Bota

Kisha e Anglisë voton për ndalimin e terapisë së konvertimit homoseksual – LGBT nuk është mëkat

Terapia e konvertimit, praktika e përpjekjes për të ndryshuar seksualitetin e dikujt nëpërmjet këshillimit shpirtëror, duhet të nxirret jashtë ligjit në Britani të Madhe, sipas Kishës së Anglisë.

Këshillit të Përgjithshëm, organit qeverisës së kishës, iu kërkua fillimisht të mbështeste një mocion që dënonte praktikën si “jo etike dhe të dëmshme”.

Megjithatë, pas një debati emocional, anëtarët votuan me shumicë dërrmuese për të kërkuar një ndalim, raporton Church Times.

Mocioni u propozua nga Jayne Ozanne, e cila vuante nga depresioni dhe kishte një dobësim mendor pas kryerjes së terapisë. Në një shënim shoqërues ajo tha:

“Terapia e konvertimit është dënuar nga profesionistët si e dëmshme për njerëzit LGBT, pasi ajo bazohet në një besim të gabuar se të qenurit lesbik, homoseksual, biseksual ose transeksual është e gabuar. Kjo çon në rritjen e problemeve të shëndetit mendor për komunitetin LGBT për shkak të stigmatizimit”.

“[Terapia e konvertimit] është një formë abuzimi nga e cilat të rriturit e prekshëm kanë nevojë të mbrohen”, tha Ozanne.

Mocioni u mbështet nga Kryepeshkopi i Jorkut, Dr. John Sentamu, i cili është figura e dytë më e fuqishme në kishë.

Sentamu tha se ndalimi i praktikës “teologjikisht të pandershme” do t’i mundësonte atij të flinte i qetë natën.

Peshkopi i Liverpulit, Paul Bayes, tha se LGBT nuk ishte as një krim dhe as një mëkat: “Ne nuk kemi nevojë të angazhojmë njerëz në terapinë shëruese nëse nuk janë të sëmurë”.

Votimi përfundimtar ishte 298 pro dhe 74 kundër, me 26 abstenime. Mocioni kishte mbështetjen e tri shtëpive të këshillit: të peshkopëve, klerikëve dhe laikëve. Church Times raporton se tani do t’i bjerë ekipit të punëve publike të kishës për të zbatuar këtë mocion.

Një shënim nga Sekretari i Përgjithshëm i Kishës, William Nye e përkufizoi terapinë e konvertimit si “termin ombrellë për një lloj terapie ose aktivitetesh që përpiqen të ndryshojnë orientimin seksual ose të zvogëlojnë tërheqjen ndaj të tjerëve të së njëjtit seks”. / © Gazeta Impakt

OPINIONE