Kisha ruse kundërshton Izraelin: Jeruzalemi i të tre feve

Jeruzalemi duhet të mbetet një qendër shpirtërore e tre feve të mëdha, tha të shtunën Departamenti i Patriarkanës së Moskës për marrëdhëniet e jashtme të kishës.

Moskë – Metropolitani Hilarion i Volokolamskut, kryetar i Departamentit të Patriarkanës së Moskës për marrëdhëniet e jashtme të kishës, tha të shtunën se Jeruzalemi duhet të mbetet një qendër shpirtërore e tre feve të mëdha, krishterimit, Islamit dhe judaizmit.

“Ne nuk duhet të harrojmë se Jeruzalemi është një qytet i shenjtë për tre fe të botës: jo vetëm për judaizmin, por edhe për krishtërimin dhe islamin. Sot në Jeruzalem të krishterët, muslimanët dhe hebrenjtë jetojnë së bashku në paqe, ku secila fe ka territorin, ndërtesat dhe vendet e veta të shenjta dhe është shumë e rëndësishme që Jerusalemi të mbetet si qendër e tillë shpirtërore dhe fetare, në të cilin përfaqësuesit e tri feve abrahamike dhe monoteiste të mund të jetojnë së bashku në paqe dhe harmoni,” tha Hilarion për transmetuesin Rossiya 24.

Kleriku gjithashtu kritikoi vendimin e Presidentit të SHBA-së Donald Tramp për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit, pasi nga këndvështrimi i tij ky hap mund të destabilizonte në mënyrë të konsiderueshme situatën.

Më 6 dhjetor, Tramp njoftoi mbi vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe njoftoi Departamentin e Shtetit për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi. Vendimi shkaktoi kritika nga shumë vende anembanë botës, kryesisht në Lindjen e Mesme, duke shkaktuar protesta masive në një numër vendesh, përfshirë edhe vetë Izraelin.

Izraeli e pushtoi Jeruzalemin Lindor të kontrolluar nga Jordania gjatë luftës gjashtë ditore të vitit 1967. Në vitin 1980 parlamenti izraelit miratoi një ligj ku i gjithë Jeruzalemi shpallej kryeqytet i pandarë i Izraelit. Bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu aneksimin dhe beson se statusi i Jeruzalemit duhet të zgjidhet me palestinezët, të cilët pretendojnë pjesën e tij lindore si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne