Ish deputeti socialist Koço Kokëdhima e quajti 2016-ën vitin e kanabizimit të Shqipërisë. Duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit” te Ylli Rakipi ai tha se droga nuk ishte e toleruar si në Lazrat, por e kontrolluar.
“Viti 2016 në të gjitha bashkitë e vendit është kanabisi sot, kanabisi nuk është i toleruar, por i kontrolluar, ndryshe nga Lazarati. Policia, ka përqindjen e saj, ishte më mirë Lazarati, pasi ato para qëndronin në Shqipëri, ndërsa sot këto para shkojnë jashtë dhe nuk i shërbejnë vendit.” – u shpreh drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja”.
Kokëdhima tha se në këtë situatë zgjedhjet duhe të shtyhen për në tetor dhe pa opozitën nuk mund të votohet, pasi vendi shkon në destabilitet.
“Zgjedhjet do të bëhen në fund të tetorit, do shtyhen, nuk mund të bëhen tani. Të përgatitet votimi elektronik dhe të hiqet dorë nga zgjedhjet që janë zhvilluar gjatë këtyre viteve në Shqipëri”.
Vetëm prej janarit janë kapur më shumë se 19 ton kanabis në Shqipëri dhe dhjetëra tonelata të tjera në Itali. Opozita thotë se qindra tonelata të tjera janë trafikur dhe po aq janë nëpër magazine shtetërore në Shqipëri. Paratë e drogës, sipas saj, do të përdoren për të blerë zgjedhjet. Këtë alarm e ka dhënë edhe ambasadori i OSBE. Ndërsa është hera e parë që për mbjelljen e drogës në mënyrë të kontrolluar flet edhe një ish –deputet i së majtës dhe një prej njerëzve më të besuar të Edi Ramës, deri pak kohë më parë.