Katar, mbahet dialogu ndër-afgan për paqe

Dita e parë e dialogut të paqes ndër-afgan që zhvillohet në Doha, Katar, ka përfunduar të dielën me porosi pozitive nga pjesëmarrësit, raporton Anadolu Agency (AA).

Bashkë-organizatorët Potzel Markus, ambasador i Gjermanisë në Afganistan, dhe Mutlaq bin Majed Al-Qahtani, i dërguari special i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, hapën dialogun në Doha.

“Ne kemi ndërmarrë iniciativën për këtë dialog për t’i hapur rrugë paqes në Afganistan. Bisedimet nuk mund të jetë të mjaftueshme. Dialogu patjetër të shndërrohet në proces kuptimplotë të negociatave. E ardhmja e Afganistanit mund të vendoset vetëm nga afganistanezët”, shkroi ambasadori gjerman në rrjetet sociale.

Raundi i shtatë i bisedimeve për paqe në Afganistan mes SHBA-ve dhe talebanëve ka pauzuar për dy ditë në Doha pasi një grup i politikanëve afganistanezë dhe aktivistë të shoqërisë civile mbajnë dialog ndër-afgan në ngjarjen e njëjtë.

Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale treguan disa politikanë afganistanezë të ulur në tavolina të përbashkëta ku ndanin darkën me liderët e talebanëve në një mjedis të këndshëm.

SHBA-të dhe Katari kanë mirëpritur bisedimet.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, shprehu kënaqësinë për dialogun mes afganistanezëve.

“… Është e shkëlqyeshme të shohësh përfaqësues të lartë të qeverisë, shoqërisë civile, grave dhe talebanëve bashkë në një tavolinë”, shkroi ai.

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al Thani, mirëpriti në Doha përfaqësuesit e ndryshëm nga Afganistani duke shpresuar për dialog konstruktiv që do të kënaq aspiratat e popullit afganistanez për paqe dhe stabilitet.

Edhe pse Qeveria e Afganistanit zyrtarisht nuk është përfaqësuar në bisedimet ndër-afgane me talebanët, një numër i zyrtarëve të lartë nga Kabuli po marrin pjesë në bisedime me kompetencat personale.

Përderisa po vijonte takimi, një sulm vetëvrasës me autobombë, për të cilin përgjegjësinë e morën talebanët, shkaktoi vdekjen e 12 personave dhe plagosi 12 të tjerë në provincën qendrore afgane Ghazni. Shumë prej viktimave ishin nxënës.

Presidenti Mohammad Ashraf Ghani e quajti sulmin “krim kundër njerëzimit” dhe tha se talebanët duke kryer sulme të këtilla, edhe një herë e shfaqin armiqësinë e tyre ndaj popullit të Afganistanit.

Të shtunën, Zalmay Khalilzad, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-ve në Afganistan, i quajti gjashtë ditën e fundit të bisedimeve me udhëheqësit e kryengritësve afganë “sesioni më produktiv deri më tani”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne