Intervista e kandidates së PS brenda në Kishë, Mitropolia: Është sakrilegj dhe fyerje

Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit ka reaguar me një deklaratë të ashpër për intervistën e kandidates së PS për bashkinë e Roskovecit, Majlinda Bufi, e realizuar brenda Kishës së Shën Kollit në Roskovec. Intervista u transmetua në profilin e kryeministrit Edi Rama në ‘Facebook’.

Mitropolia e Fierit thotë se kjo intervistë është realizuar pa lejen e saj dhe përdorimin e Kishës për takime politike e konsideron “një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi”. Në deklaratë theksohet gjithashtu se kjo intervistë është në shkelje të marrëveshjes së vitit 2009, midis Qeverisë dhe Kishës Ortodokse, që “ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore.”

Reagime të forta ka patur edhe ndaj një takimi elektoral që kandidati i PS për bashkinë e Tepelenës, Tërmet Peçi, zhvilloi në një prej Kishave të zonës.

Deklarata e Mitropolisë së Shenjtë të Apollonisë dhe Fierit

Duke marrë shkas nga një emision i dhënë në ERTV, dhe nga qarkullimi i këtij emisioni në rrjetet sociale, ku një kandidate për Kryetare Bashkie jep një intervistë në ambjentet e një Kishe, pa dijeninë dhe lejen tonë, kërkojmë nga pushteti politik dhe vendor, si edhe nga të gjitha forcat politike, shoqata apo individë, që të mos përdorin Kishat dhe Tempujt e Shenjtë për deklarata, mbledhje apo mitingje politike.

Përdorimi i tyre për motive të tilla përbën së pari një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi. Së dyti, përbën shkelje të “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057 Date 22.01.2009). Pikërisht, neni 21 dhe 23 i këtij ligji ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore, me përjashtim të urdhërit ekzekutiv, pasi është marrë pëlqimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë./tch

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne