Kryemadhi: Hyjmë në zgjedhje kurdo që të jenë, edhe me Ramën kryeministër

“Ne si LSI nuk kushtëzojmë asnjëherë momentin e zgjedhjeve. [..] sepse ne mendojmë që zgjedhjet janë i vetmi instrument që në një farë mënyre do të cbëjë të gjithë këtë nyje të lidhur keqtas”. Kështu deklaroi kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në një intervistë për Ballkan Web.

“Pavarësisht ligjëratës politike që ngre kryetari i PD-së dhe kryetari i opozitës që me një qeveri tranzitore dhe pa Ramën kryeministër, për ne si LSI mendojmë që është e domosdoshme përballja në zgjedhje e të gjithë opinionit publik”, — shtoi Zonja Kryemadhi.

Për Prokurorinë e Posaçme (SPAK) zonja Kryemadhi deklaroi se ai “nuk mund të përdoret kurrë si kamzhik për luftë politike, sepse sot luftën politike më të madhe e bëjnë qytetarët shqiptare. Gjyqi më i mirë sot për cdo politikan, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pastaj gjyq politik, gjyq mediatik, gjyq të pandershëm ka sa të duan”.

Kryemadhi tha se drejtësia e vërtet vjen vetëm përmes zgjedhjeve. “Ai është gjyqi më i mirë për cdo politikan shqiptar” — u shpreh ajo.

Përsa i përket Komisionit parlamentar për shkarkimin e Presidentit Meta, kryetarja e LSI tha:

“Nuk më shqetëson fare kjo gjë, nuk është pjesë e axhendës time politike dhe as e LSI. Besoj se z. Meta i ka kapacitetet e veta për t’u përballur politikisht dhe di të them se është një makineri politike që është shumë e vështirë për ta ndalur”.

Ndërsa për mungesën e dialogut, kryemadhi tha se:

“Mungesa e dialogut nuk ka ardhur si rezultat i opozitës, mungesa e dialogut ka ardhur si rezultat i arrogancës së maxhorancës dhe sidomos të kryeministrit“.

Në lidhje me votimet e 30 qershorit zonja Kryemadhi u shpreh se qytetarët “iu përgjigjën aksionit politik të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet moniste të Edi Ramës”.

Kryemadhi deklaroi se djegia e mandateve nuk ka qenë një gabim, pasi me këtë veprim opozita tregoi se nuk dëshironte të ishte fiktive në Parlament./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne