Islami, islamofobia dhe Perëndimi

Islami dhe Perëndimi, nga popujt përkatës, perceptohen kryesisht si dy kategori të veçuara, jo rrallë të rivalizuara, dy bota të ndara dhe të mbyllura, që nuk kanë pika të përbashkëta. Islami si jomodern, irracional dhe violent dhe Perëndimi i qytetëruar, i lirë, i zhvilluar. (Lewis, 1990) Kjo pamje e rrëgjuar, e ngushtuar e Islamit nga Perëndimorët ka sjell deri te cilësimet e rrezikshme dhe reaksionet e palës tjetër

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Islamofobia, çdo ditë e më shumë, po aktualizohet, duke zënë hapësirë të konsiderueshme në mediat e shkruara, vizive, në rrjetet sociale, në tubimet e ndryshme akademike dhe politike populiste, teorike dhe të politikës ditore. Islamofobia u bë temë shoqërore, politike, ekonomike, përgjithësisht ideologjike, sidomos pas disa veprimeve terroriste në botë, si ajo më 11 shtator në Nju Jork, pastaj në qytetet e mëdha evropiane: Londër, Paris, Madrid etj. Perëndimi iu përgjigj këtyre akteve terroriste hiç më pak se me sloganin “luftë kundër terrorit”, të cilat pohime kaluan në veprime, por edhe në kufijtë nacionalë të vendeve të ndryshme. Përgjigje pati edhe Lindja e Afërme. Edhe masa e gjerë, por edhe intelektualë e grupe të ndryshme, fillimisht ftuan në qetësi, objektivitet, mirëkuptim dhe në ndaljen e shigjetave helmuese nga Perëndimi kundër fesë islame dhe muslimanëve, që ashtu të krijohet një klimë më e pranueshme për dialog për të dyja palët (http://www.acommonword.com/downloads/CW-Booklet-Final-v6_8-1-09.pdf.), e më pas edhe në veprime individuale ose grupore. Frika nga terrorizmi fundamentalist musliman, i nxitur dhe i ndihmuar nga mediat sensacionaliste evropiane dhe sidomos nga e djathta evropiane, nuk u reflektua vetëm kundër ekstremistëve (që janë përqindje tejet e vogël), por edhe kundër emigrantëve muslimanë në Evropë, të cilët – të ikur nga vatrat e luftës për të shpëtuar kokën – ia mësynë botës, e sidomos Perëndimit. Ky përgjithësim perëndimor i çështjes u manifestua, madje, kundër tërë botës muslimane në ksenofobi dhe islamofobi në mesin e popullsisë në përgjithësi. (https://www.socialeurope.eu/wp-content/uploads/2015/03/Pegida-eBook.pdf. Krhs.: https://en.wikipedia.org/wiki/Pegida)

Për të gjetur qasje më të baraspeshuar, edhe ndër muslimanët, edhe ndër euro-perëndimorët, duhet zgjedhur qasjen kritike, objektive, pa paragjykime fetare, racore, etnike, gjeografike. Dhuna duhet të dënohet, ndërsa vlera duhet të pranohet, qoftë nga Lindja, qoftë nga Perëndimi. Qasjet e tjera do ta vështirësojnë gjetjen e paqes.

Islamofobia në shoqërinë bashkëkohore

Lidhjet e para ndërmjet muslimanëve dhe kristianëve/evropianëve ndodhën herët dhe u shoqëruan me mosnjohje të palës tjetër. Islami, si fe, në sytë e Evropës ishte vepër djalli, i dërguar prej Zotit, si sfidë për vërtetimin e kristianëve të vërtetë. Muhamedi ishte antikrisht, magjistar, mashtrues, epsharak, nepçar. Kjo ide çohej përpara nga Kisha me qëllim të forcimit të identitetit fetar kristian dhe unitetit të tyre. (https://www.researchgate.net/publication/299498538_Islam_islamofobija_i_Zapad_suprotstavljeni_pogledi_i_drustvena_stvarnost)

Polarizimi Lindje-Islam dhe Perëndim-Kristianizëm sidomos u sforcua pas rrethimit të Kostantinopojës dhe depërtimit osman në Evropë. (Sipas: Adila Pavelić) Natyrisht, kjo klimë vazhdoi edhe me kolonializmin evropian, një periudhë në të cilën Lindja u pa jo vetëm kërcënuese për Perëndimin, por edhe irracionale dhe inferiore dhe kjo klimë vazhdoi, me anglezët dhe francezët në krye deri në ditët tona. Ajo fshihej, por edhe injorohej para popujve të vet, se gjatë shtetit osman ekzistonte pluralizmi religjioz. Shteti osman e njihte miletin mysliman, por edhe atë jomusliman (ortodoksët, joortodoksët dhe hebraikët). Mileti jomysliman, nga ana e shtetit osman, përfillej edhe në rrafshin drejtues, edhe juridik, edhe fetar, sepse ata i nënshtroheshin sistemit të tyre juridik fetar, e jo ligjit musliman. (N. Ibrahimi, Fjalë pas fjale, Shkup, 2016, fq. 351-362)

Sërish pohojmë se frika, urrejtja ndaj Islamit është e hershme, më e hershme se termi islamofobi. Disa emra autoritativë evropianë mendojnë se konceptualizimi dhe përkufizimi i islamofobisë zë fill me dokumentin e komisionit britanik me peshë politike, për muslimanët dhe islamofobinë, me titull, “Islamophobia: A ChallengeforUs All”. (https://www.unboundphilanthropy.org/sites/default/files/Runnymede%20Islamophobia%20Report%202018.pdf)

Spektri i islamofobisë është i gjerë dhe çdo ditë e tutje është më i pasur. “Islami është primitiv, i dhunshëm, seksist, ngatërrues, barbar, spontan, i paarsyeshëm” janë vetëm disa nga ‘atributet’ me të cilat përshkruhet feja islame. Perëndimi nuk e sheh te muslimanët partnerin, por të nënshtruarin, nuk sheh mikun, por armikun, nuk sheh dijen, por padijen. (Shih: A. Davutoglu, Kriza globale, Shkup, 2005)

Islamofobia, edhe pse fillimisht u përdor si term politik, tash atë e shohim për synime analitike, si koncept krahasues në shkencat shoqërore. Kjo është e shprehur sidomos në Evropë, mbase për shkak të migrimeve të njëpasnjëshme të muslimanëve të Afrikës dhe Azisë, por edhe të Ballkanit, në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI. (Mbi 2% e popullsisë botërore muslimane jeton në Evropë, kurse mbi 5% të popullsisë së përgjithshme të Evropës e përbëjnë muslimanët (pa llogaritur turqit): në Bosnjë – mbi 50%, në Shqipëri – mbi 75%, kurse në Kosovë – rreth 95%. (Lexo: N. Ibrahimi, Fjalë pas fjale, fq. 363-390) Forcat islamofobe fuqizohen nëse dobësohen ideologjitë dhe lëvizjet politike liberale dhe kjo manifestohet sidomos te emigrantët. Evropianët ndihen të irrituar dhe nuk kanë besim ndaj myslimanëve, ndërsa muslimanët ndjehen të rrezikuar dhe të diskriminuar në lagje, punë e shkollim.

Literatura dhe mediat mbi marrëdhëniet Islam-Perëndim

Për marrëdhëniet islamo-kristiane-perëndimore janë shkruar shumë artikuj e vepra, si më herët ashtu edhe kohët e fundit. Sidomos shkrimet e fundit janë interesante, sepse në njëfarë mënyre paralajmërojnë ecejake tepër komplekse, që nëse do të ndodhnin pak a shumë ashtu siç supozohet, do të kishin pasoja të rënda për njerëzinë dhe botën. Ndër ato që ka zgjuar interesim (pozitiv dhe negativ) është edhe ajo e S. Huntingtonit, pastaj ajo e F. Fukujamës, B. Luisit dhe tjerat si ajo e E. Saidit, S. H. Nasrit, A. Davutoglut etj. (N. Ibrahimi, http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1921)

Huntingtoni, në dekadën e nëntë të shekullit XX, paralajmëroi se burimi kryesor i konfliktit do të jetë i natyrës kulturore në vijat kufizuese ndërmjet qytetërimeve të ndryshme. (S. Huntignton, Përplasja e qytetërimeve, Shkup, 2009) Ata që do të përplasen, sipas tij, dhe do ta formësojnë të ardhmen e botës, janë disa qytetërime botërore, si ajo perëndimore, konfuçiane, japoneze, islame, hinduiste, sllavo-ortodokse, latino-amerikane dhe ndonjë afrikane. (S. Huntignton) Këto konflikte ai i sheh si pasoja të proceseve shekullore, para së gjithash ndërmjet Perëndimit dhe Islamit, si vazhdimësi e armiqësive shekullore. Përkundër vetëdijes së tij se qytetërimi perëndimor nuk është i vetmi, ai e kërkon dominimin e qytetërimit perëndimor si modern dhe perëndimizimin e të tjerëve, duke mos harruar pengimin e aleancave konfuçiane-islame. (S. Huntignton)

Ndër të parët që e përkufizoi konfliktin Perëndim-Lindje (islame) si “përplasje” është edhe autori i frytshëm B. Luis, i cili pohon se shekullarizimi dhe proceset e tjera moderniste në Perëndim nuk e patën suksesin e paramenduar te muslimanët dhe, në vend të qetësisë e mirëqenies, sollën varfëri në ekonomi, tirani në politikë dhe kolaps në politikën sociale. Problemin, ndër të tjera, Luisi e sheh në rezistencën muslimane për ta ruajtur “rrugën islame” si më të mirën e më efikasen karshi risive të shpifura të reformatorëve, por edhe si reaksion historik ndaj rivalitetit të lashtë judeo-kristian. Megjithatë, ai kërkon që njohja e ndërsjellë kristiano-muslimane të ndodhë, kurse muslimanët vetë ta zgjedhin rrugën e tyre drejt së ardhmes, pa paternalizëm nga jashtë.

Edhe pse koncepti i “përplasjes” së qytetërimeve u zbeh, me aktivitetet ushtarake perëndimore-amerikane në Lindjen muslimane dhe reaksionin musliman, sërish u vu në spikamë ky koncept ‘huntingtonian’ e ‘luisian’. Ky reaksion musliman ishte kundër tereotipizimit negativ të Islamit dhe polarizimit të marrëdhënieve Perëndim-Islam. Autorët, si Eugenio Chahuan (http://pij.org/articles/346) dhe Ervand Abrahamian (https://sites.hks.harvard.edu/fs/pnorris/Acrobat/Abrahamian_Clash.pdf) thonë se kësaj gjendjeje i ndihmoi drejtpërdrejt stereotipizimi i Islamit nga mediat amerikane, të cilat e theksuan mungesën e lirisë dhe demokracisë në Lindjen e Afërme, kjo me qëllim të arsyetimit të sulmeve amerikane në Afganistan, Irak e me radhë. Por, këto media i harrojnë padrejtësitë dhe dhunën ndaj muslimanëve që nga shekulli XIX e deri tash. Ato e harrojnë problemin e Palestinës etj. (Shafeeq N. Ghabra, Balancing State and Society: https://www.mepc.org/node/4727) Intelektuali arab Shefik N. Gabra pohon se dhunën dhe terrorizimin Perëndimi e sheh instinktivisht të lidhur me fenë islame, pa hyrë në thelb, pa shqyrtimin e faktorëve historiko-kulturorë.

Perëndimi, në vend të akuzave të rënda dhe sulmeve ushtarake mbi muslimanët, pra në vend që  të merren me pasojat, do të duhej të merrej më shumë me shkaqet që i çojnë muslimanët në pakënaqësi, në protesta, veprime terroriste etj. Kjo pakënaqësi e akumuluar e muslimanëve ndaj të huajve, por edhe ndaj qeverive të instaluara dhe të mbrojtura nga perëndimorët (siç është Arabia, Egjipti etj.), pastaj veprimet e dhunshme izraelite (e mbrojtur nga Amerika), duhet analizuar, duhet zgjidhur një nga një, e jo heshtur. Nuk është pa kritikë as demokracia, që Perëndimi dëshiron t’ia imponojë botës si vlerë për të gjithë, kur ajo demokraci e legjitimon perversitetin, mënyrën e fitimit dhe konsumimit perëndimor, mënyrën e veshmbathjes vetjake etj.

Njeriu që, pak a shumë, i ka lëkundur themelet e orientalizmit destruktiv dhe bartësve të tyre, që e ka prekur “çiltërsinë” e politikës euro-perëndimore, është Edward Saidi, figurë e rëndësishme e shekullit XX. Centrizmi religjiozo-kulturor judeo-kristian dhe politiko-ushtarak greko-romak perëndimor i ruan me xhelozi idetë e vjetra dhe me këtë e justifikon veten në trysnitë politike, ekonomike, kulturore dhe ekspansionin e tij ushtarak nëpër botë. (Shih: E. Said, Orientalizmi, Shkup, 2009)

Centrizmi kishtar dhe evropian ka vazhduar nëpërmjet figurave të rëndësishme të artit, shkencës, politikës. Madje, edhe një filozof i rangut të lartë, Bernard-Henry Levy pohon publikisht se “velo është thirrje për dhunim”. (http://www.scielo.br/pdf/remhu/v26n53/2237-9843-remhu-26-53-025.pdf.) Politikani i majtë gjerman Thill Sarrazin e alarmon Gjermaninë dhe Evropën se muslimanët e “shfrytëzojnë sistemin gjerman të mirëqenies sociale, por nuk dëshirojnë as nuk janë të aftë të integrohen në Gjermani. Emigrantët musliman, sipas tij, paraqesin kërcënim për identitetin kulturor gjerman. (https://www.gatestoneinstitute.org/4921/germany-france-suicide.) Edhe e majta, edhe e djathta ishin aktivë. Emrat, si Geert Wilders nga Holanda, Jörg Haider nga Austria, e pastaj David Cameron (i cili pohon më 2011 se “multikulturalizmi është fajtor për dobësimin e identitetit kolektiv anglez”) shqetësojnë seriozisht. (Sipas: A. Pavelić) Madje, disa autoritete të publicistikës e politikës këto shfaqje islamofobe evropiane i kanë quajtur racizëm antimusliman ose një formë e re e racizmit. (https://rm.coe.int/16807037e1)

Në vend të përfundimit

Islami dhe Perëndimi, nga popujt përkatës, perceptohen kryesisht si dy kategori të veçuara, jo rrallë të rivalizuara, dy bota të ndara dhe të mbyllura, që nuk kanë pika të përbashkëta. Islami si jomodern, irracional dhe violent dhe Perëndimi i qytetëruar, i lirë, i zhvilluar. (Lewis, 1990) Kjo pamje e rrëgjuar, e ngushtuar e Islamit nga Perëndimorët ka sjell deri te cilësimet e rrezikshme dhe reaksionet e palës tjetër.

Në vend të përgjithësimeve të tilla akuzuese, duhet më shumë sinqeritet intelektual, dije e mjaftueshme dhe qasje përkatëse ndaj problemit të Islamit dhe muslimanëve. Stereotipizimet dhe shabllonet e mëtutjeshme mesjetare për kah lashtësia, por bashkëkohore për kah paketimi, janë të paqëndrueshme./shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne