Koreja e Veriut e ka paralajmëruar Kinën për “pasoja të rënda” në qoftë se ajo “bllokon” marrëdhëniet midis dy vendeve. Pavarësisht shpërthimit të zemëruar, Pekini thotë se dëshiron të mbajë marrëdhënie miqësore me të fqinjin e tij.
Në një koment të mërkurën vonë, agjensia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, mori shkas nga një “varg fjalësh absurde dhe të pakujdesshme” nga mediat kineze drejt ambicjeve bërthamore të Phenianit.
“DPRK nuk do të kërkojë kurrë mirëmbajtjen e miqësisë me Kinën, duke rrezikuar programin e tij bërthamor që është aq i çmuar sa jeta e tij, pavarësisht sa e vlefshme është miqësia”, tha redaksia.
“Kina nuk duhet të përpiqet më tej të provojë limitet e durimit të DPRK-së … [dhe] më mirë të llogarisë pasojat e rënda në të cilat do të përfshihet nga akti i pamatur i prishjes së marrëdhënieve DPRK-Kinë”, vazhdoi ajo.
Vërejtjet ishin në përgjigje të komenteve të publikuara në gazetat People’s Daily të Kinës dhe në Global Times, të cilat kërkonin sanksione më të ashpra mbi programin bërthamor të Veriut.
KCNA tha se thirrja e mediave shtetërore kineze që Pheniani të shpërbëjë programin e tij bërthamor ishte një “shkelje e rëndë e të drejtave të pavarura dhe legjitime, e dinjitetit dhe e interesave supreme” të Koresë së Veriut, dhe përbën “një kërcënim të padiskutueshëm për një vend fqinj të ndershëm që ka një histori dhe traditë miqësie të gjatë”.
People’s Daily dhe Global Times iu përgjigjën komenteve të Phenianit të enjten, duke akuzuar “llogjikën irracionale për programin bërthamor” të Koresë së Veriut.
Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang deklaroi të enjten se ndërsa pozicioni i Kinës për programin bërthamor të Koresë së Veriut është “i qëndrueshëm dhe i qartë”, kështu është edhe dëshira e saj për të mbajtur një marrëdhënie të mirë me Phenianin.
“Qëndrimi i Kinës për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë me Korenë e Veriut është gjithashtu konsistent dhe i qartë,” tha ai, siç citon Reuters.
Ai shtoi se Kina është e përkushtuar ndaj denuklearizimit të gadishullit, ruajtjes së paqes dhe sigurisë, dhe zgjidhjes së çështjes përmes bisedimeve.
Megjithëse Pekini ka një marrëdhënie të mirë me Phenianin dhe është litari kryesor ekonomik i tij, Pekini është bërë gjithnjë e më i paduruar në lidhje me programin bërthamor të Koresë së Veriut, së cilit ai i frikësohet se mund të shpjerë në një krizë rajonale. / © Gazeta Impakt