Bota

“Investimet në turizëm bien për 3 trilionë dollarë në 2020 për shkak të COVID-19”

Investimet në turizëm kanë rënë për 3 trilionë dollarë në të gjithë botën në vitin 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19, bën të ditur Instituti i Forumit Botëror të Turizmit.

“Shifrat kanë rënë në 2 trilionë dollarë nga 5 trilionë dollarë në vit”, tha Bulut Bagci, drejtues i institutit. Ai tha se pandemia shkaktoi humbje mbi 80 për qind në sektorin e turizmit.

Koronavirusi i ri i cili u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të gjithë botën duke shkaktuar probleme të rënda ekonomike ka prekur veçanërisht sektorët e udhëtimit dhe turizmit.

Bagci tha se ekonomitë e shumë vendeve mbështeten në turizëm dhe kjo prek direkt qindra sektorë.

Nëse gjendet vaksina ose përfundon pandemia, viti 2021 do të jetë i gatshëm për investime në sektorin e turizmit.

Ai tha se pret investime me vlerë prej 7-8 trilionë dollarë. Bagci thekson se SHBA është investitori më i madh në sektorin e turizmit, i ndjekur nga Kina, Franca, Gjermania dhe Spanja.

“Turqia hyri në këtë fushë në vitin 1983 dhe lulëzoi në vitet 2000. Ka pasur investime shumë të mira në turizëm, objektet tona janë kaq të reja”, tha ai.

Sipas tij, SHBA është gjithashtu vendi i parë me 230 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi, e ndjekur nga Spanja (75 miliardë dollarë), Franca (70 miliardë dollarë) Tajlanda dhe Mbretëria e Bashkuar (të dyja 65 miliardë dollarë).

Të ardhurat e Turqisë nga turizmi ishin 34.5 miliardë dollarë vitin e kaluar me 44.7 milionë vizitorë, një rritje trefish nga viti 2002, rikujton ai./AA

OPINIONE

INTERVISTA