Kanadaja bashkëpunon me Izraelin për aneksimin e Jeruzalemit Lindor

Nga Karen Rodman

Kanadaja dështon të mbështesë ligjin ndërkombëtar apo edhe të zbatojë ligjet e veta të brendshme për të kundërshtuar aneksimin e Jerusalemit Lindor, pavarësisht politikës së saj zyrtare që dënon këto veprime.

Më 20 gusht 2023, qeveria izraelite nisi një plan të ripesëvjeçar prej 3.2 miliardë shekelësh (2024-2028) për të zhvilluar Jerusalemin lindor.

Nën pretekstin e reduktimit të pabarazive sociale dhe ekonomike dhe rritjes së zhvillimit ekonomik në Jerusalemin Lindor, njoftimi i qeverisë izraelite bëri të qartë gjithashtu se investimi ekuivalent i mbi 1 miliard dollarëve CAD është i përqendruar në forcimin e sovranitetit izraelit mbi qytet.

Plani është një përditësim i planit të mëparshëm pesëvjeçar prej 2 miliardë shekelësh (2018-2023). Ai plan ishte fokusuar gjithashtu në forcimin e politikës së aneksimit dhe të ashtuquajturit integrim të palestinezëve të jeruzalemit në shoqërinë izraelite.

Ky plan i ri do të menaxhohet dhe zbatohet nga Ministria e Çështjeve të Jerusalemit dhe Traditës Hebraike, me raporte vjetore rreth Ditës së Jerusalemit. Edhe zgjedhja e datës së raportimit vjetor është një fyerje. Dita e Jerusalemit është dita kur Izraeli shënon pushtimin e Jeruzalemit Lindor në vitin 1967, duke festuar me marshime provokuese me flamuj nëpër lagjet palestineze.

Forcimi i narrativës izraelite

Në shpalljen e planit, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ai dhe qeveria izraelite tregon “kujdes për nevojat e të gjithë qytetarëve dhe banorëve të Izraelit dhe po forcon politikën tonë për të përfituar një Jerusalem të bashkuar dhe të fortë, nën sovranitetin izraelit”.

Duke përdorur fjalën “banor”, Netanyahu u referohet atyre që kanë rezidencë në Jerusalem, por nuk u jepet shtetësia izraelite.

Ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich, duke iureferuar “Jerusalemit, kryeqyteti ynë i përjetshëm”, tha:“Jam i kënaqur të drejtoj planin më të madh pesë-vjeçar për Jerusalemin Lindor si dikush që beson në forcimin e sovranitetit izraelit mbi Jerusalemin në tërësi.

Kryetari i bashkisë së Jeruzalemit, Moshe Lion, tha se “vendimi që u mor është një vendim për sovranitet“.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, tha se qeveria izraelite ka ndarë 120 milionë shekelë për atë që ai e quajti “forcimi i sovranitetit të sigurisë në Jerusalemin Lindor”.

Ai tregoi se ky është “një hap tjetër i rëndësishëm në luftën tonë të pamëshirshme për të rivendosur sigurinë në Jerusalem, kryeqytetin tonë”.

Një plan për të shtypur palestinezët

Për palestinezët, kjo do të thotë se paratë do të synojnë rritjen e mbikëqyrjes, militarizimit, stacioneve të policisë dhe personelit të sigurisë, së bashku me më shumë izolim dhe ndarje racore.

Ky realitet do të thotë “Izraelizim i të gjitha aspekteve të jetës dhe zhdukja e identitetit palestinezo-arab të qytetit të Jeruzalemit”, thotë Koalicioni Qytetar për të Drejtat e Palestinës në Jerusalem.

Ata vazhduan, “Ka pasur gjithmonë një dallim të qartë midis Jerusalemit Lindor dhe Perëndimor për 56 vitet e pushtimit të Jerusalemit Lindor.

Buxhetet, programet dhe shërbimet i janë kushtuar rregullisht Jerusalemit Perëndimor dhe vendbanimeve izraelite. Ato i shërbejnë zhvillimit të komuniteteve dhe tërheqin më shumë kolonë. Nga ana tjetër, lagjet palestineze janë lënë pas dore qëllimisht gjatë dekadave të pushtimit të qytetit që nga viti 1967.

Edhe pse banorët palestinezë të Jerusalemit Lindor të pushtuar i paguajnë taksa bashkisë, cilësia e shërbimeve që ata marrin është shumë më e ulët se ato në Jerusalemin Perëndimor. Përtej kësaj, autoritetet izraelite ndjekin rregullisht dëbimet me forcë të banorëve palestinezë, duke sekuestruar tokat e tyre me pretekste të ndryshme, duke përfshirë të ashtuquajturin interes publik dhe zhvillimin e qytetit dhe organizimin ligjor, ndërtimin, ligjin e shpronësimit dhe ligje të tjera.

Arsim e transport, për t’i shërbyer shtetit izraelit

Arsimi është një faktor kyç në aneksimin e qytetit të Jeruzalemit. Një e treta e buxhetit të planit të ri pesë-vjeçar shkon drejt zbatimit të sistemit arsimor izraelit dhe kurrikulës së tij në shkollat ​​palestineze në Jerusalemin Lindor.

Arsimi konsiderohet si pika kryesore për të zhdukur narrativën, historinë dhe identitetin kombëtar palestinez. Qeveria izraelite po e intensifikon këtë përpjekje nën atë që ata e quajnë “zvogëlimi i hendekut”.

Ndërkohë, financimi i planit për infrastrukturën e transportit nuk ka asnjë mundësi të fokusohet në komunitetet palestineze. Përkundrazi, ka të gjitha mundësitë të fokusohet në lidhjen e vendbanimeve izraelite me njëra-tjetrën, përmes një rrjeti rrugësh, trenash, tunelesh, urave dhe një treni ajror. Kjo do të mundësojë lëvizjen e kolonëve në qytet.

Koalicioni Qytetar vëren se “ky plan synon, në fakt, mbi të gjitha të kënaqë interesat dhe të mbrojë kolonët dhe të rrisë izolimin dhe degradimin e lagjeve arabe”.

Heshtja e Kanadasë

Deri më tani, zyrtarët e qeverisë kanadeze kanë qëndruar të heshtur për këtë plan të ri. Por kjo nuk është për t’u habitur. Pavarësisht politikës zyrtare të Kanadasë se “nuk e njeh aneksimin e njëanshëm nga Izraelit të Jeruzalemit Lindor”, ajo gjithashtu duket se nuk shqetësohet për ndryshimin e fakteve në terren.Kanadaja pohon se “statusi i Jeruzalemit mund të zgjidhet vetëm si pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme të mosmarrëveshjes palestinezo-izraelite”.

Ky qëndrim “largpamës” në lidhje me Jerusalemin nuk është i ri. Në fakt, vota e parë e Kanadasë kundër një rezolute të Kombeve të Bashkuara lidhur me Palestinën ndodhi më 9 dhjetor 1949. Rezoluta propozonte një regjim të përhershëm ndërkombëtar për zonën e Jerusalemit dhe mbrojtjen e Vendeve të Shenjta.

Kjo prirje në lidhje me Jerusalemin ka mbetur mjaft e qëndrueshme gjatë 75 viteve të fundit. Për shembull, në vitin 1981, Kanadaja abstenoi nga një votim i OKB-së në lidhje me gërmimet izraelite në Jerusalemin lindor.Rezoluta tregoi se “gërmimet dhe transformimet e hapsirave dhe të vendeve historike, kulturore dhe fetare të Jeruzalemit përbëjnë një shkelje flagrante të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe dispozitave përkatëse të Konventës së Gjenevës”.

Në vitin 1987, Kanadaja votoi kundër për të dënuar “vendimin e Izraelit për të aneksuar Jerusalemin dhe për ta shpallur atë si “kryeqytet” të tij, si dhe masat për të ndryshuar karakterin e tij fizik, përbërjen demografike, strukturën institucionale dhe statusin”. Kohët e fundit, në 2016 dhe 2017, Kanadaja abstenoi në votimet e OKB-së për statusin e Jerusalemit.

Por në mënyrë interesante në vitin 2018, viti kur SHBA zhvendosi ambasadën e saj në Jerusalem, Kanadaja ndërroi qëndrim dhe u shpreh me një votë kundër.

Mbështetja e Kanadasë për Organizatat Bamirëse Pro-Izraelite

Organizatat bamirëse kanadeze vazhdojnë të ofrojnë fonde për organizata të tilla si Elad/Ir David që përdorin arkeologji false dhe gërmime të rreme për të çuar përpara një narrativë koloniale, ato rrëfime përpiqen të fshijnë trashëgiminë e lashtë palestineze, muslimane dhe të tjera jo-hebreje në Jerusalem.

Ka pasur shumë ankesa kohët e fundit në Agjencinë e të Ardhurave të Kanadasë për rreth 100 milionë dollarë fonde të subvencionuara nga taksat jashtë vendit që u janë dërguar organizatave të ndryshme bamirëse pro-izraelite. Ato përfshijnë disa organizata që mbështesin aneksimin dhe të ashtuquajturin “bashkim” të Jeruzalemit.

Qëndrimi i Kanadasë në Kombet e Bashkuara gjatë këtij treçerek shekulli, si me tolerancën e saj ndaj taksapaguesve kanadezë që subvencionojnë fshirjen e Jerusalemit, zbulon hipokrizinë e saj.

Pavarësisht nga një politikë që dënon aneksimin e Jerusalemit Lindor, Kanadaja duket se i lejon faktet në terren të ndryshojnë pa asnjë përgjigje. Kanadaja vazhdon të dështojë të respektojë ligjin ndërkombëtar apo edhe të zbatojë ligjet e veta të brendshme, si Akti i Tatimit mbi të Ardhurat. Si rezultat, kanadezët po e mbështesin pa dashje këtë fshirje të Palestinës.

/gazetaimpakt/globalresearch

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne