Iran – Larijani: Përgjegjëse e sulmeve ndaj cisternave të naftës është SHBA-ja

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, e ka cilësuar si “plotësues të sanksioneve ekonomike” akuzën e Presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit lidhur me sulmin ndaj dy cisternave të naftës në Gjirin e Omanit duke fajësuar Uashingtonin si përgjegjës të sulmit.

Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve “IRNA”, Larijani ka thënë para deputetëve të Parlamentit iranian se “iniciativat e dyshimta kundër cisternave në Detin Arabik janë situatë plotësuese e sanksioneve ekonomike”.

Ai ka rikujtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën vënë në shënjestër anijet e tyre në afërsi të Japonisë për të krijuar armiqësi në Luftën II Botërore. Larijani ka pretenduar se administrata e Uashingtonit ka ndërmarrë një iniciativë të ngjashme pasi nuk ka arritur rezultate nga sanksionet.

Duke folur mbi marrëdhëniet SHBA-Iran në një emision të kanalit televiziv informativ “Fox News” në lidhje me sulmet në fjalë kundër cisternave në Gjirin e Omanit, lideri amerikan pati thënë se këtë gjë e kishte bërë Irani.

Drejtori i Përgjithshëm i Porteve dhe Marinës në Hormozgan, Allahmorad Afifipour, tha se ekuipazhi i anijes cisternë të naftës “Front Altair” është dërguar mbrëmë nga qyteti Bender-Abbas i Iranit për në Dubai.

Afifipour njoftoi se ekuipazhi prej 23 personash përbëhej nga 11 rusë – njëra grua, 11 filipinas dhe një me origjinë gjeorgjiane.

Sipas tij, cisterna e naftës “Front Altair” ka dalë nga vëzhgimi i Iranit të shtunën, pasi u është afruar ujërave territoriale të Fujairah, porti i vetëm i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Gjirin Persik.

Të enjten, cisternat e naftës “Front Altair” dhe “Kokuka Courageous” kërkuan ndihmë nga flota amerikane gjatë lundrimit të tyre në ujërat e Gjirit të Omanit me arsyen se ishin sulmuar. Anija cisternë “Kokuka Courageous”, e cila transportonte produkte të naftës për në Singapor dhe Tajlandë, pati marrë dy goditje në sulm dhe ekuipazhi i saj prej 21 personash qe evakuuar.

Administrata amerikan fajësoi menjëherë Iranin për sulmin duke publikuar edhe pamje që pretendonin se një gomone e Gardës Revolucionare të Iranit po mblidhte minat e pashpërthyera nga cisterna.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, akuzoi SHBA-në se po ndiqte “një diplomaci sabotuese” për sulmet./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne