Izraeli ka plagosur 4 herë fotoreporterin e AA-së

Fotoreporteri i Anadolu Agency (AA), Ali Cadallah i cili ndjek protestat paqësore të “Marshit të Kthimit të Madh” në lindje të Gazës, është plagosur 4 herë nga ushtarët izraelitë që nga fillimi i protestave e deri më tani.

Cadallah për herë të parë u plagos më 22 mars 2018 pasi një pjesë e plumbit të shkrepur nga ushtarët izraelitë e goditi në dorë, ku si pasojë ai nuk mund ta përdorë plotësisht dorën e djathtë.

Për herë të dytë Cadallah u plagos më 25 maj 2018 pasi një kapsulë e gazit lotsjellës e hedhur nga ushtarët izraelitë goditi gjoksin e tij duke shpuar jelekun e gazetarit. Ndërsa rreth një muaj më pas më 22 qershor 2018 ai u plagos për herë të tretë pasi një pjesë e plumbit të shkrepur sërish nga ushtarët izraelitë e goditi në dorën e majtë.

Fotoreporteri Cadallah u plagos për herë të katërt në ballë nga ushtarët izraelitë me një plumb gome derisa ai po ndiqte protestat paqësore të “Marshit të Kthimit të Madh” në lindje të Gazës.

Duke përshkruar atë ditë, Cadallah tha se më 30 gusht pasi i mori të gjitha pajisjet që tregonin se ai ishte një fotoreporter, si zakonisht shkoi me ekipin AA-së në rajonin ku zhvilloheshin demonstratat në kufirin lindor të Gazës.

“Disa minuta pasi arrita në zonën ku ishin mbledhur protestuesit dhe kisha marrë disa foto nga ngjarjet e protestës, ndjeva që një copë metalike goditi fort kokën time dhe në atë moment nuk pata mundësi të shoh asgjë dhe rashë në tokë. Ndjeva dhimbje shumë të forta. Nga balli im po rridhte gjak. Kam humbur vetëdijen menjëherë pasi po më bartnin miqtë e mi që menduan se kam rënë dëshmor”, tha ai.

Cadallah më tej tha se kur është zgjuar, u dërgua në spitalin fushor në sheshin e protestave, ku u krye ndërhyrja e ndihmës së parë dhe prej aty me autoambulancë u dërgua në Kompleksin Mjekësor Şifa në Gaza. Më pas e mësoi se plaga e tij ishte me 12 të qepura.

Ai thekson se rreth dy javë pas incidentit ndjente dhimbje të forta në kokë dhe në trup dhe se vazhdimisht kishte marramendje kishte humbur oreksin dhe nuk mund të flinte mjaftueshëm për shkak të dhimbjeve të forta. Cadallah tërhoqi vëmendjen se pas shërimit të plagës ka nevojë për një operacion plastik për të fshehur shenjën e madhe të plagës që duket në mes të ballit.

“Izraeli vendos në objektiv gazetarët për të fshehur krimet”

Cadallah thekson se qëllimi i Izraelit në shënjestrimin ndaj tij dhe gazetarëve është përpjekje për të penguar që të shihen nga bota krimet që ka bërë Izraeli.

Ai gjithashtu u kërkoi institucioneve ndërkombëtare dhe rajonale të mbrojnë të drejtat e gazetarëve, ta mbajnë Izraelin përgjegjës për shkeljet kundër gazetarëve palestinezë si dhe të mbrojnë gazetarët nga Izraeli.

Selamet Maruf, drejtori i Zyrës së Shtypit të Qverisë në Gaza, në një deklaratë të bërë më parë ka theksuar se në sulmet e Izraelit që nga marsi 2018 e deri më tani kanë humbur jetën 2 gazetarë dhe janë plagosur 360 të tjerë.

Duke bërë të ditur se Izraeli vendos me qëllim në objektiv gazetarët, Maruf ka tërhequr vëmendjen se Izraeli i vendos gazetarët në objektiv pavarësisht se të gjithë gazetarët mbajnë të veshur jelekun mbrojtës ku shkruan “Press” dhe përpiqen të qëndrojnë larg nga protestat./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne