Shqiperia

KLSH: Borxhi doganor më 2016 ka arritur në 180 milionë euro

Një auditim në Drejtorinë e Përgjithshme në Doganave që ka përfshirë vitin 2016 ka dalë në përfundim se borxhi doganor është rritur me të paktën 13.4 për qind në raport me vitin paraardhës. Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se ky borxh ka prekur vlerën 180 milionë euro dhe pjesa më e madhe e tij nuk është principali por gjobat, që zënë 61% të tij.

“Nga auditimi i borxhit doganor u konstatua se detyrimet e pambledhura në fund të vitit 2016 janë në vlerën 24.79 miliardë lekë, të cilat krahasuar me vitin paraardhës janë rritur në total për shumën 3.33 miliardë lekë ose në masën 13.4%. Në totalin e borxhit detyrimet doganor rezultojnë në vlerën 6.75 miliardë lekë, ose 27% e totalit të borxhit, gjobat janë në vlerën 15.14 miliardë lekë ose 61% dhe kamatëvonesat në vlerën 2.9 miliardë lekë ose 12% të totalit të borxhit” thuhet në raport.

Vetëm gjatë vitit 2016 borxhi është rritur me mbi 4.4 miliardë lekë duke i takuar të paktën 3.463 raste subjektesh, ndërkohë që është pakësuar me pak më shumë se 1 miliardë që i takon shlyerjes së 3.557 raste subjektesh debitorë.

“Tendenca e borxhit doganor në vitin 2016 si raport i pakësimit kundrejt shtesës gjatë vitit është në masën 44.08% më shumë rritje borxhi doganor dhe borxh akcize” vlerëson KLSH.

Lidhur me situatën, KLSH ka rekomanduar që sektori i Rikuperimit me Forcë të Borxhit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në bashkëpunim me Degët Doganore të bëjë një analizë të thelluar të rasteve të shtuara të mosarkëtimit të borxhit dhe rrugëve të zgjidhjes për rikuperimin e këtyre detyrimeve. Po kështu është sugjeruar që borxhi i lindur si rezultat i shkeljeve të legjislacionit të akcizës të analizohet sipas natyrës së lindjes së detyrimeve më qëllim parandalimin në të ardhmen.