Katalunja shpall pavarësinë, KE kërkon dialog

Komisioni Europian përsëriti të martën thirrjen për dialog mes Spanjës dhe Katalunjës për ti dhënë fund krizës që ka përfshirë dy vendet, në kuadër të shqetësimeve që autoritetet katalanase mund të shpallin pavarësinë.

Deklaratat nga Komisioni për nxitje dialogu mes dy vendeve, vijnë pasi që Presidenti katalunas shpalli pavarësinë e Katalunjës. Gjatë një konference të përditshme për shtyp zëdhënësi i Komsionit Europian, Alexander Winterestein, duke iu adresuar Spanjës dhe Katalonjës, përsëriti thirrjen e ekzekutivit të Bashkimit Europian për ti dhënë fund konfrontimit, dhe se kriza mes dy vendeve duhet të kthehet në dialog. Duke rikujtuar një deklaratë të javës së kaluar, zëdhënësi tha se dhuna kurrë nuk duhet të përdoret si një mjet politik dhe shtoi bindjen e tij se Komisioni Europian ka besim tek aftësitë e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, për të zgjidhur situatën. Komentet e përfaqësuesit të Komisionit Europian vijnë, pasi Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, i përgatitur për sesionin parlamentar deklaroi në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Spanja, pavarësisht paralajmërimeve nga Madridi për kundërmasat. “Nuk kam planifikuar kurrë asnjë kërcënim apo ofendim ndaj dikujt. Jemi të gjithë pjesë e të njëjtit komunitet”, kanë qenë fjalët e para të presidentit të Katalunjës, në fjalimin e shumëpritur për të adresuar çështjet e pavarësisë së rajonit të pasur verilindor nga Spanja. “Ishte hera e parë që një votim zhvillohej nën sulmin e policisë, e kjo për shkak se qeveria spanjolle është sjellë në një mënyrë agresive ndaj nesh. Megjithatë, më shumë se dy milionë njerëz mposhtën frikën dhe dolën për të votuar”, tha më tej Carles Puigdemont. “Çështja katalanase nuk është një çështje vetëm e jona, por e të gjithë Europës. Që prej përmbysjes së diktaturës së Frankos, Katalunja ka kontribuuar gjithnjë për demokraci dhe paqe, sepse kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Ne kemi dashur gjithmonë të uleshim në bisedime me qeverinë e Madridit”, ka theksuar më tej Puigdemont.

E menjëherë pas këtij fjalimi ka ardhur edhe vendimi i shumëpritur për katalanasit, e i shumëkritikuar nga qeveria qendrore spanjolle, për shpalljen e pavarësisë së rajonit autonom nga Spanja. “Tashmë ka ardhur momenti deciziv për Katalunjën, e unë si president ndjek vullnetin e popullit për ta shpallur të pavarur Katalunjën”. Qeveria spanjolle është duke u ballafaquar me krizën më të madhe politike të vendit, që pas përpjekjes së grushtit ushtarak në 1981. Madridi zyrtar tha se do t’i përgjigjet menjëherë çdo deklarate të tillë të njëanshme. Ndërkohë, revista prestigjioze Foreign Affairs e quan të tepruar reagimin e qeverisë spanjolle, që nëse përshkallëzohet mund të sjellë pasoja të tjera, përfshirë këtu edhe luftën. Nga të gjitha mënyrat që ofron historia si shembuj sesi një qeveri duhet të përballet me një lëvizje separatiste, Spanja duket se ka zgjedhur “metodën serbe”. Kështu nis një analizë e “Foreign Affairs”, që interpreton aksionet e qeverisë së Madridit për të parandaluar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalunjës. “Tani kërcënon me shfuqizimin e qeverisë rajonale të Katalunjës, ashtu siç bëri Serbia me Kosovën në vitin 1990 dhe që prej 1 tetorit, kur u zhvillua referendumi, ruan një prani të madhe policore të dërguar në Katalunjë nga rajonet e tjera të Spanjës, pavarësisht se kërkoi ndjesë për episodet e dhunës”, shkruan Foreign Affairs./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne