“Jam e pafajshme”/ Gjyqi për mashtrimin e Fondacionit Besa, sekserja shpërthen në lot: Më çoni tek vajza

Një nga të arrestuarat për skemën e mashtrimit të dhënies së kredive fiktive nga “Fondi Besa” ka shpërthyer në lot gjatë seancës së sotshme. Mesditën e kësaj të premteje, Orkida Drizo ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit.

Ajo ka thënë :-“Ata që vodhën paratë janë jashtë. Jam e pafajshme. Më çoni tek vajza ime”, ka kërkuar mes lotësh, Drizo.

Ndërkohë, më herët avokati i saj kishte thënë se zonja në fjalë është “viktimë” e skemës së mashtrimit, pasi ajo ka përfshirë edhe fëmijët e saj në këtë aktivitet, duke menduar  ishte diçka e ligjshme dhe e saktë. Sipas palës mbrojtëse, Drizos i kanë thënë që për çdo klient, do fitonte 2 mijë lekë në një proces siç i kanë thënë të ligjshëm.

“Duke mos pasur arsimin e duhur, ajo u bë edhe vetë kliente dhe me kredi në këtë Fond. Vazhdon  të jetojë në një banesë sociale dhe nëse do kishte përfitime nga kjo skemë, nuk do jetonte në ato kushte ‘migjeniane’”, tha më herët avokati.

Orkida Driza, 41 vjeçe është e akuzuar nga prokuroria si pjesë e skemës së përvetësimit të parave nga Fondacioni Besa. Ajo ishte një prej ndërmjetëseve, që “ndihmonte” pjesëtarë të komunitetit egjiptian për të marrë kredi.  Por ndërkohë, Driza u jepte vetëm 600 mijë lekë, për të pasur dokument për dhënie kredi dhe pjesën tjetër e ndante me pjesëtarët e tjerë të grupit, që ishin të instruktuar nga drejtoresha e filialit Albana Imami.

Ata u arrestuan dy javë më parë, ndërkohë që përplasjet mes grupit nuk munguan as në Gjykatë. Drejtoresha tha se ishte e pavetëdijshme dhe në delir kur hartoi skemën për marrjen e 3.7 milionë eurove./boldnews

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne