Ja sa është nota mesatare për të hyrë sivjet në universitet. Vendimi i plotë i qeverisë

Këshilli i Ministrave ka marrë vendim dje, më 19 prill 2017, se nota mesatare për t’u pranuar në universitetet publike është gjashtë dhe ajo përllogaritet thjesht.

Ja vendimi plotë i qeverisë:

1.    Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.

2.    Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare minimale për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017-2018, të jetë 6 (gjashtë). Nota mesatare për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:

a)    Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në  arsimin e  mesëm të lartë;
b)    Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.

3.    Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.

4.    Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë strukturave të ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

5.    Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste, me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat te njësitë arsimore vendore dhe te strukturat e ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

6.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne