Koronavirusi, propozohet ndalesë për tubime në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në një konferencë për media informoi se nuk janë regjistruar raste të reja në vend, ndërsa njoftoi edhe për masat e fundit për parandalimin e koronavirusit.

Ministri njoftoi edhe për propozimet e reja të Komisionit të Sëmundjeve Infektive, për të cilat njoftoi se është thirrur mbledhje qeveritare ku të njëjtat duhet të miratohen.

Mes tjeras, ai përmendi ndalesën për tubime publike apo private, pa marrë parasysh numrin e pjesëmarrjeve, ndërsa kafenetë dhe restorantet duhet të punojnë deri në ora 18:00 dhe me kapacitet të përgjysmuar, respektivisht të mbahet distancë prej 1,5 deri në 2 metra mes njerëzve.

Ministri Filipçe informoi se kryeministri teknik, Oliver Spasovski, ka biseduar me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Maqedonase, Bashkësisë Fetare Islame (BFI) dhe Kishës Katolike për respektim të rreptë të masave të propozuara.

“Bashkësitë Fetare petjetër t’u përmbahen këtyre masave të sotme, pasi aty nuk mund të japin porosi më të mirë se sa porositë që ne tani i japim, duke e pasur parasysh se një numër i madh i njerëzve janë në një distancë të vogël”, tha Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë njoftoi se masat shtesë për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit janë propozuar pas konsultimeve edhe me mjekë nga Italia.

“Më duhet të them se mbrëmë kemi zhvilluar bisedime edhe me kolegë nga Italia, të cilët thanë se në pjesë të caktuara të vendit, para se gjithash në pjesët veriore aty ku filloi epidemia, vetëm pas zbatimit të masave më rigoroze, nuk janë regjistruar më raste të reja”, tha Filipçe, duke theksuar nevojën që të ndërmerren masa më radikale.

Gjithashtu, në përputhje me rekomandimet e Qeverisë së Serbisë, nga mëngjesi i sotëm janë mbyllur vendkalimet kufitare “Prohor Pçinski” dhe “Ribarci”.

Duke rikujtuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dje ka shpallur pandemi botërore të koronavirusi, ministri Filipçe tha se ka biseduar me zyrtarët e OBSH-së, ku siç theksoi ai, nuk ka rekomandime të përgjithshme për shtetet konkrete, por secili shtet ka të drejtë të zbatojë masa të veta autentike.

Në konferencën për media, ministri Filipçe informoi edhe për gjendjen e pacientëve.

“Nga nëntë pacientët në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, gjashtë janë në gjendje stabile. Nga mbrëmë dhe sot në mëngjes, tek tre prej tyre ka përkeqësim të lehtë të gjendjes, që nënkupton se kanë frumëmarrje paksa më të vështirësuar. Akoma nuk është e nevojshme mbështetje respiratore, por terapia intensifikohet. Tre pacientët janë në kategori më të moshuar, të tretë kanë mbi 65-66 vjet”, tha Filipçe.

Ai gjithashtu tha se sot në mëngjes është testuar një person, i cili më 7 mars ka ardhur nga Gjermania i shëndoshë, por për shkak të rritjes së temperaturës, duke shtuar se rezultati pritet të publikohet brenda ditës.

Ministri gjithashtu tha se mbrëmë u emërua drejtoreshë e re e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës. Kujtojmë se ish-drejtoresha të hënën u konfirmua si paciente e infektuar me koronavirus. Ajo u shkarkua pasi nuk respektoi rekomandimin për vetëizolim dyjavor, pasi kishte udhëtuar nga Italia dhe kishte qenë e rregullt në punë për pesë ditë.

Rikujtojmë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është 9, prej të cilëve një paciente është shëruar.

Koronavirusi i ri, zyrtarisht i njohur si COVID-19 u zbulua për herë të parë në dhjetor në qytetin kinez Wuhan, por që atëherë është shpërndarë në më shumë se 110 shtete.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dje zyrtarisht e ka cilësuar koronavirusin si pandemi botërore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne