Kreu i Vetëvendosjes në Shqipëri kundër Cakajt: Jemi krenar me thellimin e hendekut ndaj politikave shovene të Serbisë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, i është përgjigjur deklaratave të ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në një reagim në mediat sociale, Abazi shkruan se Vetëvendosja është krenare për krijimin e hendekut ndaj politikave të Serbisë. Më tej ai vijon përgjigjen duke thënë se hendeku nuk u thellua vetëm në raport me politikat ekspansioniste të Serbisë, por edhe mes reciprocitetit dhe kolaboracionizmit.

“Cakaj “akuzoi” Lëvizjen me deklaratën në vijim: “Në vend që të ketë bashkërendim në mes të Kosovës dhe Serbisë ka pasë agjendë për të thelluar hendekun.” Bashkërendimin me politikat ekspansioniste dhe shovene të Serbisë mund ta duan vetëm ata që e duan Serbinë me të njëjtat politika. Ne jemi krenar me thellimin e hendekut ndaj politikave shovene të Serbisë.

Reciprociteti që vendosi qeveria Kurti bëri që kamionët nga Serbia të vinin në Kosovë me mbishkrimin “Republika e Kosovës”. Përmes reciprocitetit ndryshoi jo vetëm Kosova, duke ndërtuar marrëdhënie barazie dhe duke fituar dinjitet, por nisi të ndryshonte edhe Serbia.

U shqetësua Cakaj dhe Rama që Serbia filloi, përmes reciprocitetit, ta njihte Kosovën si Republikë. Hendeku nuk u thellua vetëm në raport me politikat ekspansioniste të Serbisë, por edhe mes reciprocitetit dhe kolaboracionizmit – kjo e fundit me siguri e ka shqetësuar shumë Cakajn”, shkruan Abazi në Facebook.

Pak ditë më parë Cakaj në një intervistë për mediat në Kosovë hodhi akuza kundër Lëvizjes

Vetëvendosje duke thënë se kanë thelluar hendekun mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri në detyrë u shpreh në “Rubikon” se Vetëvendosja është makineri e propagandës dhe shpifjeve./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne