Bota

Japoni, tajfuni më i madh në 25 vite shkakton të vdekur e qindra të plagosur

Një tajfun i fuqishëm është përplasur mbi Japoninë perëndimore këtë të martë, duke shkaktuar reshje të rrëmbyeshme shiu dhe përmbytje në aeroportin kryesor ndërkombëtar të rajonit, si dhe erëra aq të fuqishme sa të përplaste një çisternë me një urë, të ndërpriste qarkullimin rrugor dhe ajror, si dhe të linte mijëra persona të bllokuar.

Stuhia ka lënë të paktën 6 persona të vdekur. I pagëzuar me emrin “Jebi”, tajfuni që raportohet si më i fuqishmi që godet Japoninë që prej vitit 1993 (25 vite) u zhvendos drejt veriut në ishullin kryesor Honshu, e më pas doli në detin e Japonisë. Në brigjet veriore të Fukuit, pasditen e së martës, ai pati erëra prej 126 km në orë dhe shkulme ere prej 180 km në orë, sipas Agjencisë japoneze të Meteorologjisë.

Në burrë në të 70-at e tij ka humbur jetën pasi thuhet të jetë përplasur në tokë nga apartamenti i tij në prefekturën e Osakës, ndërsa një 71-vjeçar tjetër mbeti i pajetë kur një godinë magazinimi u shemb mbi të, thonë zyrtarët. Televizioni publik “NHK” raporton edhe për 160 persona të plagosur.

Ndërkohë, dallgët e fuqishme nga deti përmbytën Aeroportin ndërkombëtar “Kansai” të ndërtuar në ishujt artificialë të gjirit të Osakës, duke bërë të papërdorshme një nga dy pistat e tij, magazinën e mallrave dhe mjedise të tjera, aq sa detyroi mbylljen e përkohshme të tij sipas Ministrisë së Tokës, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit. Një pasagjer u plagos lehtë nga ciflat e xhamave të thyera nga erërat e fuqishme.

Një çisternë prej mbi 2500 tonësh që po ankorohej u përplas me njërin krah të urës që lidhte aeroportin me territorin tokësor të Japonisë, duke dëmtuar urën dhe duke e nxjerrë jashtë përdorimi, e gjithashtu duke lënë rreth 3.000 pasagjerë të bllokuar në aeroport, sipas zyrtarit të Ministrisë së Transporteve, Mitsuo Nakao. Edhe çisterna u dëmtua, por ekuipazhi prej 11 personash i saj nuk kanë pësuar lëndime dhe mbetën ende në bord, sipas raportimeve të Rojes Bregdetare.

Më shumë se 700 fluturime u anuluan, ndërkohë që trenat e shpejtësisë së lartë pezulluan udhëtimet nga Tokio drejt Hiroshimës, për t’u nisur pjesërisht në një moment të dytë të pasdites së të martës, kur tajfuni u largua nga rajoni në fjalë.

Stuhia shkaktoi edhe ndërprerje të energjisë për qindra e mijëra shtëpi, duke mbyllur shkollat, dyqanet dhe fabrikat pranë Osakës, qyteti i dytë më i madh i Japonisë dhe një qendër e madhe biznesi. Më shumë se 1.6 milionë banorë mbetën pa energji elektrike në Osaka, Kyoto dhe 4 prefektura të tjera fqinje.

Burimi: Top Channel

OPINIONE

INTERVISTA