Opinion

Koincidencat e dy brigjeve

/Aldi D./

Si mbështetës nga larg i kauzës palestineze, ndjek në Facebook faqe të ndryshme që përcjellin përmes videove dhe fotove realitetin e përditshëm shtypës e ekstremisht të dhunshëm që u bëhet qytetarëve civilë, të pafajshëm e të pambrojtur palestinezë nga ushtria izraelite. Më qëllon shpesh të shikoj tepër i indinjuar video ku ushtarë izraelitë të armatosur gjerë në dhëmbë dhunojnë fëmijë të mitur, gra shtatzëna e vajza të reja, djem të rinj, burra, pleq e deri te fëmijët e djepit.

Për koincidencë njëri nga rripat e tokës që u ka mbetur palestinezëve për të jetuar në rajonin e Lindjes së Mesme e ku ndodhin këto ngjarje e ka pjesën e parë të emrit tamam si një lagje në periferi të Tiranës: Bregu Perëndimor, i ngjashëm me Bregun tonë (të Lumit).

Për koincidencë, infrastruktura rrugore fizike e Bregut palestinez është tepër e ngjashme, për të mos thënë e njëjtë me atë të Bregut të Lumit të Tiranës: rrugë të shkatërruara si në mesjetë, pa ndriçim, me gropa e pellgje me ujë dhe me një kanal lumi me ujë të ndotur me fekale që përbën burim infeksioni për banorët.

Për ironi të fatit, një tjetër faktor i njëjtë i bashkon fatet e këtyre dy brigjeve të këtyre dy popujve. Në Bregun Perëndimor aparatet e dhunës së ushtrisë dhe policisë izraelite, të urdhëruara nga kryeministri fashist Benjamin Netanyahu, vendosen në mbrojtje të përbindëshave prej çeliku (fadromave dhe ekskavatorëve) që prishin shtëpitë e popullit të varfër, të pambrojtur e të pafajshëm palestinez. Edhe banorëve të bregut të Tiranës po u ndodh e njëjta gjë. Atyre po u prishen shtëpitë duke përdorur policinë për të mbrojtur përbindëshat prej çeliku (fadromat dhe eskavatorët) teksa kthejnë në rrënoja investimet e një jete prej tri dekadash me shumë mund e gjak të banorëve të lagjes së Bregut të Lumit.

Për koincidencë, edhe metoda e ligjërimit të dy regjimeve është e ngjashëm. Qeveria izraelite etiketon si antisemit gjithkënd që kritikon shtetin e Izraelit, si dhe duke i quajtur të paligjshme e streha të terroristëve shtëpitë e palestinezëve vazhdon prishjen e tyre. Metoda e ligjërimit e regjimit të Tiranës është e ngjashme. Ai i etiketon banorët e Bregut të Lumit që kundërshtojnë shembjen e strehës së tyre si të paligjshëm e shpellarë. Fashisti në krye të bashkisë së Tiranës i quan pengues të përparimit të qytetit, a thua se banorët janë kundër zhvillimit të lagjes së tyre. Po të diskutosh me banorët që po u prishen shtëpitë, kupton se ata nuk janë kundër ndërtimit të bulevardit. Përkundrazi, e përkrahin një vepër të tillë pasi ndoshta do të sillte edhe rregullimin infrastrukturor të lagjes së harruar prej dekadash nga çdo drejtues bashkiak. Ama kërkojnë që të mos hidhen në rrugë, por t’u sigurohet një strehë ku të fusin kokën.

“Në këtë ditë që ka ardhur – thotë njëri prej tyre, është shumë e vështirë të bësh nga fillimi një shtëpi. Këtë që kemi, e kemi ndërtuar me para gjaku e djerse të fituar në emigrim. Bëj dy lekë e hajde bëj një dhomë sot e një dhomë pas disa vitesh. Kështu për tridhjetë vjet. Po t’i shohësh shtëpitë tona, asnjëra nuk është me tulla, por të gjitha janë me blloqe betoni nga më të lirat.”

Foto: Organizata Politike, Bregu i Lumit, 17 prill 2019.

Koincidencat nuk mbarojnë këtu. Ekspansionizmi shtetit të Izraelit është i ngjashëm me ekspansionizmin e oligarkisë ekonomike në Shqipëri që përdor shtetin si instrument të realizimit të interesave të saj ekonomike. Që prej themelimit të tij, Izraeli është shtrirë gjithnjë e më shumë në territorin palestinez duke e tkurrur atë në dy rripa të vegjël toke, pa asnjë burim natyror në shfrytëzim të banorëve palestinezë. Shtrirje kjo që vazhdon edhe sot e kësaj dite përmes aneksimit të territorit me dhunë e duke shembur shtëpitë e palestinezëve të varfër, për t’u lënë vend themelimit të ngulimeve të kolonëve izraelitë. Po ashtu edhe në Shqipëri, sidomos në Tiranë, po zaptohen në mënyrë abuzive hapësira publike (gjithmonë kur ka kundërshti publike, zaptimi bëhet me ndihmën e aparateve policore me urdhër nga lart) për të plotësuar makutërinë ekspansioniste të oligarkëve ekonomikë të vendit për të zgjeruar kapitalin e tyre. Ky ekspansion shpesh është bërë në kurriz të qytetarëve të varfër që nuk kanë pasur mundësi ekonomike të legalizojnë strehën e tyre, e cila u është prishur që aty të ndërtohet një qiellgërvishtës prej betoni.

Po për koincidencë, popullsia e të dy brigjeve është ekstremisht e varfër, e diskriminuar, e shtypur dhe e dhunuar nga pushteti shtetëror. Ama këtu ka një ndryshim. Ndërsa banorët e Bregut Perëndimor dhunohen nga aparatet represive të dhunës të një shteti tjetër, banorët e Bregut të Lumit në Tiranë dhunohen nga aparatet shtetërore të shtetit të cilit ata i paguajnë taksa, e votojnë dhe supozohet që t’ua kthejë ato në shërbime publike në të mirë të komunitetit. Por po të shohësh Bregun e Lumit, që është vetëm pak minuta larg nga qendra e Tiranës, duket sikur për shtetin kjo lagje nuk ka ekzistuar kurrë dhe shteti për ta ka ekzistuar vetëm si gjobëvënës që mbledh haraçe çdo muaj ose në kohë fushatash zgjedhore.

Burrat, gratë, djemtë, vajzat, pleqtë e fëmijët, edhe jetimë, ndiheshin të pafuqishëm për të shpëtuar strehën e tyre. I pushtuar edhe vetë nga po e njëjta ndjenjë pafuqie, po mendoja: nën ulërimën e jetimit, gruas e burrit të varfër, të shfrytëzuar e të shtypur prej një jete, qëndron rebelimi. Nën unitetin e kësaj ulërime të të shtypurve e të shfrytëzuarve qëndron shpresa për të rrëzuar këtë pushtet e për të ngritur një jetë të re.

Në të tilla kushte, kur qeveria është pozicionuar qartazi krah një grushti njerëzish, na takon ne, shumicës së popullsisë, të thjeshtë e të pambrojtur, të organizohemi kundër keqbërësve të radhës në pushtet. Organizimi dhe solidariteti me njëri-tjetrin janë e vetmja rrugëdalje ndaj çizmes gjithmonë e më fashiste të këtij pushteti.

Mendjet bashkë, zemrat bashkë, e ardhmja e të gjithëve!

OPINIONE