Koment – Mësimet që mund të nxirren nga afrimi ndërmjet Turqisë dhe Serbisë

Nga Dr. Erhan Turbedar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi gjatë datave 6-7 maj 2018. Në fillim mori pjesë në Forumin e Biznesit Turqi-Serbi dhe më pas zhvilloi takime zyrtare në Ankara. Në kuadër të vizitës u zhvillua edhe mbledhja e parë e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Serbi dhe ndërmjet dy vendeve u nënshkruan 6 marrëveshje në fusha të ndryshme.

Vizita e Presidentit Vuçiç në Turqi pas një kohe të shkurtër nga vizita e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në Serbi tetorin e vitit të kaluar, marrëveshjet e nënshkruara dhe deklaratat e bëra, filluan ti japin një drejtim marrëdhënieve strategjike ndërmjet Turqisë dhe Serbisë.

Turqia është një vend i rëndësishëm si nga aspekti strategjik edhe nga hapësira e vështirë gjeografike që zotëron. Që nga data e themelimit e deri më sot Turqia ka pasur gjithmonë shumë fqinj të fuqishëm. Për këtë arsye ka pasur nevojë për tu mbrojtur si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi dhe që nga periudha e Republikës ka ndjekur gjithmonë politika paqësore. Në histori, në marrëveshjet e paqes dhe miqësisë të nënshkruara ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit, Beogradi ka rezervuar gjithmonë pozicion privilegji. Për shkak të përçarjes ideologjike të Luftës së Ftohtë edhe pse Ankaraja dhe Beogradi e kanë parë më me kujdes njëra tjetrën, respekti dhe kuptimi reciprok nuk ka munguar asnjëherë.

Sigurisht që Beogradi i atëhershëm nuk përbëhej vetëm nga Serbia, ishte kryeqyteti i një vendi akoma më të madh që mbante brenda vetes popullsi të ndryshme. Duke u përjetuar ndryshime traumatike të kufijve të shtetit, kryeqyteti i të cilit ishte Beogradi, në mënyrë të paevitueshme, u përjetuan luhatje edhe në marrëdhëniet Ankara-Beograd. Në fillim për shkak të Bosnjë-Hercegovinës dhe më pas për shkak të luftës në Kosovë në vitin 1999-të, marrëdhëniet ndërmjet Ankarasë dhe Beogradit ranë në nivelin më të ulët. Veçanërisht mizoria ndaj boshnjakëve në luftën e Bosnjës, e përjetuar gjatë viteve 1992-1995, ka lënë gjurmë të thella tek turqit, gjurmë të cilat ndjehen edhe në ditët tona.

Pavarësisht të gjitha këtyre, falë themeleve të shëndosha që vijnë nga historia Ankaraja dhe Beogradi kanë arritur të tejkalojnë gjithmonë krizat mes tyre. Për më tepër, pavarësisht mureve të padukshme dhe disa paragjykimeve ndërmjet popujve të Turqisë dhe Serbisë, pas prekjes së fundit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, kanë arritur të ngrihen përsëri. Në çdo rast qëndrimi i liderëve në këto procese ka luajtur rol kritik. Kurse në ditët tona qëndrimi i vendosur i Presidentit, Rexhep Tajip Erdoan dhe homologut të tij, Aleksandar Vuçiç krijoi potencialin për ti çuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në nivelin më të lartë, i cili nuk është parë më përpara.

Në të vërtetë, gjatë 8 viteve të fundit, përpjekjet e Ankarasë dhe Serbisë, meritojnë çdo lloj lëvdate. Sepse afrimi mes Turqisë dhe Serbisë, për sa kohë që ka vullnet të fuqishëm reciprok, tregon se mund të zgjidhen edhe çështjet më të vështira në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Kurse një mësim tjetër që mund të nxirret nga afrimi i Ankarasë me Beogradin është e vërteta se në ditët tona diplomacia kritike nuk prodhon rezultat në nivelin e dëshiruar. Kur diplomacia klasike mbështetet me diplomacinë ekonomike dhe kur i jepet peshë përforcimit të marrëdhënieve ekonomike, tejkalimi i problemeve dhe afrimi i vendeve me njëra tjetrën është më e lehtë.

Zotërimi i marrëdhënieve të mira ndërmjet Ankarasë dhe Beogradit është një lajm i mirë për tërë Ballkanin. Turqia është një nga vendet e rralla që i jep rëndësi paqes dhe stabilitetit në Ballkan pa pritur diçka në shkëmbim. Bashkëpunimi i Ankarasë me Beogradin edhe falë marrëdhënieve dypalëshe edhe falë qëndrimit të përbashkët ndaj institucioneve ndërkombëtare, mund të ndihmojë në përforcimin e stabilitetit në shumë vende të Ballkanit.

Turqia dëshiron të jetë një mike e mirë e të gjitha vendeve të Ballkanit. Paqja e përhershme dhe stabiliteti në Ballkan është përfitimi më i madh strategjik i Turqisë në rajon. Po të marrim parasysh se Turqinë e kanë rrethuar zhvillime negative dhe përleshje, hapja e saj në një rajon me stabilitet në kufijtë e saj perëndimorë, nga aspekti i Ankarasë është një nimet më vete. Por për fat të keq, prej 28 vjetësh, Turqia nuk e promovon dhe nuk e shpjegon mjaftueshëm veten në Ballkan. Për këtë arsye Ankaraja duhet të mendojë se çfarë mund të bëjë për të ‘thyer’ paragjykimet.

Aktori i vetëm strategjik afatgjatë në Ballkan është Bashkimi Evropian. Përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s është një proces i natyrshëm. Gjithashtu një nga pikat që Turqia dhe Bashkimi Evropian kuptohen më mirë kohët e fundit është nevoja për anëtarësimin e të gjitha vende që kanë mbetur në BE, e parë kjo nga aspekti i paqes së përhershme dhe stabiliteti i rajonit.

Por për fat të keq, për shkak të copëtimit të brendshëm dhe shpërbërjes së kohëve të fundit, ndërkohë që BE mundohet të vendosë stabilitetit në Ballkan, krijon edhe më shumë konfuzion në rajon dhe i pasqyron edhe më shumë problemet e veta në Ballkan.

Turqia nuk ka për qëllim të konkurrojë me Bashkimin Evropian në Ballkan. Madje e kundërta, hapat e hedhura nga Turqia në rajon përputhen me pritshmërinë e Unionit. Për shembull, Turqia ka sipërmarrë mbështetjen nga aspekti financiar të projektit të autostradës, që do të lidhë Sarajevën me Beogradin dhe kjo shërben përpjekjen e Bashkimit Evropian për të përmirësuar rrjetin e transportit në Ballkan.

Si rrjedhojë Turqia nuk e sheh Bashkimin Evropian si një rival në Ballkan. Arsyeja e vërtetë e atmosferës së ftohtë që përjetohet kohët e fundit ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë është standardi i dyfishtë që zbaton Brukseli dhe disa vende të Bashkimit Evropian ndaj Turqisë. Turqia është një vend që mund ta gjejë vetë rrugën e saj dhe mund ta vazhdojë vetë mirëqenien e saj. Përveç kësaj Turqia e di mirë se çfarë do. Ai që nuk e di se çfarë do është Bashkimi Evropian. Ai nuk mund të kthejë 28 zëra në një zë të vetëm. Nëse Turqia i intereson me të vërtetë Brukselit këtë duhet ta shprehë qartë. Mbase edhe Ballkani, afrimi i Turqisë me Serbinë, mund të ndihmojë në hapjen e një faqeje të re ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne