Komuniteti çerkez përkujton dëbimin nga Kaukazi që ndodhi 155 vite më parë

Një tragjedi e shekullit të 19-të që ndryshoi përgjithmonë fatin e komunitetit etnik çerkez u përkujtua në përvjetorin e tij të 155 dje në Turqi.

Komuniteti organizoi evente dhe u mblodh jashtë Konsullatës Ruse në Stamboll për përvjetorin e dëbimit dhe spastrimit etnik të paraardhësve të tyre nga Perandoria Ruse. Ata përsëritën kërkesat e tyre për njohjen si gjenocid të dëbimit dhe vdekjeve të asah kohe të shkaktuara nga dora e një perandorie tashmë të zhdukur, e cila u zëvendësua nga një regjim që kreu krime të ngjashme kundër pakicave etnike.

Eventet kryesore u mbajtën gjatë fundjavës në Kocaeli ku Federata e Shoqatave të Kaukazit (KAFFED) organizoi një konventë pranë një monumenti të dedikuar ndaj mërgimit në rajonin e provincës së Kandıras. Më vonë ata marshuan me pishtarë drejt bregdetit dhe vendosen kurora në kujtim të mërgimtarëve që erdhën nga deti. Zona ka qenë një nga destinacionet e një grupi të madh çerkezësh mërgimtarë që mbërritën gjatë mërgimit të madh. Ata u detyruan të udhëtonin me anije për në këtë zonë dhe të zbrisnin në bregun e Kandıras. Në këtë rajon ata jetuan në kampe dhe shpella, por uria dhe sëmundjet çuan në vdekjen e shumë prej tyre. Një përllogaritje e njërit prej të mbijetuarve thotë se në ditën që arritën në breg 155 vjet më parë, vdiqën 400 vetë.

Dëbimi i çerkezëve, të cilët e quajnë veten adajghi, ndodhi në periudhen e fundit të rënies së Perandorisë Osmane. Rënia pati ndikim të madh në Kaukaz pasi ishte një kohë kur Perandoria Ruse po kryente një fushate ambicioze për të zgjeruar kufijtë e saj, pavarësisht se pati edhe rezistencë të ashpër nga vendasit në rajon ku përfshiheshin çerkezët, abhazianët, çeçenët dhe të tjerë. Rezistenca, së cilës ju dha përparësi nëpërmjet udhëheqjes së Shejh Shamilit, u zmbraps brutalisht dhe u shoqërua me masakra të popullatave lokale dhe mërgimin e tyre të mëvonshëm. Shumica e çerkezëve u hipën nëpër anije për t’u transferuar nga brigjet verilindore të Detit të Zi për në Anadoll. Mijëra vdiqën për shkak të urisë dhe etjes, ndërsa shumë të tjerë vdiqën gjatë mbytjes së anijeve. Si rezultat i kësaj vlerësohet se nga 300,000 deri në 4 milion çerkezë kanë gjetur vdekjen.

Turqia ka një komunitet të konsiderueshëm çerkezësh. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, mendohet se janë 1.5 milion deri në 3 milion çerkezë. Ata janë kryesisht të përqendruar në provincat veriore të Samsunit, Amasyas, Tokatit dhe provincat veriperëndimore të Sakaryas, Kocaelit, Balıkesirit dhe Kütahyas. Përvjetori i dëbimit, i cili vendosi shumë çerkezë në Turqi dhe vende të tjera të rajonit, perkujtohet me organizime eventesh në të gjithë vendin dhe tubime jashtë misioneve diplomatike ruse për atë që ata e quajnë Genocidi Cerkez dhe Dita e Mërgimit. Gjenocidi Cerkez aktualisht njihet vetëm nga Gjeorgjia, një armike e Kremlinit që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Vetë Gjeorgjia ka qenë dëshmitare e ndryshimeve masive demografike me strehimin e turqve mesketianë që u detyruan të mërgonin që nga Bashkimi Sovjetik.

Politikanë dhe zyrtarë të lartë lëshuan mesazhe në përkujtim të përvjetorit. Fahrettin Altun, drejtor i komunikimit të Presidencës, shkroi në Twitter se Turqia ndan dhimbjet e motrave dhe vëllezërve çerkezë dhe përkujton “ata që vdiqën në këtë incident tragjik që filloi me dëbimin nga atdheu i tyre Kaukazi”.

“Dhimbja e dëbimit të çerkezëve që la një shenjë të errët në historinë e njerëzimit nuk harrohet pavarësisht se kanë kaluar 155 vite”, shtoi Altun./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne