mëdha superstrukturore: njëri është ai i “shoqërisë civile”, domethënë i tërësisë së organizmave të quajtur zakonisht “privatë” dhe tjetri ai i “shoqërisë politike ose Shtetit”. Këto dy nivele përkojnë përkatësisht me funksionin e “hegjemonisë” të ushtruar nga grupi sundues në tërë shoqërinë dhe me atë të “sundimit të drejtpërdrejtë” ose drejtimit të ushtruar nëpërmjet shtetit dhe qeverisjes “juridike”. Këto funksione janë pikërisht organizative dhe ndërlidhëse. Intelektualët janë “nëpunësit” e grupit sundues të cilët ushtrojnë funksionet e varura të hegjemonisë shoqërore dhe qeverisjes politike, domethënë: I) të konsensusit “spontan” të dhënë nga masat e mëdha të popullsisë ndaj drejtimit që grupi shoqëror sundues i jep jetës shoqërore; konsensus i cili lind “historikisht” nga prestigji (e për rrjedhojë nga besimi) që fiton grupi sundues si pasojë e funksionit të tij në botën e prodhimit; II) të aparatit të shtrëngimit shtetëror i cili mundëson “ligjërisht” disiplinimin e atyre grupeve të cilët nuk “pajtohen” as aktivisht e as pasivisht me të. Ky aparat është krijuar për tërë shoqërinë për t’iu bërë ballë periudhave të krizës së drejtimit dhe udhëheqjes ku konsensusi ka dështuar. Kjo mënyrë e shtrimit të problemit prodhon si rezultat një zgjerim shumë të madh të konceptit të intelektualit, mirëpo vetëm kështu është e mundur të arrihet një përafrim konkret i realitetit. Kjo mënyrë e shtrimit të çështjes bie ndesh me paragjykimet e kastës: është e vërtetë që funksioni organizativ i hegjemonisë shoqërore dhe i sundimit shtetëror prodhon njëfarë ndarjeje të punës  e për rrjedhojë një shkallëzim të tërë kualifikimesh, në disa prej të cilave nuk shfaqet më asnjë funksion drejtues apo organizativ: në aparatin drejtues shoqëror dhe shtetëror ekzistojnë një sërë punësh të natyrës manuale dhe me vegla (punë të dorës së dytë dhe jodrejtuese, përfaqësuesish dhe jozyrtarësh apo funksionarësh etj.). Është e qartë që një dallim i tillë duhet bërë, ashtu siç duhet bërë edhe ndonjë tjetër. Në të vërtetë, veprimtaria intelektuale duhet dalluar në nivele edhe sipas karakteristikave të saj të brendshme, në nivele të cilat në momentet e kundërshtisë ekstreme përfaqësojnë një dallim të mirëfilltë cilësor: në nivelin më të lartë do të jenë për t’u vendosur krijuesit e shkencave të ndryshme, të filozofisë, të artit etj.; në më të ulëtin do të jenë për t’u vendosur më të përulurit “administratorë” dhe popullarizues të pasurisë intelektuale tradicionale të mbledhur që ekziston tashmë. Edhe në këtë rast organizimi ushtarak ofron një model për këto shkallëzime komplekse: oficer depror, oficer epror, shtatmadhori; dhe nuk duhen harruar nënoficerët, rëndësia e vërtetë e të cilëve është më e madhe nga ç’mendohet zakonisht. Është interesante të vërehet që të gjitha këto pjesë përshkohen nga një ndjenjë solidariteti dhe që shtresat e ulëta madje shfaqin një frymë reparti që bie në sy dhe marrin prej kësaj fryme një “kapadaillëk” i cili shpesh i përball me thumbime dhe përqeshje.

Në botën moderne, kategoria e intelektualëve, e kuptuar në këtë mënyrë, është zgjeruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Sistemi shoqëror demokratiko-burokratik ka krijuar një masë të madhe funksionesh, të cilat jo të gjitha janë të justifikuara nga nevojat shoqërore të prodhimit, ndonëse janë të justifikuara nga nevojat politike të grupit sundues themelor. Që këtej kemi konceptimin e Loria-s mbi ”punëtorin” joprodhues (por prodhues duke iu referuar kujt dhe cilës mënyrë të prodhimit?), i cili pjesërisht mund të justifikohet nëse merret në konsideratë fakti që këto masa shfrytëzojnë pozicionin e tyre për të përfituar një pjesë të madhe të të ardhurave kombëtare. Formimi i kësaj mase e ka standardizuar individin si psikologjikisht ashtu edhe në termat e kualifikimit individual dhe ka prodhuar të njëjtin fenomen si me masat e tjera të standardizuara: konkurrenca që krijon nevojën e organizimit profesional dhe që shpie në papunësi, në mbiprodhimin e të arsimuarve nga sistemi arsimor, emigrim etj.

Qëndrimet e ndryshme të intelektualëve të llojit urban dhe llojit rural. Intelektualët e llojit urban janë krijuar bashkë me industrinë dhe e kanë të lidhur fatin me të. Funksioni i tyre mund të krahasohet me atë të oficerëve depror në ushtri: nuk kanë asnjë iniciativë të pavarur në përpunimin e planeve ndërtuese; ato thjesht artikulojnë marrëdhënien ndërmjet masës instrumentale dhe sipërmarrësit, përpunojnë ekzekutimin e menjëhershëm të planit të prodhimit të vendosur nga shtatmadhoria e industrisë, duke kontrolluar fazat elementare të punës. Në mesataren e tyre të përgjithshme intelektualët urbanë janë të standardizuar; intelektualët e lartë urbanë ngatërrohen gjithnjë e më shumë me vetë shtatmadhorinë industriale.

Intelektualët e llojit rural janë “tradicionalë” në pjesën më të madhe, domethënë janë të lidhur me masën shoqërore fshatare dhe atë mikroborgjeze të qytetit (veçanërisht në qytetet e vogla), të cilat ende nuk janë zhvilluara dhe vënë në lëvizje nga sistemi kapitalist: ky lloj intelektuali vë në kontakt masën e fshatarëve me administratën shtetërore  apo atë lokale (avokatë, noterë etj.) dhe pikërisht si pasojë e këtij funksioni ai ka një rol të madh politiko-shoqëror, sepse ndërmjetësimi profesional është e vështirë të ndahet nga ndërmjetësimi politik. Veç kësaj: në fshat intelektuali (prift, avokat, mësues, noter, mjek etj.) ka një mënyrë jetese mesatarisht më të lartë ose së paku të ndryshme nga ajo e fshatarit mesatar, e për këtë arsye ai përfaqëson për këtë të fundit një model shoqëror për aspiratën e tij për të dalë gjendja ku ndodhet dhe për ta përmirësuar atë. Fshatari mendon gjithmonë që së paku njëri nga fëmijët e tij do të mund të bëhet intelektual (në mënyrë të veçantë prift), domethënë të bëhet një zotëri, duke e ngritur kësisoj nivelin shoqëror të familjes dhe e lehtësuar jetën e saj ekonomike me anë të lidhjeve, të cilat është e pamundur të mos i ketë, me zotërinjtë e tjerë. Qëndrimi i fshatarit kundrejt intelektualit është i dyfishtë dhe me ç’duket kontradiktor: ai e admiron pozicionin shoqëror të intelektualit dhe në përgjithësi të nëpunësit shtetëror, mirëpo ndonjëherë shtiret sikur e përçmon atë, domethënë admirimi i tij është i përlyer instniktivisht me elementë të zilisë dhe zemërimit të papërmbajtshëm. Nuk mund të kuptohet asgjë nga jeta kolektive e fshatarëve , nga filizat dhe nga fara e ndryshimit që mbartet brenda saj, nëse nuk merret në konsideratë, nëse nuk studiohet konkretisht dhe nuk përthellohet kjo varësi reale ndaj intelektualëve: çdo zhvillim organik i masave fshatare është i lidhur, deri në njëfarë pike, me lëvizjet e intelektualëve si dhe varet prej saj.

Me intelektualët urbanë çështja qëndron ndryshe: teknikët e fabrikës nuk ushtrojnë asnjë funksion politik mbi masat instrumentale, ose të paktën kjo është një fazë e kapërcyer tashmë; ndonjëherë ndodh pikërisht e kundërta, që masat instrumentale, të paktën nëpërmjet intelektualëve të tyre organikë, ushtrojnë ndikim politik mbi teknikët. Pika qendrore e çështjes mbetet dallimi ndërmjet intelektualëve si kategori organike e çdo grupi shoqëror themelor dhe intelektualëve si kategori tradicionale; dallim nga i cili dalin një sërë problemesh dhe kërkimesh historike të mundshme. Problemi më interesant është ai që ka të bëjë, nëse e shohim nga ky këndvështrim, me partinë politike moderne, origjinat e saj reale, zhvillimet dhe format e saj. Cila është natyra e partisë politike parë në lidhje me problemin e intelektualëve? Duhen bërë disa dallime: I) për disa grupe shoqërore partia politike nuk është tjetër përveçse mënyra e tyre për ta formuar kategorinë e tyre të intelektualëve organikë (të cilët formohen kështu dhe nuk mund të formohen ndryshe duke parë natyrën e përgjithshme dhe kushtet e formimit, të jetës dhe të zhvillimit të grupit shoqëror të dhënë) drejtpërdrejt në fushën politike dhe filozofike dhe jo në fushën e teknikës prodhuese (në fushën e teknikës prodhuese formohen ato shtresa intelektualësh të cilat mund të thuhet përkojnë me “nënoficerët” në ushtri, domethënë punëtorët e kualifikuar dhe të specializuar në qytet dhe në mënyrë më komplekse gjysmatarët dhe kolonët në fshat, pasi gjysmatari dhe koloni në përgjithësi përkon nga ana tjetër me artizanin i cili është punëtori i kualifikuar i një ekonomie mesjetare) ; II) partia politike, për të gjitha grupet, është pikërisht mekanizmi i cili në shoqërinë civile kryen të njëjtin funksion që kryen shteti në një masë më të gjerë e më të përmbledhur në shoqërinë politike, domethënë bën bashkëlidhjen ndërmjet intelektualëve organikë të një grupi të caktuar, atij sundues, dhe intelektualëve tradicionalë. Partia politike e kryen këtë funksion pikërisht duke u bazuar në funksionin e saj themelor që është ai i formimit të elementëve të saj përbërës – elementët e një grupi shoqëror të lindur e të zhvilluar si një grup “ekonomik” –  derisa i shndërron ata në intelektualë politikë të kualifikuar, në drejtues, në organizatorë të të gjitha veprimtarive dhe funksioneve që kanë të bëjnë me zhvillimin organik të një shoqërie si të tërë, si civile ashtu edhe politike. Mund të thuhet në fakt që në fushën e saj partia politike e kryen funksionin e vet në mënyrë shumë më të plotë dhe organike nga ç’bën shteti në fushën e tij më të gjerë: një intelektual që bëhet pjesë e një partie politike të një grupi të caktuar shoqëror përzihet me intelektualët organikë të këtij grupi, lidhet ngushtë me grupin; diçka e tillë nuk ndodh me pjesëmarrjen në  jetën shtetërore përpos se në mënyrë të rëndomtë e ndonjëherë asfare. Në të vërtetë ndodh që shumë intelektualë të mendojnë se janë shteti, një besim ky që, duke parë masën hijemadhe të kësaj kategorie, ka nganjëherë pasoja tejet të mëdha dhe sjell ndërlikime të pakëndshme për grupin themelor ekonomik i cili në realitet është shteti.

Që të gjithë anëtarët e një partie politike duhet të konsiderohen si intelektualë është një pohim i cili i lë shteg talljes dhe karikaturës; megjithatë, po ta mendojmë mirë, nuk ka asgjë më të saktë. Duhet bërë sigurisht një dallim nivelesh. Një parti në përbërjen e saj mund të ketë një numër më të lartë ose më të ulët anëtarësh në nivelet e epërme ose të ulëta, por nuk është kjo çështja: ajo çfarë ka rëndësi është funksioni, i cili është drejtues dhe organizativ, domethënë edukativ, domethënë intelektual. Një tregtar nuk futet të bëjë pjesë në një parti politike për të bërë tregti, as industrialisti nuk futet për të prodhuar më shumë dhe me kosto më të ulët, as fshatari për të mësuar metoda të reja për kultivimin e tokës, megjithëse disa aspekte të këtyre nevojave të tregtarit, industrialistit dhe fshatarit mund të plotësohen brenda partisë politike (opinioni i përgjithshëm e kundërshton diçka të tillë, duke pohuar se tregtari, industrialisti dhe fshatari “politikanë” humbasin në vend që të fitojnë, dhe janë më të këqijtë e kategorisë së tyre, çka është e diskutueshme). Për plotësimin e këtyre qëllimeve, brenda disa caqeve, ekziston sindikata profesionale në të cilën veprimtaria ekonomiko-korporative e tregtarit, industrialistit dhe fshatarit promovohet në mënyrë më të përshtatshme. Brenda partisë politike elementët e një grupi shoqëror ekonomik e kapërcejnë këtë moment të zhvillimit të tyre historik dhe shndërrohen në veprimtarë të një aktiviteti më të përgjithshëm, të natyrës kombëtare dhe ndërkombëtare.

(Vijon)

E përktheu Alfred Bushi/teza11

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne